E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa, “misioni i pamundur” në Intertoto



Besa e Kavajës do të tentojë të shtunën (ora 18:00) të marrë një rezultat pozitiv nga ndeshja e kthimit të turit të parë të Kupës Intertoto kundër qipriotëve të Ethnikos Aknas. Takimi parë i zhvilluar të shtunën e kaluar (21 qershor) në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” përfundoi në barazim 0-0, ku rastin më të mirë e pati sulmuesi shqiptar nga Maqedonia, Artim Shaqiri kur goditi traversën në minutën e 33-të pas një gjuajtje nga një distancë e largët. Besa udhëtoi me çarter drejt Qipros, dhe kësaj radhe në ndeshjen e kthimit do të ketë edhe ndihmën e Andi Lilës, i cili nuk luajti në ndeshjen e parë. Kualifikimi është i hapur, pasi Besës i mjafton çdo lloj barazimi me gola, ndërsa tekniku të Ethnikosit, Stefan Demol, i duhet patjetër fitorja për të kaluar në raundin tjetër. Besa sezonin e kaluar në Kupën UEFA, e drejtuar nga rumuni Silviu Dumitresku, arriti të kalojë një tur, kur eliminoi serbët e Bezaninjës (2-2, 0-0), ndërkohë që në turin e dytë u shkatërruar nga Liteks i Loveçit: 0-3 në Durrës dhe po 3-0 në Bullgari. Nga ana tjetër, Qipriotët e Ethnikos Aknasit janë të njohur në Shqipëri pasi dy sezone më parë kanë luajtur kundër Partizanit po të turin e parë të Kupës Intertoto, duke i eliminuar të kuqtë: fituan 4-2 në Qipro dhe humbën 2-1 në “Selman Stërmasi”.

Ethinkos-Besa, bilbilat nga Armenia

Takimi do të gjykohet nga arbitra nga Armenia me kryesor Karen Nalbandian, e ndihmës të tij, Artur Igityan e Amern Yerisyan. Gjyqtari i katërt do të jetë qiprioti Doros Touros (në Tiranë ishte Albano Janku). Delegati i UEFA-s është bullgari Mikail Kasabov, ndërsa vëzhgues i arbitrave anglezi Keneth Riden.

Besa, 9 ndeshje asnjë fitore ne Europe

Besa, nga 9 ndeshjet e zhvilluara në kompeticionet Europiane nuk ka fituar asnjë takim, ndërsa ka një numër të kënaqshëm barazimesh (6) në raport me humbjet (3). Ethnikos Aknas është një skuadër me përvojë relativisht më të madhe se Besa. Nga 19 ndeshjet e luajtura në Europë, Ethinikos ka fituar 5, 6 barazime e 8 humbje, ndërkohë që 15 ndeshje të zhvilluara nga qipriotit i përkasin Kupës Intertoto: 4 fitore, 5 barazime e 6 humbje.

Fshf.org, të hënën si Uefa.com

Kushdo që e ka frekuentuar më parë faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, fshf.org dhe do t’i rikthehet asaj të hënën e ardhshme sërish, do të befasohet, jo vetëm nga paraqitja grafike por dhe nga shërbimet e shumëllojta të saj, të krahasueshme me simotrat e saj në Europë e në Botë. “Do të jetë një faqe e kompletuar”, - thotë për “Albania”-n, zëdhënësi i FSHF-së, Lysjen Nurishmi. “Do të ketë statistikat të lojtarëve dhe paraqitjet e tyre gjatë ndeshjeve që nga viti 2000, të dhëna zyrtare për klubet e te gjitha niveleve, stadiumet, ndeshjet e kombëtares dhe statistikat e detajuara të lojtarëve që kanë luajtur, arbitrat e dhjetëra detaje të tjera të dobishme për lexuesit, por dhe për gazetarët sportivë”, - thekson Nurishmi, i cili shton se për databazën ka punuar një kompani amerikane. “Lojtarët do të kenë një numër identifikimi dhe ai do të jetë i pandryshueshëm gjatë gjithë karrierës së tyre sportive, duke filluar që nga mosha 11-vjeç”, - jep të tjera detaje Nurishmi, i cili thekson se për të hedhur lajmet, përshkrimet e të dhënat sipas procesverbaleve të ndeshjeve, ai, Tritan Kokona (shef i marrëdhënieve me median) e Marjus Sulejmani (punonjësi i statistikave në FSHF) kanë punuar me intensitet për më shumë se 3 muaj. Prezantimi zyrtar i faqes së rikonceptuar do të bëhet ditën e hënë, më 30 qershor (ora 10:00) me një ceremoni zyrtare në Hotel “Tirana International”. “Faqja është konceptuar si interaktive, ku do të publikohen sondazhe, forume, foto e videogaleri”, - shton Nurishmi. “Ka një ngjashmëri me atë të UEFA-s, por është e tëra e konceptuar me një sfond të kuq”.

Refuzohet kërkesa, Abilaliaj mbetet i kuq

Arbër Abilaliaj mbetet një futbollist i Partizanit. Me këtë përfundim pas Komisionit të Disiplinës, ka dalë edhe ai i Apelit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, i cili nuk ka pranuar ankimimin e sulmuesit vlonjat për të shkëputur marrëdhëniet me klubin e kuq e për të qenë lojtar i lirë.

Ditmar Bicaj nënshkruan me Belasica Petriç

Ditmar Bicaj është emri më i ri që i shtohet listës së shqiptarëve që luajnë në Bullgari. Mbrojtësi gjigant (1.93 m), i cili ka qenë pjesë e kampiones së Shqipërisë, Dinamo, do të jetë pjesë e Belasica Petriç, klubi i Kategorisë Superiore në Bullgari, duke u bërë lojtari i dytë shqiptar në këtë klub.
Në janar të këtij viti me këtë skuadër u bashkua edhe Klodian Semina, një tjetër lojtar i përfaqësueses U-19. 19-vjeçari, djali i trajnerit të njohur shqiptar Vasil Bici, nuk do të kalojë një periudhë prove me Belasicën, por do të nënshkruajë kontratën menjëherë me skuadrën nga Petriç. Në Bullgari aktualisht luan edhe Enco Malindi me Slavian e Sofjs, ndërkohë që Mensur Kurtishi nënshkroi para disa ditësh me CSKA-në e Sofjes.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›