E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuotat, propozimet e universiteteve për vitin e ri akademik, 2008-2009

Universiteti i Tiranës propozon rreth 5826 kuota.

Jonida Tashi

Universiteti i Tiranës ka dërguar në Ministrinë e Arsimit propozimet e kuotave për vitin e ri akademik, 2008-2009. Ky universitet, këtë vit ka kërkuar mbi 1 mijë kuota më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Burime pranë Ministrisë së Arsimit pohuan dje për gazetën “Albania” se rreth 5826 kuota ka propozuar universiteti më i madh në vend për vitin e ardhshëm akademik. Në këtë shifër janë përfshirë kuotat për pranimin e studentëve me kohë të plotë, me kohë të pjesshme (part-time) dhe kuotat e trojeve. Sipas Universitetit të Tiranës, kjo shifër paraqet propozimin e bërë për shtimin e 350 kuotave në krahasim me vitin e kaluar. Kështu, maturantët që do të aplikojnë për t’u bërë studentë në vitin akademik 2008-2009 do të kenë me tepër mundësi për të ndjekur studimet. Për vitin e ri akademik edhe Fakulteti Ekonomik në Tiranë, nisur nga kërkesat e larta për këtë fakultet, ka vënë në dispozicion 1230 kuota. Më pas për numrin e lartë të kuotave të propozuara renditet Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, për degët e të cilit janë propozuar 710 kuota pranimi, ku dega Anglisht është me 180 kuota. Ndërsa Fakulteti i Drejtësisë, edhe pse me një degë të vetme, pritet të pranojë vitin e ardhshëm akademik 600 studentë nëse propozimi miratohet nga MASH-i dhe Këshilli i Ministrave. Por, një numër i madh kuotash i është vënë në dispozicion edhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Sipas UT-së, për sistemin me kohë të plotë fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar edhe 850 kuota part-time në dy fakultetet, Histori-Filologji dhe Juridik. Pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës të shqyrtojë propozimet e universiteteve, do t’i dërgojë Këshillit të Ministrave propozimin për numrin e kuotave. Gjatë viteve të kaluara, vendimi për numrin e pranimeve në universitete, tarifat e shkollimit dhe detajet e tjera, kanë qenë gati në fund të korrikut, ose në gusht. Numri i kuotave të miratuara nga Këshilli i Ministrave për vitin e kaluar akademik 2007-2008 ishte 4640 në Universitetin e Tiranës.
Degët e hapura
Universitetet për vitin e ri akademik pritet të mos kenë më degë të hapura, por më shumë kuota për çdo degë. Ky është propozimi më i fundit i Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve publike në vend, miratimi i të cilit varet nga vendim i Këshillit të Ministrave. Këto dy dikastere kanë rënë dakord për mbylljen e degëve pa limit pranimesh. Shkak për heqjen e kuotave të hapura janë bërë problemet e hasura gjatë viteve të fundit, ku në shumë fakultete janë pranuar maturantë që nuk kanë pasur njohuri për degën që do të studionin. Gjithmonë nga të rinjtë këto degë janë parë si një mundësi për të hyrë në fakultet, por gjatë ecurisë së studimeve në këto degë janë vërejtur jo pak probleme. Kjo edhe për faktin se studimet në degët e hapura i kanë ndjekur të rinjtë që nuk kanë mundur të fitojnë të drejtë studimi në degë të tjera. Sipas Ministrisë së Arsimit, ky propozim nuk ua heq të drejtën studentëve për të ndjekur studimet e larta, pasi pothuajse në të gjitha degët e universiteteve do të ketë më shumë kuota dhe është detyrë e fakulteteve që të bëjnë më pas seleksionimin e tyre. Por propozimi për mbylljen e degëve të hapura nuk do të prekë vetëm universitetet publike në kryeqytet, por edhe ato në rrethe. Sipas këtij propozimi, edhe këto universitete për vitin e ardhshëm akademik do të kenë vetëm degë me kuota të përcaktuara.
Propozimi
Propozimi për shtimin e kuotave të pranimit për vitin e ri akademik fillimisht është nisur nga universitetet, të cilat në varësi të kapaciteteve të tyre ekzistuese kanë kërkuar që të ketë më shumë pranime dhe jo më degë të liberalizuara. Mbi bazën e këtyre do të përcaktohen dhe pranimet e këtij viti, çka do të thotë se në degët përkatëse do të përfshihen maturantë që janë të përgatitur në lidhje me njohuritë e mbledhura në vite mbi degën e përzgjedhur. Pas paraqitjes së këtij propozimi, MASH-i ka rëndë dakord me universitetet dhe pritet që së shpejti ai të kalojë për miratim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Universitetet, për vitin akademik 2008-2009 kanë propozuar kuota më të larta pranimi në fakultete, se sa një vit më parë. Kështu, rektoratet e universiteteve kanë dërguar pranë Ministrisë së Arsimit propozimet përkatëse në lidhje me pranimet, të cilat po rishikohen nga specialistët dhe pritet që t’i kalohen së shpejti Këshillit të Ministrave. Do të jetë pikërisht ky institucion që do të miratojë përfundimisht dhe vendimin përkatës me kuotat e pranimeve në universitete, të shpërndara sipas rretheve të ndryshme të vendit. Fakultetet e Universitetit të Tiranës kanë propozuar kuota më të larta pranimi. Por dhe fakultetet e rretheve kanë propozuar më shumë kuota pranimi krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë që përveç kërkesës për rritjen e kuotave të pranimit, është kërkuar dhe shtimi i stafit akademik, që do të jetë i nevojshëm për të përballuar fluksin e pranimeve për propozimet e bëra. Aktualisht, strukturat akademike ndodhen në pritje të përgjigjes së MASH-it për kërkesat e tyre të dërguara në lidhje me numrin e pedagogëve që duhet shtuar në degët përkatëse të fakulteteve, sidomos të atyre që do të kenë fluksin më të lartë të pranimeve gjatë këtij viti. Sipas MASH-it, nëse ky propozim do të miratohet, në universitete nevojiten më shumë pedagogë.

Kuotat
5826 kuota ka propozuar Universiteti i Tiranës
1230 kuota ka propozuar Fakulteti Ekonomik në Tiranë
710 kuota ka propozuar Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në Tiranë
600 kuota ka propozuar Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë
2900 kuota ka propozuar Universiteti i Elbasanit
1262 kuota ka propozuar Universiteti i Gjirokastrës
1585 kuota ka propozuar Universiteti i Korçës
1965 kuota ka propozuar Universiteti i Shkodrës
1060 kuota ka propozuar Universiteti i Durrësit

30 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›