Besa mund 3-2 Vllazninë, dy gola në shtesë
SHKODER- Besa është rikthyer te fitorja duke mundur 3-2 Vllazninë në Shkodër. Takimi i “Loro Boriçit” ka qenë një thriller i vërtetë, teksa gjithçka është vendosur në minutat shtesë. Kavajasit shënuan që në minutën e parë të ndeshjes me anë të Daniel Xhafës, por në pjesën e dytë Vllaznia ndryshoi ritëm dhe Sinani arriti të barazonte shifrat në minutën e 56-të, pas një pasimi të Balës. Ky i fundit do të shënonte edhe golin e avantazhit çerek ore para përfundimit, duke krijuar idenë e një fitore tepër të rëndësishme për Vllazninë. Por minutat shtesë kanë sjellë reagimin e Besës. Në minutën e 94-t ishte Çikalleshi ai që barazoi shifrat pas një gabimi të mbrojtjes shkodrane, ndërsa në të 96-tën kosovari Liridon Leci shënoi edhe golin e tretë duke lënë të shtangur tifozerinë e Vllaznisë. Me këtë fitore Besa ngjitet në kuotën e 22 pikëve, 10 më pak se Dinamo. Ndërkohë në takimin tjetër të ditës së dielë, Apolonia fitoi 2-0 në Durrës kundër Teutës. Bërkiç dhe Kaçi shënuan për fierakët në pjesën e dytë, duke bërë që kjo skuadër të ruajë vendin e tretë, në pritje të ndeshjes Flamurtari-Tirana që luhet ditën e hënë. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)