E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vizat” nesër vendimi për 3 vendet e rajonit

BRUKSEL- Këshilli i Ministrave për punë të brendshme dhe drejtësi të vendeve anëtare të BE-së, të hënën në Bruksel do të miratojë vendimin përfundimtar për heqjen e vizave për Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi.
Në tavolinën e negociatave do të jetë që 19 dhjetori të jetë data kur duhet të ndodhë heqja e barrierës për të lëvizur përfundimisht drejt vendeve anëtare të BE-së. Vendimi që Maqedonia të transferohet në vendet e “Shengenit të bardhë” duhet të miratohet me shumicë votash, me 2/3 e votave të vendeve anëtare, ndërsa menjëherë më pas lajmi do të kumtohet nëpërmjet një konference të organizuar për mediat dhe opinionin.

Siç bëhet e ditur, në tekstin e vendimit që duhet të miratohet do të përcaktohet se vetëm qytetarët me pasaporta biometrike mund të udhëtojnë drejt vendeve të BE-së. Heqja e vizave do t`i mundësojë qytetarëve të Maqedonisë që të udhëtojnë në 25 nga 27 vende anëtare të BE-së, duke përjashtuar Britaninë e Madhe dhe Irlandën. Por nga ana tjetër, pa viza do të udhëtohet edhe në Norvegji, Zvicër dhe Islandë.
Ndërkohë në bazë të një protokolli të nënshkruar nga Greqia dhe Komisioni Evropian, qytetarët e Maqedonisë do të mund të udhëtojnë pa viza në Greqi. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›