E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, gjendet mina me celular

 

DURRES/ OERD ULQINI
Grabitja e një dyqani në qendër të Durrësit çon policinë drejt zbulimit të një bande të rrezikshme, e cila zotëronte pistoletë me silenciator, makinë me targa false dhe bombë të telekomanduar me celular.
Operacioni policor “Kasaforta”, i ndërmarrë në mesnatë nga blutë e Durrësit çmonton në kohë rekord një bandë të organizuar grabitësish. Në pranga kanë rënë shtetasit Arbër Bardhi, 21 vjeç dhe Sali Ndregjoni, 29 vjeç. Ndërkohë që shpallen në kërkim dy anëtarët e tjerë të grupit, 22-vjeçari Afred Skonja dhe 30-vjeçari Ismail Deshuka. Gjatë natës së Kurban Bajramit grabitësit, pasi kanë shembur murin e një dyqani luksoz në zemër të Durrësit, pronë e shtetasit Agron V., janë larguar duke marrë me vete lekë, karta rimbushëse të tre operatorëve celularë, rimbushje dixhitale, aparate celulari e para, të cilat në total kapin vlerën e 12.5 milionë lekëve të reja. Në kushtet e flagrancës janë arrestuar shtetasit Arbër Bardhi dhe Sali Ndregjoni. Policia e Durrësit bëri të ditur përmes një konference për shtyp se, në banesën e shtetasit Arbër Bardhi, i cili njihet me pseudonimin “Kosovari” është gjetur dhe sekuestruar në garazh një bombë, e telekomanduar me celular, e cila është çaktivizuar vetëm pak orë pas operacionit nga forcat speciale të Ministrisë së Brendshme. Ajo sipas ekspertëve ishte në gjendje aktive, por nuk dihet shkaku pse ndodhej në duart e grabitësve. Menjëherë pas arrestimit të grabitësit të dytë shtetasit Sali Ndregjoni, policia ndërmerr një kontroll të hollësishëm në banesën e këtij të fundit, duke gjetur mes të tjerash edhe një pistoletë të tipit “Zastava” me silenciator. Gjatë këtij kontrolli u sekuestrua edhe autovetura “Alfa Romeo” me targa BJ223JF, (që u përdor në aksion) pa dokumentacionin përkatës dhe para, në shumën 150 mijë lekë të reja. Policia njoftoi se nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit në kërkim Alfred Skonja u gjetën dhe u sekuestruan një sasi kartash telefoni të tre kompanive, celularë, USB dhe një sasi prej 300.000 lekësh. Specialistet e hetimit të krimeve po punojnë për dokumentimin me prova ligjore edhe të disa veprave të tjera penale qe ky grup ka kryer kohët e fundit në qytetin e Durrësit.

VLORE
Një kambist denoncon grabitjen e 15 milionë lekëve në shtëpinë e tij. Petrit Veliu, 52 vjeç, banues në lagjen “Lirim”, sipas policisë ka denoncuar zhdukjen e parave. Veliu ka pohuar se mbrëmjen e së premtes, kur ai bashkë me familjen ka dalë, por duke harruar hapur derën e jashtme. Sipas tij, këtë moment e kanë shfrytëzuar autorët për të grabitur paratë. Për policinë, ngjarja është nën hetim, duke marrë dhe gjurmët e gishtave që do të çojnë drejt autorit.

BULQIZE/
Mësuesit
kurse private
BULQIZE - Në Qendrën e Kulturës Bulqizë zhvillohen çdo ditë kurse private për nxënësit e shkollave 9-vjecare dhe të mesme të këtij qyteti. Prindër që nuk kanë mundësi financiare të dërgojnë fëmijët akuzojnë mësuesit se iu bëjnë presion fëmijëve gjatë orëve të mësimit për të frekuentuar kurset. Gjithashtu ata nuk tolerojnë faktin se kurset private zhvillohen në një objekt shtetëror. “Me këto kurse po na rrjepin, ndërkohë mësuesit nuk zhvillojnë orët gjatë procesit mësimor vetëm për të shtuar numrin e nxënësve në kurse” u shprehën prindërit.

Elbasan/
Plagoset me
armë 35 vjeçari
Elbasan- Një 35-vjeçar është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në qytetin e Elbasanit. Xhelal Mamuthi është qëlluar rreth orës 17:00 pranë shkollës “Jorgji Dilo”. Sipas policisë, Mamuthi është goditur me 3 plumba pistolete, njëri prej të cilëve e ka marrë në pjesën e barkut. Policia e Elbasanit pohon se është identifikuar autori i plagosjes i cili është shpallur në kërkim. Po hetohet për motivet e kësaj ngjarjeje. Personi i lënduar ndodhet në spitalin e Elbasanit në gjendje kritike për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›