E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa në rrezik

Besa, e cila në edicionin e kaluar ishte njëra prej skuadrave më stabile në të gjitha aspektet, tani po përjeton krizë financiare dhe me gjasë brenda pak ditësh do të mbetet pa futbollistët kryesorë që i kishte në kampionatin e kaluar.

E gjithë kjo ka ardhur pas një vendimi të kryesisë së klubit për t’ua zvogëluar pagat për rreth 50 për qind anëtarëve të shtabit teknik, por edhe të gjithë futbollistëve, pasi klubi pejan është futur në krizë financiare, sikurse thuajse të gjitha klubet e tjera kosovare.

I pari që nuk është pajtuar për të qëndruar në Pejë me pagë të zvogëluar është kryetrajneri Genc Hoxha. Ai ka konfirmuar se është ndarë me Besën, pasi i ka thënë JO ofertës së re të kryesisë së klubit për ta vazhduar kontratën.

“Arsyeja e vetme pse vendosa të mos qëndroj në Besë është zvogëlimi i pagës. Kur përfundoi edicioni i kaluar, unë dhe kryesia e klubit ishim pajtuar që ta vazhdojmë bashkëpunimin. Mirëpo, klubi hasi në krizë financiare dhe kryesia më njoftoi me vendimin e vet për zvogëlimin e pagave për anëtarët e shtabit teknik dhe për futbollistë”, deklaroi Hoxha për Express.

“Unë e njoftova kryesinë se me kushtet e reja nuk jam i gatshëm për të qëndruar aty dhe vendosa të largohem, edhe pse isha i pikëlluar kur mora këtë vendim, sepse kam kaluar mirë 6 vjet aty dhe Besa ka qenë si shtëpi e imja”, theksoi Hoxha i cili potencoi se planifikon të pushojë një kohë.

Por, mësohet se edhe shumica e futbollistëve të ekipit nuk janë të gatshëm për t’i vazhduar kontratat e reja me paga të zvogëluara. Andaj, shumë prej tyre pritet të largohen nga Besa.

Njëri ndër ta është edhe kapiteni Haxhi Zeka. Madje, ky i fundit ka vendosur të tërhiqet krejtësisht nga futbolli, sepse nuk ia merr mendja të luajë për ndonjë klub tjetër.

Zeka tregoi se pas disa bisedave që ka pasur me disa bashkëlojtarë të tij, të cilët kishin bartur barrën kryesore në edicionin e kaluar, ka kuptuar se as ata nuk janë të gatshëm për të qëndruar edhe më tej në Pejë me kushtet e reja që u janë ofruar nga kryesia e Besës.

Fjala është për Fitim Kasapin, Mensur Durakun, Florent Papuqin, Egzon Gashin e disa të tjerë. Ndërsa edhe transferimi i Dukagjin Gashit në Besë, sipas të gjitha gjasave, do të dështojë shkaku i kësaj krize.

“Me kushtet e reja nuk kam llogari të vazhdoj me Besën, sepse ato të holla nuk më mjaftojnë as për t’i kryer shpenzimet e rrugës. Me 150 euro nuk vazhdohet kontrata. Kam pas shumë dëshirë të qëndroj në Besë, sepse kam derdhur shumë djersë për këtë klub. Meqenëse në Besë nuk po kam mundësi të rri, kam vendosur të tërhiqem krejtësisht nga futbolli”, tha Zeka për Express.

“Me kushtet e reja nuk janë të gatshëm t’i nisin stërvitjet as shumica e futbollistëve tjerë, e sidomos lojtarët kyç. Unë kam biseduar me disa lojtarë, si me Kasapin, Durakun, Gashin, Papuqin, etj, por ata nuk mendojnë t’i vazhdojnë kontratat me këto kushte. Më vjen keq që Besa erdhi në këtë situatë, sepse puna ishte duke na ecur jashtëzakonisht mirë”, pohoi ai.

Besa fillimisht kishte planifikuar t’i nis stërvitjet të hënën, por që janë shtyrë sërish deri të mërkurën si pasojë e kësaj situate.

Në anën tjetër, kryetari i Besës, Agim Elshani, thotë se të mërkurën do të dihet saktësisht se sa do të jetë buxheti i klubit për stinorin vjeshtor dhe atëherë do t’u bëhen ofertat futbollistëve për t’i vazhduar kontratat, dhe për të filluar me stërvitje për edicionin e ri që nis më 14 gusht.

Sipas tij, gjendja financiare e klubit pritet të përmirësohet dukshëm prej 1 janarit të vitit që vjen.

“Aktualisht Besa ka vetëm një donator. Deri të mërkurën do të kuptohet se a do të futen apo jo edhe dy donatorë tjerë në klub. Kështu që, të mërkurën do të dihet saktësisht se sa do të jetë buxheti mujor i klubit dhe do t’u bëhen ofertat futbollistëve. Më pas, ata vendosin se a duan të rrinë apo jo”, tha Elshani për Express.

“Klubi do të varet nga donatorët deri më 31 dhjetor. Nga 1 janari buxheti i klubit do të rritet sepse atëherë i kemi në dispozicion disa kombinime tjera dhe të favorshme për mirëmbajtjen e klubit”, shtoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›