“’Besa’ paraqet moralin e shqiptarëve, standardet e vërteta të shpirtit të tyre”

Kryeministri viziton ekspozitën fotografike në kujtim të strehimit të familjeve hebreje në Shqipëri
TIRANE - Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar dje se familjet shqiptare me qëndrimin e tyre ndaj hebrenjve shkruan një nga faqet më të ndritura në historinë e moralit tonë kombëtar dhe lanë një trashëgimi të madhe, të shkëlqyer, për kombin dhe vendin
Këtë vlerësim të tij kryeministri Sali Berisha e ka bërë dje, kur, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Liri Berisha, vizitoi ekspozitën fotografike të titulluar “Besa”, e çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve nga fotografi me origjine hebreje Norman Greshman.
Kryeministri Berisha e cilësoi unike dhe mbresëlënëse këtë ekspozitë, si dhe vlerësoi lart moralin e të gjithë familjeve shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u bënë pjesë e barbarisë, por zgjodhën të mbronin në vatrat e tyre anëtarët e komunitetit hebre që ndodheshin në Shqipëri apo që erdhën në vendin tonë për t'i shpëtuar Holokaustit.
“Kjo është një ekspozitë ndër më uniket dhe ndër më mbresëlënëset që një vizitor mund të shohë në jetën e tij. Kjo ekspozitë është bërë e mundur falë Norman Greshman, të cilit unë dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë. Në këtë ekspozitë paraqiten fotografitë e dhjetëra e dhjetëra familjeve shqiptare, të cilat me virtytin e tyre shkruan një ndër faqet më të ndritura në historinë e moralit tonë kombëtar. Siç e shihni, autori ka gjetur ‘Besën’ si emërtim të ekspozitës së tij, virtyt, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore bëri që kombi shqiptar dhe shqiptarët, nën pushtim të thellë, të mbrojë në vatrat e tyre njësoj si anëtarët e familjes anëtarët e komunitetit hebre që ndodheshin në Shqipëri apo që erdhën në vendin tonë për t'i shpëtuar Holokaustit, këtij krimi më monstruoz në historinë e njerëzimit, ndjekjes, ekzekutimit, përdorimit të metodave më brutale, për shkaqe të mirëfillta racore dhe gjenetike”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha theksoi se këto familje shqiptare, me qëndrimin e tyre, shkruan një nga faqet më të ndritura në historinë e moralit tonë kombëtar.
“Shqiptarët nuk u bënë pjesë e kësaj barbarie të madhe, të cilën sigurisht e organizoi dhe e ndërmori regjimi nazist, por, mjerisht, jo pa bashkëpunimin e të tjerëve, qoftë edhe nën pushtim. Shqiptarët ishin nën pushtim, por nuk bashkëpunuan. Përkundrazi, këto familje me qëndrimin e tyre shkruan një nga faqet më të ndritura në historinë e moralit tonë kombëtar dhe lanë një trashëgimi të madhe, të shkëlqyer, për kombin dhe vendin. Ekspozita i bën një nder të madh këtyre familjeve, shqiptarëve dhe Shqipërisë, paraqet cili është morali i shqiptarëve, cilat janë standardet e vërteta të shpirtit të tyre”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha falënderoi edhe fotografin Norman Greshman për realizimin e kësaj ekspozite. “Edhe një herë, një falënderim të thellë për zotin Greshman, për përkushtimin e tij. Kjo ekspozitë është hapur fillimisht në Jeruzalem dhe po qarkullon në kryeqytete të tjera të botës dhe dua ta falënderoj për shërbimin e madh që i bën Shqipërisë dhe shqiptarëve”, u shpreh Kryeministri.
Në vazhdim, Kryeministri tha se Holokausti, përbën një nga momentet më tragjike në tërë historinë e njerëzimit.
“Në historinë e njerëzimit janë të regjistruara gjahe njerëzore, të proporcioneve më të mëdha, por këto u përkasin kohërave dhjetëra shekuj më parë. Ndërsa kjo që ka ndodhur , është jo më shumë se 70 vjet më parë. Kombi hebre, që në shekuj u bë simboli i persekutimit të padrejtë, bën një përpjekje të madhe për ta mbajtur gjalle jo vetëm ne memorien e tij, por edhe ne kujtesën e njerëzimit, ne mënyrë që të mos imagjinohet dhe mendohet praktika barbare dhe ç' njerëzore e ndjekur ndaj tij”, vijoi Kryeministri.
Kryeministri Berisha shprehu nderim “për këto familje shqiptare, si dhe për shumë të tjera që nuk njihen, por e vërteta është se në fund të luftës, numri i hebrenjve në Shqipëri ishte më i madh se në fillim të saj”.
Në këtë ekspozitë rreth 70 fotografi sjellin në vëmendjen e të gjithëve, shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.