E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa vs Liria - Për vend të dytë

Skuadra pretenduese për titullin e kampionit, Besa, të dielën në Pejë do të takohet me Lirinë, ekip ky që u ngjit në pozitën e dytë në tabelë, pas fitores që e arriti të enjten në përballje me Flamurtarin (1:0), me ç’rast bardhezinjtë tashmë veç kanë hyrë seriozisht në garë për titullin e kampionit.

Andaj, ky takim mban edhe epitetin e derbit të xhiros së 22-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Aktualisht Lira është në vendin e dytë në tabelë me 34 pikë, katër më pak sesa kryesuesi Trepça dhe një më shumë se Hysi e Besa, që ndajnë pozitat tre dhe katër.

Por, trajneri i Besës, Genc Hoxha, thotë se skuadra e tij do të mundohet t’i mposhtë mysafirët nga Prizreni, me qëllim që ekipi i tij ta rrëmbejë pozitën e dytë në tabelë dhe në këtë mënyrë t’i ofrohet edhe më tej kampionit vjeshtor, Trepçës.

“Besoj se pas këtij takimi do t’i ndërrojmë me Lirinë pozitat në tabelë. Mendoj se kemi fuqi dhe kapacitet për të fituar në këtë takim, dhe ky është qëllimi jonë. Duam që edhe në këtë takim të vazhdojmë me paraqitje të mira dhe ta arrijmë suksesin e radhës”, deklaroi Hoxha për Express.

Në anën tjetër, edhe Liria synon të triumfojë në Pejë ndaj Besës, me qëllim që të qëndrojë edhe më tej në pozitën e dytë të radhitjes tabelore. Kështu thotë sulmuesi i bardhezinjve, Uliks Emra.

“Qëllimi ynë është të fitojmë në këtë ndeshje sepse duam ta mbajmë këtë pozitë, pasi tashmë veç jemi në vendin e dytë në tabelë. Kemi respekt për Besën, por ne duam të vazhdojmë me këtë seri pozitive të rezultateve dhe të dëshmojmë se këto rezultate që i kemi arritur deri më tani nuk kanë qenë të rastësishme”, tha Emra për Express.

Ndeshje interesante pritet të zhvillohet edhe në Gjakovë, ku takohen dy skuadrat që kanë ambicie të kundërta në këtë edicion- Vëllaznimi dhe Hysi. Kuqezinjtë do të kërkojnë fitore për t’i mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë, derisa Hysi e kërkon fitoren e parë në pranverë për të vazhduar së ndjekuri titullin e kampionit. Ky takim do të zhvillohet pa praninë e publikut, pas dënimit të shqiptuar nga Federata e Futbollit e Kosovës ndaj Vëllaznimit.

Edhe dy skuadrat e tjera të rrezikuara i presin udhëtime të vështira, pasi Gjilani do të luajë si mysafir i Prishtinës, derisa Kosova e Vushtrrisë do të luajë në kryeqytet ndaj Flamurtarit.

Superliga – Xhiroja e 22-të
E diel
Vëllaznimi – Hysi
Prishtina – Gjilani
Besa – Liria
Flamurtari – Kosova (V)
KEK-u - Ferizaj
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›