E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitev mbetet në Bashkim?

Trajneri i Bashkimit, Boban Mitev, sipas të gjitha gjasave, do ta vazhdojë punën në klubin portokalli, edhe pse pas humbjes nga Sigal Prishtina të premten në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ua kishte kumtuar dorëheqjen basketbollistëve të tij.

Lajmin e ka bërë të ditur zyrtari Bashkimit, Ylli Hoti. “Mitev pas ndeshjes është ngutur dhe ua ka kumtuar dorëheqjen lojtarëve. Por, ai na ka premtuar se nga e hëna do t’i rikthehet detyrës së tij”, deklaroi Hoti për Express.

Humbja nga Sigal Prishtina nuk kishte qenë arsyeja e vetme, sipas të cilës Mitev kishte dashur të largohet nga Prizreni. Burimet e Expressit brenda Bashkimit bëjnë të ditur se Mitev ka qenë edhe më parë i pakënaqur me situatën në klub.

“Atmosfera në klub që një kohë ka qenë e keqe. Shpeshherë lojtarët janë përla mes veti. Po ashtu, ka pasur lojtarë të atillë që i ka prishur marrëdhëniet edhe me trajnerin. Ka pasur të atillë që nuk kanë folur mes veti. Trajneri edhe më herët ka dashur të largohet, por sërish ndryshonte mendjen”, ka thënë për Express një basketbollistë i Bashkimit, në kushte anonimiteti.

E ky fakt duket të ketë ndikuar bukur shumë në eliminimin e Bashkimit nga gara për Kupë dhe në paraqitjet jo aq të mira të kësaj skuadre në xhirot e fundit.

Andaj, basketbollistët e padisiplinuar dhe të tjerët që nuk kanë dhënë kontribut të duhur, pritet të lirohen nga klubi prizrenas qysh të hënën.

“Bordi i klubit do ta mbajë mbledhjen të hënën. Në këtë mbledhje do të analizohet e gjithë situata. Basketbollistët, të cilët nuk kanë dhënë kontributin e duhur dhe ata që kanë qenë të padisiplinuar, do të lirohen nga klubi. Bordi do ta hartojë strategjinë e re për edicionin e ardhshëm”, ka thënë Hoti i cili nuk ka dashur t’i përmend emrat e lojtarëve që pritet të lirohen nga klubi.

Por, Express ka mësuar se nga klubi pritet të largohen kryesisht basketbollistët e huaj, të ardhur si përforcime këtë sezon.

“Ne kemi pasur ambicie të mëdha për këtë edicion, por u eliminuam nga Kupa. Në emër të klubit i kërkojmë falje publikut dhe qytetit tonë”, përfundoi Hoti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›