E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftë për Kupë

Të dielën në orën 21:00, në palestrën ‘Minatori’ në Mitrovicë, do të zhvillohet ndeshja finale e Kupës së Kosovës në basketboll, ndërmjet dy skuadrave më të trofeshme kosovare, Trepçës dhe Sigal Prishtinës.

Për Trepçën kjo është hera e katërt pas luftës që plasohet në finale. Xehetarët deri më tani në finale të Kupës kanë luajtur tri herë dhe në të tria ato finale ia ka dalë ta fitojnë këtë trofe. Këtu përfshihet edhe kupa të cilën e pati fituar Trepça në garat e organizuara nga Federate e Basketbollit e Kosovës (FBK), veçmas nga ato që i organizonte ish Liga Profesionale.

Në atë Ligë, kupën e pat fituar Sigal Prishtina. Nëse i numërohet edhe kjo kupë ekipit kryeqytetas, atëherë del se kjo skuadër Kupën e Kosovës e ka fituar gjashtë herë në periudhën e pasluftës, derisa në finale tani merr pjesë për të nëntën herë.

Mirëpo, bardhekaltrit tani e kërkojnë për të pestën herrë rresht këtë trofe, ngase Sigal Prishtina në katër vitet e fundit ia ka dalë ta çojë lart këtë trofe.

Këtë seri fenomenale të prishtinasve synon ta ndalë të dielën Trepça, e cila është mjaft e etur për trofe. Kapiteni i kësaj skuadre, Ilir Selmani është i bindur se skuadra e tij do t’ia del të stoliset me Kupën shtetërore, e cila do të ishte e katërta për Trepçën në periudhën e pasluftës.

“Është e sigurt se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, shumë atraktive dhe e cila do të sjellë shumë emocione te publiku, sepse deri në sekondat e fundit mendoj se nuk do të dihet fituesi ngase kjo është finale. Ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë terrenin dhe përkrahjen e zjarrtë të publikut, dhe ta fitojmë këtë trofe pas disa vitesh”, deklaroi Selmani për Express.

Në anën tjetër, basketbollisti në formë i Sigal Prishtinës, Granit Rugova thotë se skuadra e tij nuk brengoset që do të luajë si mysafire në një palestër shumë të nxehtë. Ai beson se skuadra e tij do t’i gëzohet Kupës në Mitrovicë.

“Unë besoj në cilësitë e shokëve të mi të ekipit dhe kjo më shtyn të besoj edhe në fitore. Pra, ne besojmë se do ta fitojmë kupën, edhe pse do ta kemi vështirë sepse Trepça do ta ketë edhe përkrahjen e madhe të publikut. Neve nuk na pengon që do të luajmë si mysafirë. Përkundrazi, ne do të motivohemi edhe më shumë në atë atmosferë”, tha Rugova për Express.

Atmosfera në palestrën ‘Minatori’ pritet të bëhet fenomenale nga tifozët e Trepçës, Torcida, derisa edhe tifozët e Sigal Prishtinës do të udhëtojnë drejt Mitrovicës për ta përkrahur skuadrën e tyre të zemrës.

Trepça dhe Sigal Prishtina siguruan pjesëmarrjen në finale të Kupës së Kosovës, pasi të premten në Mitrovicë në ndeshjet gjysmëfinale mposhtën Pejën, përkatësisht Bashkimin.

Bashkimi – Penza në finale

Të dielën në Mitrovicë prej orës 18:00 do të zhvillohet edhe ndeshja finale e Kupës së Kosovës në basketboll në konkurrencën e femrave, ku do të ballafaqohet Bashkimi dhe Penza. Skuadra e Prizrenit aktualisht është fituese e këtij trofeu, dhe është favorite ta mbrojë atë, sepse lojtaret e saj qe një kohë të gjatë luajnë bashkë dhe ekipi është mirë i komponuar. Ndërsa edhe Penza synon ta fitojë këtë trofe, pasi kohë më parë është përforcuar me organizatoren e njohur, Arbënore Perçukun.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›