E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosnja, kundërshtari i mundshëm i Shqipërisë

Albania Sport(AS)- Bosnjë-Herzegovina (që renditet në vendin 59-të në FIFA) pritet të jetë kundërshtari më i mundshëm i Shqipërisë (vendi i 86-të) në miqësoren e 7 shkurtit 2007, datë kjo e lirë nga FIFA. Pas dështimit të miqësores së 15 nëntorit të kaluar me afrikanët e Kongos, takim i programuar për t'u zhvilluar në Londër, Federata Shqiptare i ka dërguar një ftesë vendit ballkanik, me të cilët në të kaluarën kemi zhvilluar edhe dy miqësore në vitet 1955 dhe 1996. Në takimin e parë midis dy vendeve tona, atë të zhvilluar, më 30 nëntor 2006, Shqipëria e drejtuar nga Neptun Bajko fitoi 2-0 (gola të Qendros dhe Dobit), ndërsa në atë të kthimit, të luajtur në Zenica, më 24 prill 1996, takimi u mbyll në barazim 0-0. Trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Baric, ka filluar të mendojë për rinovimin e ekipit dhe sic ka deklaruar kroati, rezultatet do të shihen në pranverë kur të luhen dy ndeshjet e radhës për eliminatoret e Kampionatit Europian 2008, së pari me Slloveninë në Tiranë, më 24 mars dhe katër ditë më pas me Bullgarinë në Sofie.
Sekretari i FSHF-së, Roland Mici, pranoi se Bosnja shihet deri tani si alternativa më e mundshme për miqësoren e 7 shkurtit dhe pritet vetëm konfirmimi i Federatës së Bosnjën për zhvillimin e kësaj miqësoreje.
Federata e Futbollit të Bosnjës është themeluar në vitin 1992 dhe është bërë anëtare e FIFA-s katër vjet më pas, në vitin 1996. Trajneri i Bosnjës është boshnjaku Blaz Slivkovic. Bosnja uniformën zyrtare e ka bluzë të bardhë, mbathje blu dhe geta të bardha. Bosnja në eliminatoret e Kampionatit Europian ndodhet në Grupin C, së bashku me Turqinë, Greqinë, Norvegjinë, Hungarinë, Moldavinë dhe Maltën, dhe renditet në vendin e katërt me katër pikë pas katër ndeshjesh. Më 24 mars ekipi boshnjak do të përballet me Norvegjinë në transfertë, ndërsa ndeshjen e fundit e ka humbur me Greqinë në shtëpi 4-0.
Ekipi kombëtar shqiptar përgatitet të zhvillojë grumbullimin e radhës në Antalia të Turqisë në muajin janar të vitit të ardhshëm, një mundësi e mire kjo për të zhvilluar disa ndeshje miqësore me skuadra që do të jenë të grumbulluara për fazën përgatitore, ku midis të tjerash pritet edhe një ballafaqim me skuadrën gjermane të Karlsruhes, ku aktivizohet edhe sulmuesi shqiptar Edmond Kapllani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›