E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sekretari i Përgjithshëm i parlamentarëve të PPE-së vlerëson kontributin e shkrimtarit Balliu në dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare

Europarlamentari Martin Kamp e ka cilësuar librin “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha” si një udhërrëfyes shumë të mirë për të kuptuar dinamikën e shndërrimeve në shoqëritë me demokraci ende të pastabilizuara, të cilat përballen ende me problemet që nxjerr një e majtë ish-komuniste, e cila refuzon të shkëputet nga trashëgimia e saj kriminale

Shkrimtari dhe publicisti Fahri Balliu, themelues dhe botues i të përditshmes “55”, është pritur dy ditë më parë, në Bruksel, në një takim të veçantë, nga eurodeputeti Martin Kamp, sekretar i përgjithshëm i grupit parlamentar të popullorëve në Parlamentin Europian. Zoti Balliu, duke i dhuruar me autograf, librin e tij, “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha” (publikimi në frëngjisht), e falënderoi eurodeputetin Kamp për vëmendjen e vazhdueshme që ka treguar ndaj demokracive të reja, nga vendet ish-komuniste, si dhe për mbështetjen që ai ka treguar për reformat e vështira që kryhen në këto vende. Dr. Martin Kamp, një eurodeputet i vjetër dhe kontributor i rëndësishëm i aktiviteteve dhe mekanizmave monitorues që ka ngritur EPP-ja ndaj partnerëve të saj të rinj, në vendet ish-komuniste, e përgëzoi publicistin Balliu për kontributin që po jepte në këtë fazë të rëndësishme reformimi të shoqërisë shqiptare. “Libra si monografia juaj për gruan e diktatorit janë një udhërrëfyes shumë i mirë për të kuptuar dinamikën e shndërrimeve në këto shoqëri me demokraci ende të pastabilizuar, i tha eurodeputeti Kamp, shkrimtarit Balliu. Prej tij kuptohen qartë edhe një sërë problemesh që hasen sot edhe në shoqërinë shqiptare, për shkak të ndryshimeve veç së jashtmi dhe fasadë që kanë ndodhur tek e majta shqiptare. Ashtu si edhe me disa të majta të tjera në vendet ish-komuniste, tha gjatë takimit, sekretari i përgjithshëm i Grupit parlamentar të popullorëve në PE, konstatojmë shndërrimin fasadë të forcave komuniste brenda natës në forca socialiste dhe që pranojnë rregullat e demokracisë dhe ekonominë e tregut, por që s’është aspak ashtu. Brenda tyre, mbetet mendësia e sistemit të vjetër dhe prej andej rrjedhin edhe një varg problemesh, të cilat, forca me të vërtetë të reformuara do t’ua kursenin bashkatdhetarëve të tyre. Megjithatë, nga Shqipëria na vjen edhe një shembull thellësisht pozitiv, theksoi europarlamentari Martin Kamp, shembulli i koalicionit të integrimit, që ngritën pas zgjedhjeve të 28 qershorit, PD-ja e qendrës së djathtë, me LSI-në. është një shembull se si dy forca politike moderne, kapërcejnë dallimet e tyre ideologjike, kur është fjala për t’i shërbyer qeverisjes dhe stabilitetit të vendit, një shembull që s’po vjen nga mjaft forca të tjera të majta, të cilat ngjajnë shumë më tepër me forcat komuniste, sesa me ato që militojnë në një sistem demokratik”.
Takimi i zotit Balliu me europarlamentarin Martin Kamp u mbajt në zyrën e këtij të fundit, në mjediset e Parlamentit Evropian në Bruksel, dhe kaloi në një atmosferë shumë të përzemërt.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›