E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimi juaj mundi fatkeqësinë



Të nderuar qytetarë të Bashkisë së Vorës!

Është momenti që t’ju drejtohem sot me një falënderim të madh për fisnikërinë tuaj të pashembullt dhe rolin e madh pozitiv që keni luajtur gjatë gjithë kohës që ne punojmë së bashku, por në mënyrë të veçantë dua t’ju falënderoj për pjekurinë tuaj, energjitë pozitive dhe vullnetin e madh që keni manifestuar për kapërcimin e tragjedisë së Gërdecit, asaj tragjedie që e ka përjetuar me dhimbje dhe dramë të madhe çdo shqiptar i ndershëm, kudo në botë.

Si kryetar i Bashkisë së Vorës, por edhe si bir i kësaj zone, si qytetar i thjeshtë, por edhe si një prind i devotshëm, si njeriu që vetë ju e keni zgjedhur për dy mandate, për të punuar së bashku në dobi të komunitetit, deklaroj botërisht se ndihem krenar për ju, pasi vetë ju, ditët më mirë se askush tjetër të përballoni me fisnikëri një dhimbje të madhe, një dhimbje që nuk gjej fjalë për ta përshkruar në këtë mesazh respekti dhe falënderimi.

Të nderuar bashkëqytetarë të mi!

Dita e 15 marsit të këtij viti tronditi në mënyrë të pazakontë jetën tuaj duke bërë që në ato momente drithërimi dhe gjëme të diskutonim edhe mbijetesën.

Dita e 15 marsit të këtij viti bëri që për një moment të humbisnim edhe shpresën, por jam krenar për ju, si i zgjedhuri juaj, për faktin se kjo ditë nuk e shkatërroi dot shpirtin tuaj të fortë, nuk e shkatërroi besimin, por përkundrazi, kjo ditë ia arriti që të zbulojë, ndonëse përmes dhimbjes, virtytet tuaja më të arrira, shpirtin tuaj plot dritë dhe besim se tragjedia e përmasave të mëdha mund të përballohet vetëm me një vullnet të madh.

Të nderuar bashkëqytetarë të mi!

Kur kanë kaluar pak më shumë se tre muaj nga tragjedia, së bashku kemi arritur të kapërcejmë fazën përmbyllëse të vlerësimit dhe të dëmshpërblimit për gjithçka ka ndodhur në pak çaste më 15 mars. Ne kemi bërë së bashku një punë të madhe. Me durim dhe gjakftohtësi kemi ndjekur hap pas hapi gjithë procesin, i cili për vetë specifikën e tij, ka qenë i vështirë, madje tejet i vështirë. Ne kemi punuar bashkë me stafin e bashkisë, pasi të zgjedhurit e kanë detyrim punën në dobi të komunitetit, por detyrimi ynë ka qenë akoma e më i madh, edhe për faktin se në kishim premtuar një jetë më të mirë për bashkëqytetarët.

Të nderuar bashkëqytetarë!

Vetë jeta më ka mësuar që të mos përkulem, edhe atëherë kur stuhia arrin kulmin e saj, vetë edukimi im dhe origjina e familjes sime, kanë bërë që të jem jo vetëm pjesë e dhimbjes, por mbi të gjitha pjesë e zgjidhjes së problemeve.

Kur ju më keni dhënë votën dhe besimin për herë të dytë, as që e kishit menduar që në bashkinë tonë do të ndodhtë një tragjedi e tillë, por kur unë kam marrë bekimin e votës tuaj, kam pasur parasysh përkushtimin e pakursyer ndaj jush. Sot, mund të them me plot gojën se pa ju dhe mbështetjen tuaj nuk do të mund të kishim bërë atë që duhej.

Në këtë mesazh falënderimi, një vend të rëndësishëm ka qeveria shqiptare dhe në mënyrë të veçantë Kryeministri Sali Berisha. Secili nga banorët e bashkisë është dëshmitar i faktit se ai ishte njeriu dhe shtetari më i interesuar për të kthyer në normalitet atë që ishte një kaos i vërtetë. Ka qenë kontributi i tij i pakursyer si dhe kujdesi i tij i veçantë që ka nxitur të gjitha strukturat shtetërore për të përballuar një situatë të rëndë dhe dramatike. Secili nga ne e ka ndier dorën e ngrohtë të qeverisë shqiptare, si dhe kontributin e pazëvendësueshëm të deputetit të zonës, Astrit Patozi.

Koordinimi i mirë i punëve të pushtetit lokal, deputetit dhe qeverisë, ka bërë që sot të konsiderohet e tejkaluar krejtësisht kriza e krijuar në mesin e muajit mars nga shpërthimi i Gërdecit.

Të nderuar zgjedhësit e mi!

Nuk mund të rri pa përmendur edhe mirëkuptimin tuaj dhe mbështetjen që ju i keni dhënë qeverisë dhe bashkisë për realizimin e operacioneve emergjente dhe postemergjente. Është në virtytin tuaj që të jeni tolerantë dhe bashkëpunues. Unë jam krenar që ju keni bashkëpunuar vazhdimisht, pa pranuar që të bëheni pjesë e ndonjë manipulimi, gjë që jo vetëm nuk e zgjidh problemin, por që krijon një problem të ri.

Me këtë rast, dua të falënderoj mediat që kanë qenë të pranishme në të gjithë hapat e hedhur nga bashkia për rehabilitimin e situatës dhe kthimin e normalitetit. Gjithashtu, dua të falënderoj të gjitha organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare, individët këndej dhe andej kufirit, që dhanë mbështetje morale dhe materiale, të gjithë shqiptarët që u solidarizuan natyrshëm me ne në ditë të vështira.

Sot ne ndodhemi në një stad tjetër, të ri. Krahas kapërcimit të problemit të madh të Gërdecit, ne nuk kemi ndërprerë për asnjë çast investimet në infrastrukturën e bashkisë. Është në natyrën tonë që të punojmë pa bujë e zhurmë, pasi gjithçka shihet qartë.

Krahas rindërtimit të shtëpive të dëmtuara, nuk do ta rreshtim për asnjë çast punën në infrastrukturë. Ne duhet të vazhdojmë të ecim së bashku, vetëm përpara. Ne jemi pjesë e rëndësishme e potencialeve ekonomike, njerëzore dhe intelektuale te Shqipërisë së Mesme. Si të tillë, ne jemi pjesë e rëndësishme e proceseve integruese të Shqipërisë në NATO dhe në BE.

Të nderuar banorë!

Le të vazhdojmë të manifestojmë vlerat tona më të mira në ditët, muajt dhe vitet në vazhdim. Le të shohim përpara së bashku për një jetë më të mirë, për veten dhe fëmijët tanë, le të mbetemi mbartësit më të virtytshëm të shpresës dhe besimit për të ardhmen!

Si i zgjedhuri juaj, në dy mandate në krye të komunitetit, ju premtoj se bashkia do të vazhdojë të qëndrojë me ju, të punojë për ju dhe të ardhmen tuaj, ashtu siç ka punuar deri më sot, duke u bërë një shembull i madh frymëzimi për progres.

I juaji sinqerisht, Fiqiri Ismaili

*Kryetar i Bashkisë së Vorës. Letër falënderimi për banorët e Vorës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›