E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hanxharët” e politikës në media



Në mënyrë tejet të papritur, por edhe të dyshimtë, politika ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e përfshirjes së mediave në ligjin për denoncimin dhe dekonspirimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri, që pritet të diskutohet sot në Parlament. Them në mënyrë të çuditshme dhe të dyshimtë, për faktin e thjeshtë se ideja për përjashtimin e mediave nga ky ligj ishte iniciativë e drejtpërdrejtë e politikës, ndërkohë që të paktën publikisht nuk ka asnjë kërkesë nga mediat apo organizatat e gazetarëve për ta bërë një gjë të tillë. Përkundrazi, me sa dihet publikisht, një prej forumeve të gazetarëve i ka kërkuar zyrtarisht kryetares së Parlamentit, Topalli, përfshirjen e mediave në ligjin për hapjen e dosjeve të krimeve të komunizmit dhe askush nga gazetarët nuk e ka kontestuar një gjë të tillë, gjë që besoj se mund të konsiderohet si një vullnet unanim joni për këtë çështje. Në këto kushte gjithkush mund t’i bëjë pyetje vetes: Përse politika e përjashton një pushtet kaq të rëndësishëm nga procesi i dekriminalizimit që pretendohet se do të përfitohet nga hapja e dosjeve të krimeve të diktaturës? Çfarë përfiton politika nga një qëndrim si ky ndaj medias? Cilat janë arsyet, argumentet apo edhe emrat që detyrojnë një pozicion kaq komprometues të raporteve politikë-media në Shqipëri? Ka dhjetëra arsye, prova e fakte, që detyrojnë përfshirjen e mediave në ligjin në fjalë, ndërkohë që nuk arrij të gjej qoftë edhe një justifikim formal për të kundërtën. Kjo është një rrjedhë logjike e analizës normale të kësaj situate, por për të mbërritur tek një konkluzion sa më real në analizën tonë, na duhet të hamendësojmë apo të aludojmë për arsyet e vërteta që e detyrojnë politikën! Argumenti zyrtar se media është “aktivitet privat” është sa joserioz aq edhe i pasinqertë. Në asnjë rrethanë, sidomos në Shqipëri, nuk mund të pretendohen raporte sinqerisht të mira mes politikës dhe medieve, për shkak të misioneve të ndryshme pothuajse të kundërta, që ne kemi në raportet tona me publikun. E thënë më thjesht, ne jemi opozita e përjetshme e politikës dhe administratës shtetërore, gjë që besoj se nuk ka nevojë për shumë argumente. Atëherë, cili është interesi që politika i do mediat të papastra? Vetë promotorët e përjashtimit të mediave nga ligji i spiunëve apo krimeve të tjera të komunizmit kanë theksuar publikisht rëndësinë e pushtetit të mediave dhe faktin që një pjesë e mirë e tyre mund të jenë vënë në shërbim të mafies.

“Hanxharët e mafies” i ka cilësuar me të drejtë Kryeministri dhe shefi aktual i mazhorancës një pjesë të medias. Personalisht kam mbështetur publikisht këtë ide të Kryeministrit dhe jam munduar të përkrah përpjekjet e shtetit për ta ndaluar një fenomen të tillë, por nuk arrij dot as ta kuptoj e as ta pranoj dot qëndrimin kaq të kundërt, kur është fjala për kriminalizimin e trashëguar politik të mediave.

Nëse media mund të jetë një “hanxhar” i mafies, përse nuk mund të jetë edhe “hanxhar” i së kaluarës politike diktatoriale e kriminale të Shqipërisë dhe metastazave të sajë në politikën aktuale ? Më thoni çfarë ndryshimi mund të dalloni midis një botuesi pronar apo drejtuesi mediash, që mund të jetë trafikant apo kontrabandist me një të tillë të implikuar në krimet politike të komunizmit, që mund të jetë një spiun, që spiunonte kolegët e tij disidentë, një ekspert letrar apo mediatik në shërbim të sigurimit dhe veglave të tjera kriminale të diktaturës, raporte apo shkrimi i të cilave kanë shërbyer si prova për të varur, pushkatuar apo burgosur njerëz të pafajshëm. Unë për vete nuk shoh ndonjë ndryshim, përkundrazi, nëse do të flitet për rrezik shoqëror, këta të fundit janë të parët. Siç e shikoni, argumentet që solla nuk të çojnë tek ndonjë qëllim ligjor, demokratik apo human e shoqëror i politikës në këmbënguljen e saj për të përjashtuar median nga pastrimi i krimeve të komunizmit. Në këto kushte, kam të gjithë të drejtën të besoj se spiunët apo të inkriminuarit e tjerë të komunizmit në media i shërbejnë politikës për ta mbajtur, në mos nën vartësi, nën presion pushtetin e katërt.

Kjo kategori gazetarësh, botuesish e pronarësh mediatikë mund të konsiderohen pa frikë si “hanxharë” të politikës apo ish politikës në media. Ruajtja e sekretit të përfshirjes së tyre në krime përbën një mjet të fortë presioni në duart e politikës, e cila i ka të gjitha mundësitë për t’i përdorur informacionet e inkriminimit të tyre, që po mundohet t’i mbajë ende sekret. Kjo situatë përcjell edhe një mungesë të madhe të moralit profesional e njerëzor. Mund t’i mendoni vetë se si mund të jenë raportet e një politike të pastruar dhe një media, qëllimisht të kriminalizuar pas miratimit të ligjit. Fakti që jemi ne gazetarët, që kemi publikuar krimet e komunizmit dhe autorët e tyre në politikë dhe administratë detyron domosdoshmërish përfshirjen tonë në ligjin e krimeve të komunizmit. Përjashtimi që politika po mundohet të na bëjë më duket tejet djallëzor dhe me prapavijë të qartë politike që synojnë një media te diskretituar, pa moralin e domosdoshëm për tu përballë me politikën . Këtu ka një paradoks të madh . Ne kërkojmë të pastrohemi, politika nuk na e lejon një gjë të tillë. Kësaj i thonë “i zoti e jep tellalli se shet”. Si përfundim , një media apo një gazetar “hanxhar”, janë shoqërisht të rrezikshëm si në duart e mafies, ashtu edhe në ato të politikës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›