Votat e emigrantëve dhe politika ne Tiranë
Lëvizja G99 gjeti mbështetjen e deputetit të pavarur, Gilman Bakalli, për të depozituar pranë zyrave të Kuvendit një propozim për ndërhyrje legjislative në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor i Shqipërisë të përfshijë çështjen e votës së emigrantëve. Edhe Partia Republikane së bashku me disa përfaqësues Shoqatash Emigrantësh kërkuan publikisht që të bëhej e pamundura që emigrantët Shqiptarë të kudo ndodhur nëpër botë dhe kryesisht në Evropë të kishin hapësirën e duhur ligjore për të votuar në zgjedhjet e ardhshme.
Deputetit Gilman Bakalli së bashku me Maklen Misha përfaqësues i G99 pasi e dorëzuan në Kuvend dokumentin e plotë të këtij propozimi deklaruan se një nismë e tillë përbënte një nga hapat më të rëndësishëm për të realizuar të drejtën kushtetuese të emigrantëve shqiptarë për të marrë pjesë në proceset politike të vendit. Në fakt, për hir të së vërtetës, para tyre disa artikuj shumë interesant paralajmëruan këtë nevojë politike afërsisht karshi një të tretës së popullsisë së Shqipërisë, e cila punon dhe jeton jashtë vendit dhe i sjell një kontribut të pazëvendësueshëm ekonomisë problematike të familjes Shqiptare. Padyshim që emigrantët duke ndihmuar familjet e tyre në Shqipëri ndihmojnë indirekt edhe ekonominë e varfër të Shtetit të tyre të cilin e kanë lënë sepse nuk iu ofronte ato për të cilat kishin nevojë: një punë, një jetë ekonomike të pranueshme dhe siguri sociale e politike.
Nga vijnë ide të tilla?
Në fakt ide të tilla krijuese kanë ardhur gjithmonë nga partitë e reja apo modestisht të organizuara dhe sigurisht të voglat. Deri në zgjedhjet e fundit iniciativa të ngjashme kishin për “target” të tyre pjesën e abstenuesve ne votime të shoqërisë në Shqipëri. Parimisht mos-pjesëmarrja në zgjedhje është konsideruar nga këta ideatorë si mospëlqim dhe reagim opozitar karshi situatës së vështirë politike përgjegjësinë e së cilës e kanë padyshim më të madhe partitë e mëdha: përkatësisht PD dhe PS.
Por, duke konsideruar se nuk është e thënë që pjesa më e mirë e tyre të mos ta kenë këtë qëndrim thjesht për indiferentizëm socio-potilik, kuptohet se fakti që pjesëmarrja në zgjedhjet e çdo radhë është reduktuar në vazhdimësi ka bërë që të kërkohen rrugë të reja për të qenë faktorë, ose të paktën aktorë modest në politikë. Besoj se në analizë të thjeshtë kjo situatë komplekse bën që emigrantët të rezultojnë të jenë më të kërkuarit për të dhënë rolin e tyre në arenën politike Shqiptare. Kjo ndodh, e ka padyshim lidhje edhe me rastin kur të dy partitë e mëdha me ndryshimet e fundit kushtetuese garantuan vetveten përjetësisht në pushtetin politik të Shqipërisë.
Do të funksionojë kjo iniciativë?
Në këtë rast duhet pyetur nëse ky grup i madh social dhe politik do ti përgjigjet pozitivisht ftesës ligjore? Nëse emigrantët janë vërtetë aq të ndërgjegjësuar sa të marrin pak nga koha e tyre dhe ta japin për atdheun? Sigurisht, nëse besojnë apo jo në alternativat politike të cilat po i thërrasin në apel? Për shkak të mos aprovimit akoma të Reformës Zgjedhore po lëmë pa analizuar mënyrat më të cilat do të votohet dhe mundësitë e tyre për t`iu përgjigjur pozitivisht kësaj ftese, por parimisht përtej këtij fakti më duhet të kujtoj se kemi të bëjmë me një grup social “shumë pluralist” gjë që e vështirëson mundësinë pozitive.
Kemi të bëjmë me njerëz të cilët përtej një prejardhje të ndryshme nga vendi i vogël Shqipëria ku e ndryshmja konsiderohet e kundërt, do t`u duhet të gjykojnë politikisht edhe të influencuar nga vendet ku jetojnë në Evropë apo gjetkë në botën e stërmadhe dhe akoma krejt ndryshe nga Shqipëria. Po kështu dua të them se parimisht për të kuptuar reagimin e mundshëm të tyre nuk mjafton të lexohen komentet që hidhen në blogun e G99 apo peticionin “on line” ( të cilat duhen përgëzuar padyshim), por duhen lexuar gjithashtu edhe komentet në blogjet e pavarura të cilat frekuentohen kryesisht nga emigrantët. Personalisht pasi vizitova blogje të ndryshme gjithmonë në lidhje me iniciativën përkatëse, vura re se “feedback”-u nuk ishte aq pozitiv dhe kjo si nga pikëpamja e skepticizmit të tyre ashtu edhe ajo e indiferentizmit. Personalisht besoj se nëse Kodi i ri Zgjedhor do të përshinte edhe këtë iniciativë ligjore do të mund të rezultonte fryt-dhënës vetëm për Partinë e të Drejtave të Njeriut e cila ka përfituar gjithë herët nga Athina që mund të organizohet lehtësisht për të shtuar votat në favor të saj, por kurrsesi partitë e tjera të reja apo të vogla. Në fakt ky është perceptimi im për rastin dhe nëse unë gaboj këtë do ta vërtetojë koha. Unë me këtë rast do t’u kërkoja falje që tani “paradhënie” ideatorëve, por nëse ata gabojnë? Sigurisht që humbin…!