E Diel, 1 Nëntor 2026

Të fitojmë lirinë duke mposhtur censurën.

Homazh për martirët e fjalës së lirë

Vilson Blloshmi e Genc Leka

Ne të gjithë e fillojmë jetën duke dashur të jemi njerëz të lirë dhe autonomë, anëtarë të rendit të fjalës dhe mendimit të lirë që përballet çdo ditë me censurën në të gjithë botën. Censura është një ndër gjërat më anakronike në botën e qytetëruar. Po ta hedhim shikimin prapa në histori, censori gjithnjë paraqitet si një figurë komike, madje e përçudnuar dhe e përçmuar.

Megjithatë, ditë për ditë dalin censorë të rinj dhe mënyra të reja censurimi. Atyre u pëlqen t’i fshehin dhe t’i maskojnë veprimet e tyre si mbrojtëse të vlerave të larta, si shmangie e rreziqeve të paparashikuara dhe si mbrojtje e skajshme e një jete të re e të shkëlqyer. Ata i referohen Zotit, çështjes kombëtare, sigurisë së atdheut; gjithmonë diçkaje sublime. Ata arrijnë deri aty sa të pohojnë se është për të mirën tonë të përbashkët që ne të mos shikojmë, të lexojmë dhe të dimë gjithçka për të cilën ne kemi interes.

Censura nuk qëndron as në të djathtë, as në të majtë. Ajo i ndan përgjysmë formacionet politike. Ne kemi kaluar një pjesë të jetës sonë në një sistem politik ku agjentë të policisë sekrete mund të hynin me lehtësi deri në apartamentin apo edhe në dhomën e gjumit, të lexonin ditarët dhe shënimet tona dhe t’i sekuestronin ato. Në qoftë se ata mendonin se gjërat që kishin parë, për njërën apo për tjetrën arsye që kishte shteti i atëhershëm totalitar, nuk ishin miqësore, shkrimet konfiskoheshin dhe autorët e tyre burgoseshin dhe dënoheshin me afate të gjata burgimi deri tek pushkatimi dhe varja në litar. Të gjithë shqiptarët e dinë fatin e Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Në sistemin anakronik dhe të përgjakshëm komunist të Shqipërisë, agjentët e Sigurimit të Shtetit dhe të Partisë Punës vendosnin se cilët libra duheshin botuar, se cilat ishin të dëmshëm për shpirtin e pastër të “njeriut të ri komunist”. Bile edhe çështjet e kritikës letrare caktoheshin me vendime partie. Për fat të mirë tonin, ky sistem i përket historisë…

Sot, kur shikoj përqark me sytë e një adhuruesi të shtypit dhe fjalës së lirë, e ndiej veten të sigurt. Regjimi i vjetër totalitar që kërkonte kontrollin e plotë mbi informacionin dhe gjithçka tjetër, nuk ekziston më. Bashkë me të u zhduk edhe censura klasike, e cila kërkonte të vendoste pushtetin mbi tërësinë e kulturës, mbi tërësinë e jetës. Ne tashmë e dimë se edhe në demokracitë më liberale ka grupe të pushtetshme që shumë herë përdorin forma indirekte të censurës. Por edhe në demokracinë tonë të brishtë ka vend dhe hapësira për të manovruar ndërmjet qendrave të ndryshme të pushtetit. Demokracia pluraliste shqiptare është shumë larg të qenit ideale, por ajo nuk mundet kurrsesi të vendosë një monopol total mbi fjalën e lirë dhe dialogun konstruktiv. Për më tepër që mediat e reja i shtojnë mundësitë e komunikimit për ata që rrethanat dhe jeta i ka degdisur në periferinë e vendit dhe të shoqërisë. Lloji i censurës që ne shqiptarët kemi njohur gjatë regjimit më të egër komunist të Evropës nuk ka asnjë mundësi që të rikthehet.

Ne shqiptarëve këto vitet e fundit na u hapën sytë dhe tani po arrijmë të kuptojmë se shembja e sundimit të shtetit totalitar nuk na solli automatikisht fitoren e organizimit demokratik në të gjitha fushat e jetës. Ne duhet të përshtatim rregulla të reja të veprimit dhe të sjelljes. Qindra mijëra shqiptarë duhet të çmësohen nga zakonet e rrënjosura thellë në mendësinë e tyre dhe nga reflekset arkaike totalitariste. Ne shqiptarët tashmë jemi futur në një luftë të gjatë dhe të vështirë për ndërtimin e një shoqërie bashkëkohore demokratike. Roli i medias në këtë proces është i pallogaritshëm.

Megjithatë, ne shpesh shohim dhe mësojmë se forca politike dhe politikanë të ndryshëm, me mënyra dhe mjete të ndryshme, shumë të sofistikuara, përpiqen t’u zënë grykën gazetave, radiove dhe televizioneve. Ndonëse jo aq brutalisht sa baballarët dhe paraardhësit e tyre, ata gjithsesi po përpiqen me të gjitha mënyrat e mjetet të cungojnë lirinë e shtypit të pavarur. Megjithëse censura e hapur dhe e drejtpërdrejtë pothuajse është zhdukur nga media e shkruar dhe vizive, shumë herë po vihen re përpjekje të përsëritura për t’i minuar gazetat dhe televizionet që përpiqen të flasin hapur, duke i rrënuar ato ekonomikisht. Ai që sot me kurajo dhe guxim lufton për lirinë e fjalës e të medias në Shqipëri, dashje pa dashje do të futet në një betejë të ashpër kundër monopoleve të politikanëve dhe pushtetarëve, përderisa monopolet si rregull nënkuptojnë një liri të gjymtuar.

Në Shqipëri disa e mendojnë lirinë e shtypit si një luks, gjë e këndshme ta kesh, por mund të bësh edhe pa të. Megjithatë, ne kemi mësuar nga përvoja se pavarësia e medias dhe e drejta për të folur lirisht nuk janë prerogativa, por garanci të lirisë. Ato janë simboli i mirëfilltë i lirisë sonë, një liri e fituar kaq vonë dhe me një çmim kaq të shtrenjtë në këtë pjesë të Evropës, saqë shqiptarët nuk do ta dorëzojnë kurrë. Liria po bëhet tashmë një nga vlerat tona më të çmuara. Këtë e konsideroj unë si garancinë më të sigurt për mposhtjen e pashmangshme të censurës.

Tiranë dt. 15.07.08.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›