Besimi “sui generis” i Patër Harapit
Mos keni gabuar? Kini ardhur këtu të njihni A. Antonin, prej Shkodre, kini pritur të shihni kushedi se cilin dhe ja ku u del përpara një njeri, ngjeshur me litar, veshur me një rrobe të trashë, pa asnjë elegancë, që më shumë ta vret syrin sesa të pëlqen! Kini gabuar, pra?... Jo, nuk kini gabuar; ju nuk kini ardhur të shihni një njeri, ju doni të ndieni një fjalë, të hetoni një mendim. Juve u intereson të vështroni se ç’farë mejtoj dhe si mejtoj unë mbi problemat e para të jetës...
Këto fjalë At Anton Harapi ia drejtoi intelektualëve në Korçë në maj të vitit 1935, ku për herë të parë ai rrëfeu jetën e krishterë, moralin, filozofinë, idealin, pse shqiptarët nuk arrijnë vëllazërimin.
Ishin gjashtë konferenca, ku At Anton Harapi mbajti gjashtë ligjërata me synimin e pikëpjekjeve të idealeve, ndjenjave shpirtërore, ligjërata të vlerësuar nga më të rëndësishmet, të cilat më pas, bë ’36-ën, u botuan si dedikim intelektualëve korçarë, në vëllimin me titull: “Vlerë shpirtërore”, kontribut për trajtimin mendor të shqiptarëve. Në fund të vitit 2009, ky “traktat” social- kulturor, politik e mbi të gjitha fetar, rivjen për lexuesin nga Botimet Françeskane, pas gati 70 vjetësh kur At Anton Harapi ishte kujdesur vetë, drejtpërdrejt, për të botuar të gjitha ligjëratat.
Ky libër është botimi i tretë, ndërkohë që botimin e parë e njeh në vitin 1936, nën kujdesen e vetë priftit katolik. Deri në vitin 1942, kur ribotohet, mësojmë se libri hyri në histori për shitje të mëdha, duke e detyruar At Harapin të ndërmerrte nismën e dytë të ribotimit, të shoqëruar sërish më parathënien e tij pse e risillte këtë libër për lexuesin shqiptar. “Mendimin tim, që pata rast ta them në publik në konferencat, që mbajta në Korçë më 29.IV–4.V.1936, po e shkruaj dhe po e botoj për t’i shërbyer sado pak trajtimit dhe vendimit t’ideologjisë s’onë. Mendimi im ësht ky: Ideali njerëzor dhe besimi, dituria kultura, morali e atdhetarizmi, të gjithë pa përjashtim janë faktorët e jetës; ata natyrisht pajtohen njëri me tjetrin, pa ndërlikim (nakatosje), drejtohen qi të bëjnë harmoni në jetë dhe jo kontrast: ata nuk mund të çkrihen, as të përjashtohen, as të zëvendësohen, por rreshtohen si për çudi, ndihmohen së bashku dhe plotësohen”. Kjo është pjesë e parathënies vendosur e plotë në botimin e 2009-ës. Ndërsa në maj të ’42, kur vjen botimi i dytë, At Harapi shkruan vetë në parathënie: “S’kaloi shumë kohë, e këto fletë u ba qi të botoheshin për së dyti. Mrekulli! Përveç ndo’i teksti shkolluar, të rrallë janë librat shqyp, qi në pak vjet të shkojn me qindra e me mija. Gëzohem qi këto konferenca gjetën lexuesa e admiratorë, por edhe bindem, se si as në të parën, as tash në të dytën dorë këto konferenca nuk gjetën asnjë bamirësi qi të ndihmonte për botim. E po, kjo do t’ishte e treta shkallë e kulturës shqyptare, së cillës dikur do t’ia mërrijm!”. Është ky një optimizëm i natyrshëm, pasi libri i tij i parë ishte shitur në qindra mijëra kopje, por për ironi asnjë nuk kishte shkruar për të, asnjë kritik nuk kishte thënë fjalën përse shërbeu ky libër. Duke hedhur vështrim mbi ideologjinë e krishterë, At Anton Harapi i bën një autopsi gjendjes mendore të shqiptarëve, çfarë po ndodh me besimin “sui generis”? Kush do ta nxjerrë vendin nga situatë kaotike dhe ta sjellë në realitet njeriun modern? Dy janë sugjerimet e priftit; njerëzit e ditës? Që duhet të prijnë, por jo të bëjnë theror të tjerët, por të prijnë duke bërë theror veten. Intelektualët? Për të cilët At Harapi thotë se “ata më tepër duan që të ngadhënjejë fjala e mendimi i tyre, se paqja dhe kënaqësia e zemrave. Ata janë më të aftë që të mësojnë mirë sesa të bëjnë mirë”.
Edhe pse prifti na rrëfehet 70 vjet më parë, asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitet dhe ideale për t’ju referuar si dje librit të tij, pse shqiptarëve ju duhet të bëjnë metamorfozë në jetën e tyre. “Jemi në një krizë shpirtërore. Çasti deciziv nuk ësht i largët. Vendimi i vlerave shpirtërore do të jetë humbja a po shpëtimi. Indiferentizmi dhe dyshimi në punë të domosdoshme janë dobësi për veten, çkatrrim katastrofal për jetën e përbashkët”. Arsyeja tjetër pse ky njeri i ditur i fesë shkoi në Korçë nuk ishte thjesht rrëfimi i tij prej të krishteri, por një njeri i kulturës, atdhetar e besimtar, zbritur nga Korça i thërret ndërgjegjes së shqiptarëve për t’i shkundur mbi detyrat që kanë, kundrejt njëri-tjetrit dhe atdheut për të vënë gurë themeli në kulturën kombëtare, për të bërë bashkimin e vërtetë vëllazëror të shqiptarëve.
“Ndryshimet besimtare, antagonizmat krahinore, mungesa e përpjekjeve shoqërore, mentalitetet e kundërta, orientimet politike, dhe ajo që është më e keqe, armiqësitë e përparshme dhe të tashme, t’ushqyera me antipati dhe inate personale na bëjnë të rrojmë të përçarë tamam nër ato pika e ndër ato punë ku duhet t’ishim më të bashkuar për të bërë një Shqipëri të fortë të pasur e të përmendur”
Në konferencën e parë, At Anton Harapi e hap me “Ideali i krishterë”, shkaket e plagëvet të kohës moderne; problemet e jetës, autoriteti, ndërgjegjja detyra, tagri dhe theroria etj., të cilat nuk kanë kuptim pa të vërtetën e paluajtshme, pa dashurinë e pastër. Konferenca e dytë – është një vështrim shpirtëror mbi besimin e krishterë, se Krishti Zoti i vërtetë, me nëntekstet se ky është besimi kristian, Krishti vehtje historike e dokumentuar; Krishti porsi ideal; Krishti si vehtje; pafajësia e Krishtit e shikuar në ndërgjegje të tij, virtytet e ushtruar gjer në kulm, zotërimi i tij në çdo gjë, sjellja ndër vuajtje etj. Në konferencën e tretë trajtohet filozofia e krishterë, problemi i jetës dhe kulmi i filozofisë, - vetëm me besimin në një Zot jeta fiton vlerë, dhe njeriu mund të jetë i lumtur; Vërtetimi i dhimbjes, - jeta fillon me vaje, vazhdon me mundim, mbaron me vdekje, dhembja është një nevojë, është dhe një ligj. Gëzimi ndër dhembje është mshehtësia e jetës, shkaqet e dhembjes, ku prifti deklaron se shkaktarët e parë jemi ne; pse ëndërrojmë gjëra të pamundura. Dhembja është një natyrë të njeriut, në natyrë të kafshëve; Ajo është prova e të rrëzuarit nga lumturia, ndëshkimi i një faji të trashëguar të të parëve tanë. Në konferencën e IV - kultura e krishterë, ku debaton fanatizmin fetar dhe fanatizmi antifetar. Prifti lë anën teorike për të shpjeguar se besimi dhe dituria nuk janë të kundërta, por natyrisht të papajtueshme. E thotë natyra e besimit dhe natyra e diturisë: e vërteta është e vetmja arsye, për të cilën besimi është besim, dhe dituria dituri, dhe një nga pikat është dhe trajtesa se kristianizmi ka krijuar kulturën moderne, duke u mbështetur në pionierët më në zë të kulturës kur thonë: besoj. As dituria, as kultura e sotme nuk mund të mbahen pa autoritetin kristian - Evropa kristiane, Amerika kristiane, ajka e njerëzimi kristian, duke kujtuar kontributin kristian në fushën besimtare-shoqërore, dituri, politike, në veten, në ekonomi dhe në Shqipërinë tonë.
Duke e mbyllur me konferencën V mbi moralin e krishterë, si parim dhe mësim - duke deklaruar se s’ka njeri të madh, as gjeni, që ta riprodhojë Krishtin plotësisht, shenjtorët janë morali i mishëruar; ndërsa në konferencën e gjashtë, atdhetarizmi i krishterë, ku At Anton Harapi përmbledh se nuk mund të vihet ideali kombëtar mbi idealin fetar: do të ishte kontradiksion, spekulacion, hipokrizi dhe poshtërim. “Besimi dhe vetëm, duke u mbajtur në sferën që i përket, i shërben njeriut dhe kombit. Kristiani duke vënë Perëndinë mbi kombin, as një thërrime nuk e pakëson dashurinë kundrejt atdheut, besimi i krishterë nuk i ndan as nuk i dobëson dashuritë, por i plotëson”.