Grabiten 5 milionë lekë të vjetra me pistoletë lodër
Njësia numër 2 e Operatorit të Shpërndarjes së energjisë elektrike në kryeqytet është grabitur nga persona të armatosur dhe me maska. Ngjarja ka ndodhur në pasditen e djeshme në zonën e Bërrylit. Sipas burimeve nga policia, shuma e marrë nga dy grabitësit ka qenë rreth 5 milionë lekë të vjetra. Ndërkohë që dyshohet se grabitja mund të jetë kryer duke përdorur një pistoletë lodër, e cila ka arritur të gënjejë punonjëset. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar policia, por pa mundur që të ndalojë autorët e kësaj ngjarjeje. Po vazhdojnë hetimet për të zbardhur ngjarjen e ndodhur.
Grabitja
Rreth orës 15:30 të ditës së djeshme, një person i maskuar është futur në njësinë numër 2 të filialit të OSSH-së, e cila ndodhej në rrugën “Bardhyl”, në zonën e quajtur Bërryli në Tiranë. Në dorë, sipas punonjëseve, ka pasur një pistoletë, me të cilën ka kërcënuar që t’i jepen të gjitha paratë, ndryshe do të qëllonte. Kërkesa e tij është zbatuar nga sportelistet e njësisë, ndërkohë që autori është larguar me shpejtësi jashtë. Sipas deklaratave të dëshmitarëve, jashtë ka qenë një tjetër person, me motor të ndezur, i cili po e priste. Edhe ai ka qenë i maskuar, duke arritur që të mos binte në sy të kalimtarëve të zonës. Të dy janë larguar për disa sekonda nga vendi i ngjarjes me shumën e parave të vjedhura.
Policia
Pranë vendit ku ndodhi ngjarja është edhe vendndodhja e komisariatit numër 1 të kryeqytetit. Punonjëset e filialit kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka shkuar në vendngjarje. U organizuan postblloqe me qëllim ndalimin e dy autorëve të grabitjes, por pa ia arritur një gjëje të tillë. Autorët, duke përdorur një motor kanë arritur të zhduken duke fshehur gjurmë e duke mos rënë kështu në pranga. Ndërkohë që u morën në pyetje punonjëset e filialit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet se shuma e parave të marra mund të kapë shifrën e rreth 5 milionë lekëve të vjetra. Dyshohet gjithashtu se grabitja mund të jetë kryer nga autorët, duke përdor armë lodër. Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes ndërkohë që policia po punon për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kësaj ngjarjeje.