Shtabi i keqbërësve të Edvinit s’ndal dhunën ndaj kandidatëve të “Aleancës për Qytetarin”

Në Sarandë grisen posterat e kandidatit demokrat për kryetar bashkie, Edmond Gjokës
Huliganët e kryetarit të opozitës, Edi Rama janë shpërndarë në të gjithë vendin, me urdhrin e prerë dhe të vetëm: të grisin dhe djegin posterat e kandidatëve të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”. Pas incidenteve në Kamëz dhe Elbasan, vala e dhunuesve është spostuar në jug të vendit, në Sarandë, atje ku pre’ e huliganëve kanë rënë posterat elektorale të kandidatit të Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, në qytetin bregdetar, Edmond Gjoka. Menjëherë pas incidentit ka reaguar Partia Demokratike Sarandë dhe shtabi elektoral i z.Gjoka, duke e cilësuar aktin si presion që i bëhet kandidatit të mazhorancës nga hispanikët e Edi Ramës. Reagimi i PD-së Sarandë fajëson në mënyrë direkte simpatizantët e kandidatit rival, të cilët me porosi të kryetarit të Partisë Socialiste dhe kryebashkiakut në largim, Edi Rama, tentojnë me çdo mjet të dhunojnë kandidatin e Partisë Demokratike dhe “Aleancës për Qytetarin”, Edmond Gjoka.
Partia Demokratike i bën të ditur opinionit sarandjot por edhe vetë kandidatit të Partisë Socialiste e kryetarit të tij, Edi Rama, se veprime të tilla janë në kundërshtim me etikën e një fushate elektorale dhe respektimin e kodit zgjedhor, po aq sa edhe janë të dënueshme për një fushatë me frymë paqësore. Partia Socialiste prej dy palë zgjedhjesh nuk e fiton bashkinë e Sarandës, duke ndihmuar kështu që, qyteti i mrekullisë turistike të mos i nënshtrohet “aleancës së betonit”, siç ka ndodhur me qytetet e tjera bregdetare si Durrësi apo edhe Vlora.