E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besimtarët myslimanë kremtuan Fiter Bajramin

20-08-2012 / Gazeta 55

Mbyllet muaji i Ramazanit, krerët e shtetit i bashkohen festimeve

Fiter Bajrami u kremtua dje jo vetëm nga besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe trevat shqipfolëse, por në të gjithë botën si dita që shëmbëllen paqe dhe gëzim. Kjo festë vjen pas një muaji sakrifice, lutjesh e adhurimi ndaj Zotit, që nisi më 20 korrik. Kremtimeve të Fiter Bajramit iu bashkëngjitën edhe krerët e shtetit dhe politikës, të cilët uruan për më shumë harmoni dhe tolerancë, si një nga virtytet e shqiptarëve, faktor dallues në mbarë botën

Pasi agjëruan për 30 ditë, mijëra besimtarë myslimanë në mbarë botën falën dje namazin për Festën e Bajramit të Madh, ose siç njihet ndryshe Fiter Bajramin. Festa vjen pas muajit të Ramazanit, dhe njihet si një prej pesë shtyllave të islamit, ku besimtarët agjërojnë, duke treguar më shumë devotshmëri, solidaritet dhe përkushtim ndaj Zotit.
Në Tiranë besimtarët myslimanë ashtu si dhe një vit më parë janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të kryer faljen e namazit. Pas faljes së namazit të festës, besimtarët shkëmbejnë vizita në familjet e të afërmve dhe miqve për të uruar një vit më të mbarë. Një prej të veçantave të kësaj dite është edhe dhënia e kontributit në të holla ose ushqime, ose siç njihet ndryshe ndarja e zekatit, për të varfrit dhe familjet në nevojë.
 Në kuadër të organizimit festiv, Komuniteti Mysliman mirëpriti drejtuesit e lartë të shtetit, të cilët përcollën urimet e rastit. Komuniteti mysliman u vizitua nga kryeministri i vendit Sali Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, deputetë dhe anëtarë të kabinetit qeveritar. Ndërsa, ndryshe nga praktika e besimtarëve myslimanë, pra ajo e pritjes dhe përcjelljes në kuadër të organizimeve festive, kreu i opozitës, Edi Rama u mjaftua me një urim nga rrjeti social Twitter. Në emër të opozitës, ka uruar Sekretari Organizativ i PS-së.
“Në emër të familjes sonë të madhe, Partisë Socialiste dhe kryetarit Rama, kërkoj që në këtë ditë të sakrificës, mirësisë dhe respektit për njëri-tjetrin të urojmë mbarësi, të marrim nga kjo bukuri e kësaj feste e t’i japim vendit një rilindje të re, më shumë begati dhe solidaritet në familjet tona e mes nesh”, tha Klosi.
Vizita kryen edhe liderët e komuniteteve të tjera fetare, duke shprehur edhe një herë harmoninë që ekziston mes tyre në Shqipëri.
Fiter Bajrami vjen pas një muaji sakrifice, lutjesh e adhurimi ndaj Zotit. Besimtarët i japin kështu fund Ramazanit, muajit të agjërimit, të mëshirës, të lutjeve, muajit të shpalljes së Kuranit, me shpresën se agjërimi i tyre do të pranohet nga Zoti.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›