E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Sakrifica e besimtarëve, frymëzuese për të gjithë”

20-08-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha

Përfaqësuesit më të lartë të shtetit, si kryeministri Sali Berisha, Presidenti Bujar Nishani dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilluan vizita në selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë për të uruar Fiter Bajramin. Kreu i qeverisë, Berisha ka vlerësuar devotshmërinë e besimtarëve myslimane duke agjëruar dhe ka uruar një vit sa më të begatë dhe të lirë deri në festën e ardhshme. Kreu i shtetit, Nishani vuri theksin te respektimi i një prej virtyteve më të mëdha të shqiptarëve, bashkëjetesën fetare, ndërsa kryetarja e Kuvendit, Topalli tha se Fiter Bajrami është një mesazh vlerash për shoqërinë

Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha vizitoi dje në mesditë, selinë e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, me rastin e festës së Fiter Bajramit. Kryeministri Berisha u prit nga Kryetari i këtij Komuniteti Haxhi Selim Muça, drejtues të tjerë dhe shumë besimtarë, të cilëve iu uroi këtë Ditë, duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që agjëruan, si dëshmi e gatishmërisë së tyre për sakrificën në emër të Zotit dhe të shndërrimit të saj në një mirësi për veten, familjen, shoqërinë shqiptare. Më pas, Kryeministri i përcolli mesazhin e urimit të gjithë besimtarëve myslimanë, por edhe të gjithë besimtarëve të besimeve të tjera, duke theksuar se sakrifica e besimtarëve, është frymëzues për të gjithë njerëzit. “Jemi këtu sot për tu përulur me nderim të madh ndaj të gjithë atyre grave dhe burrave, vajzave dhe djemve, besimtarëve mysliman, të cilët në një akt përkushtimi ndaj Zotit, agjëruan muajin e madhërueshëm të Ramazanit dhe e kurorëzojnë sot me këtë ditë të bekuar. Vendimi i tyre për t’ju përkushtuar dhe nderuar Zotin në këtë verë kaq të nxehtë, për të sakrifikuar dhe privuar veten nga pika e ujit, është frymëzues për të gjithë njerëzit. Nuk ka përkushtim më epror dhe më të parë, se përkushtimi i njeriut ndaj Zotit. Ndaj dhe le të urojmë sot të gjithë besimtarët e Zotit gëzuar këtë ditë, ditët e nderimit të sakrificës. Gjithçka ndërton njeriu nga  vitet më të hershme të fëmijërisë dhe në vazhdim të gjitha mirësitë, të gjitha ëndrrat që ai realizon kanë në themel sakrificën e tij, sakrificën e familjes së tij, sakrificën e njerëzve të tij. Ndaj dhe nderimi për sakrificën është nderimi për arritjen, është nderimi për ndryshimin, është nderimi për të mirën dhe mirësinë. Ndaj dhe njëherë le të urojme gëzuar, të urojmë që Bajramin tjetër ta festojmë më mirë, ta festojmë më të begatë, me të lirë, më të sigurt, siç e meritojmë. Gëzuar të gjithë shqiptarëve kudo që janë”- përcolli urimin e tij kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›