E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besnik Baraj: “Berisha të përgjigjet për financat e rrezikuara të vendit”



Partia Socialiste i ka kërkuar dje kryeministrit Berisha që të përgjigjet për gjendjen ekonomike dhe financiare të vendit. Kryetari i PS-së së Tiranës, Besnik Baraj, është shprehur dje gjatë një deklarate për shtyp se Berisha duhet të japë përgjigje për financat e rrezikuara të qytetarëve shqiptarë. Duke iu referuar dhe deklaratës së guvernatorit të Shqipërisë, Baraj është shprehur se Berisha duhet të japë llogari për krizën ekonomike të vendit. “Ne sot e ripyesim publikisht Sali Berishën se pse paratë e privatizimeve abuzive të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve po bëhet gati t'i çojë për të mbushur arkën e boshatisur nga fushata e grabitjes së votës, duke zhytur përditë e më shumë në borxh familjet e fëmijët e këtij vendi? Guvernatori i Bankës, edhe pse me një gjuhë shumë diplomatike, flet qartë për krizë ekonomike kërcënuese. Ministria e Financave, edhe pse me një fije zëri, e pranon krizën ekonomike. Sali Berisha të mos merret me hartimet banale kundër PS-së e Edi Ramës, që ia jep për lexim asaj vajzës te podiumi i partisë sa herë që ne ngremë shqetësime reale për jetën e shqiptarëve, por të tregojë të vërtetën për financat e shthurura të vendit, për gropën e zezë të ekonomisë ku rrezikon të bjerë vendi, për mosfinancimin e kontratave që ka lidhur për rrugët e për mungesën e investimeve, si edhe për pasigurinë sociale e individuale që po rritet çdo ditë në këtë vend!” - është shprehur Bare. Ai akuzon qeverinë për boshatisjen e arkës së shtetit dhe përdorimin e këtyre parave gjatë fushatës elektorale. “Sali Berisha duhet t'u thotë shqiptarëve nëse ia ka paguar faturën mbi 60 milionë euro të këtyre muajve të fundit firmës së rrugës së kombit, apo nëse i ka shlyer detyrimet e mëdha që u ka firmave të tjera, të rrugëve të shqyera lart e poshtë nëpër Shqipëri, apo s’ka çfarë paguan më, sepse arka e shtetit është zbrazur përpara dimrit të rëndë që i pret familjet e këtij vendi për shkak të shpërdorimeve kolosale për pasurimin e oborrit të tij familjar dhe korrupsionin marramendës elektoral të 28 qershorit?” - është shprehur Bare.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›