Besnik Baraj:Qeveria nuk ka investuar në pyje, përkundrazi i ka shfrytëzuar ato në mënyrën më barbare
Në një deklaratë për shtyp deputeti socialist, Besnik Baraj ekspert i çështjeve mjedisore pas një inspektimi që iu ka bërë zonave të shkrumbura nga zjarret është shprehur se qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë investim.
Ka 8 vite që përsëritet e njëjta histori. Çdo vit digjen me qindra dhe mijëra hektarë pyje dhe qeveria gjithmonë gjendet e papërgatitur, pavarësisht se tashmë është i njohur si një fakt nga të gjithë shqiptarët se qeveria e Sali Berishës në asnjë rast të vetëm nuk ka marrë masa për të parandaluar zjarret apo për ti luftuar ato në mënyrë efikase. Nuk ka patur asnjë lloj investimi për mjete për luftimin e zjarreve; As zjarrfikëse të reja, as helikopterë, as avionë nuk janë blerë me qëllimin për të krijuar mundësinë për ta luftuar këtë fenomen. Madje edhe atëherë kur mjete të ndryshme janë dhënë nga vende fqinjë sikurse është rasti i helikopterit turk qeveria nuk ka bërë edhe minimumin për të garantuar sasinë e nevojshme të karburantit për ta furnizuar këtë helikopter- thotë ai.
Përkundrazi , sipas tij qeveria ka krijuar klimë të përshtshme për shfrytëzimin barbar të pyjeve.
Qeveria Berisha jo vetëm që nuk merr masa për të luftuar shkatërrimin e pyjeve, por përkundrazi ka krijuar një klimë të përshtatshme për ti shfrytëzuat ato në mënyrë barbare. Qoftë për industri të ndryshme, qoftë edhe për prerjet, eksportin e drurëve, për shfrytëzimin e tyre për qymyr druri, për industrinë e përpunimi të drurit dhe kjo padyshim përbën një nga problemet më të mëdha. Madje kjo mazhorancë sot jo vetëm që krijon këtë klimë, por njëkohësisht ka kontribuar vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë për shkatërrimin e këtyre aseteve me vlera të jashtëzakonshme, sikurse është rasti i parkut të Tiranës në të cilin po ndërhyhet në mënyrë barbare për tu siguruar klientëve të familjes së kryeministrit kushte të favorshme për zhvillimet e bizneseve të tyre.
Ai pohon se djegia e pyjeve nuk ndikon vetëm në zhdukjen e tyre, por edhe në thellimin e erozionit.
Në të njëjtën kohë djegia e këtyre pyjeve nuk ka të bëjë vetëm me zhdukjen e mijëra drurëve pyjorë, por lidhet njëkohësisht edhe me një impakt mjedisor të pazakontë negativ duke ndotur ajrin, duke krijuar njëkohësisht edhe mundësi për zhvillimin e një erozioni të frikshëm. Këto djegie masive kufizojnë maksimalisht edhe kapacitetet turistike. Ka shumë gjasa të ndodhë ashtu sikurse ka ndodhur me Lurën e sotme.
Ai ka nënvizuar se në kuadër të korrupsionit dhe eksportit të qymyrit që sot po lulëzon, të nxiten djegiet edhe nga element të caktuar që janë përfshirë në përdorimin e fondeve dhe burimeve financiare, qoftë edhe të organizmave ndërkombëtarë me qëllim që duke mos i bërë këto investime ata të mbulojnë moskryerjen e tyre nëpërmjet këtyre zjarreve.