UNMIK-u konfiskon materialet zgjedhore serbe në Mitrovicë
UNMIK-u, në dalje të Mitrovicës, në veri të Kosovës, ka konfiskuar materialet zgjedhore për zgjedhjet serbe të 11 majit, që pritet të zhvillohen edhe në Kosovë. Koordinatori i Komisionit Republikan Zgjedhor (KRZ) për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, Veljko Odaloviç, deklaroi se doganierët e UNMIK-ut në jug të Mitrovicës kanë konfiskuar materialin zgjedhor për zgjedhjet e 11 majit që serbet pretendojnë ti realizojnë edhe në Kosovë. “Doganierë të UNMIK-ut në dalje të Mitrovicës, rrugës drejt Prishtinës kanë ndaluar makinat që transportonin materialin zgjedhor në drejtim të Lipjanit dhe Pejës. Pas kontrollit i tërë materiali është konfiskuar”,-deklaroi Odaloviç. Pas këtij aksioni të autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë kanë reaguar zyrtarët e lartë të Beogradit. Ndërsa autoritetet kosovare dhe kryeadministratori Joakim Ryker janë shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Edhe nëse ato të mbaheshin do të ishin jolegjitime dhe të pavlefshme. Disa ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi një Rezolutë, e cila do të ndalonte ligjërisht zgjedhjet serbe.
3 Maj 2008