Ohër, Topi: “Europa, jo e plotë pa Ballkanin Perëndimor”
Maqedonia ka mirëpritur gjatë ditës së djeshme kryetarët e shteteve të Europës Qendrore dhe Juglindore në takimin e 15-të të Ohrit, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Bamir Topi. Në fjalën e mbajtur në këtë samit me rëndësi historike presidenti Topi u shpreh se Europa e Bashkuar nuk mund të jetë e plotë pa shtrirjen e saj drejt Ballkanit Perëndimor. Orientimi euroatlantik, pra procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në NATO i vendeve të rajonit, sipas presidentit të vendit, ka dëshmuar qartë se ka kontribuar në përshpejtimin e reformave demokratike, institucionale dhe ekonomike në vendet e përfshira në proces dhe po e transformon çdo ditë atë në një hapësirë bashkëpunimi, përgjegjësie, partneriteti dhe besimi reciprok. Në këtë rrugë të gjatë, shpesh të mundimshme, u shpreh presidenti Topi, roli dhe kontributi i komunitetit euroatlantik për të normalizuar situatën në rajonin tonë ka qenë jetik. Institucionet euroatlantike u ndërtuan si mishërim dhe mbrojtëse të lirive individuale, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Presidenti Topi gjatë fjalimit të tij përmendi edhe çështjen e krizës energjetike me të cilën përballet aktualisht vendi ynë. “Është shumë e qartë se, zgjidhja e krizës energjetike në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përballimi i kërkesës në rritje për energji, përveç investimeve për prodhimin e energjisë, natyrisht, kërkon investime për transferimin e energjisë nga një vend në tjetrin dhe anasjelltas, çka përbën një mundësi domethënëse për investim”. Presidenti Topi nuk la pa përmendur edhe rëndësinë e Kosovës si një realitet krejtësisht i ri në rajonin tonë.
“Republika e Kosovës, me të cilën shumica e vendeve që ju përfaqësoni kanë vendosur tashmë marrëdhënie diplomatike, po ndërton, në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Europian, programe reformash integruese në funksion të qëllimit të saj euroatlantik. Republika e Shqipërisë gjykon se përfshirja e këtij realiteti të ri, e kësaj të vërtete të re, në proceset tona të përbashkëta do të ndihmonte zbatimin në rajon dhe në Europë, të projekteve dhe investimeve gjithëpërfshirëse politike, sociale, ekonomike, por sidomos atyre të demokracisë e sigurisë afatgjatë dhe do të jepte garancinë se, emancipimi politik europianist i Ballkanit Perëndimor, është futur në një rrugë të pakthyeshëm”, - u shpreh presidenti Topi duke përfunduar kështu fjalimin në takimin e Ohrit. Rëndësia e perspektivës Europiane në Ballkanin Perëndimor është theksuar nga gjithë kryetarët e shteteve pa të cilën do të mungonte e ardhmja politike dhe ekonomike. Presidenti i Sllovenisë Danilo Turk, vendi i të cilit kryeson BE-në, tha se askush nuk do të lejonte që Ballkani të mbetej një njollë e zezë në hartën e Europës. Problemi kryesor sipas Turk është konflikti Greqi-Maqedoni për çështjen e emrit, i cili duhet të zgjidhet sa më shpejt.
3 Maj 2008