“Geraldina Sposa”, sfilatë për sezonin e ri të dasmave
Në pasarelën e Hotel “Sheraton” në Tiranë “Geraldina Sposa” sjell sfilatën e përvitshme të fustaneve të nusërisë, duke bërë kështu hapjen zyrtare të sezonit të dasmave për 2008-n. Zgjedhja e veshjes për nusen nuk duhet t’i mbetet asnjëherë rastësisë, ndaj, “Geraldina Sposa” në çdo pasarelë propozon te publiku modelet e reja dhe më në tendencë të koleksioneve të ndryshme. Sfilata e “Geraldina Sposa” është kthyer tashmë në një traditë duke u organizuar që nga viti 1995, me hapjen e të parit sallon në Shqipëri të kësaj firme, e cila vit pas viti ka konsoliduar pozitat me seriozitetin dhe cilësinë e ofruar. Sfilata mund të konsiderohet diçka përtej interesave komerciale, pasi ajo hyn pse jo, në një eveniment mode në axhendën e zhvillimeve kulturore të metropolit. Drejtuesit e “Geraldina Sposa” duke pasur luksin që në pranverën e çdo viti të zgjedhin veshjet e vitit pasardhës (siç funksionon tregu i veshjeve të nusërisë në Europën Perëndimore), sjellin në sfilatën e majit pikërisht atë që është tendenca e modës së lartë në veshjet e nusërisë. Përgjithësisht, modën në këto veshje nuk mund ta përmbledhësh në një stil të vetëm. Janë katër kolonat ku mbështetet klasifikimi i veshjeve të nusërisë: Klasiket, modernet, romantiket dhe viktorinet (veshjet e ngushta që kanë marrë këtë emër nga mbreteresha Viktoria). Miksimi i këtyre linjave me njëra - tjetrën dhe ngjyrat e pëlhurat e modës sjellin koleksionet e reja te nusërisë. Ato që mbizotërojnë këtë vit në pasarelën e “Geraldina Sposa”-s, janë dantellat gjysmë të pambukta (si dantellat e gjyshes), prerjet elegante deri në vithe, si dhe pjesa e poshtme e veshjeve me kinda asimetrike, që japin një siluetë tepër femërore. Fjongo të mëndafshta të lidhura nën gjoks, në të njëjtën ngjyrë me veshjen, materiale të rudhura, xhaketina të rafinuara, gurë të shndritshëm ose mat, aksesorë të mëdhenj për të plotësura modelin e krehjes, këpucë në ngjyra neutrale silver ose gold, këto janë tendencat më të fundit që vihen në dukje nga “Geraldina” në sfilatën e këtij sezoni të ri dasmash. Fustanet mbajnë firmat Elie Saab, Valentino, Manuel Mota, si pjesë të koleksioneve të Pronovias, e cila është lider botëror në veshjet e nusërisë. Bashkë me ta fustanet e “San Patrick” apo “La sposa”, të gjitha ekskluzivitete të “Geraldina Sposa”-s në tregun shqiptar. Fustanet do të preantohen nga dhjetë modele për secilën firmë. Përsa i përket zgjedhjes së modeleve që do të sfilojnë seleksionimi i tyre ka pasur disa kritere. Vajzave nuk u ka mjaftuar vetëm bukuria për t’u zgjedhur; Ato kanë sharmin skenik dhe karaktere shprehëse duke reflektuar klas, elegancë e feminilitet. Prej vitesh kjo sfilatë është kthyer në pasarelën e vetme ku modelet profesioniste (Linda Poda apo Matilda Mcini, që tashmë po bëhet gati për të prezantuar Shqipërinë në “Miss Univers”), takohen me personazhet televizive që shfaqin sharmin e tyre edhe në modeling. Orinda Huta, pas përvojës të mëparshme, do të vihet sërish në profesionin e modeles. Do të rikthehet gjithashtu, Xhemi Shehu, dhe gazetarja ish-konkurrente në “Miss Albania”, Eneida Xhelili. Ashtu si çdo vit, për ta mbyllur këtë pasarelë “Geraldina Sposa” fton një person publik. Kësaj here, në vendin e të ftuarës speciale shfaqet një femër tepër e suksesshme në fushën e modës siç Valbona Selimllari. Një tjetër risi e sfilatës është koleksioni i stilistes ekstravagante Mariella Gianfrate nderuar me çmimin “Sposaitalia ‘07”.
3 Maj 2008