E Shtunë, 31 Tetor 2026

DASH: “Në Kosovë ekzistojnë elemente shqetësuese për sigurinë”



Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë publik raportin më të fundit për terrorizimin, i cili flet qartë për ekzistimin e disa elementeve shqetësues që kërcënojnë sigurinë në Kosovë. Ky raport vë alarmin kufijtë të cilët në disa zona nuk janë të kontrolluar sa duhet as nga forcat e policisë dhe as nga KFOR-i.
Shqetësues, sipas këtij raporti, është edhe ekzistenca e një numri të madh të OJQ-ve ekzaktësisht 400, disa prej të cilave mendohet të jenë përfshirë në rrjetin e organizatave që ndihmojnë dhe financojnë terrorizmin. Raporti thekson se në Kosovë kanë ekzistuar disa raste të izoluara të personave që kanë pasur lidhje me terrorizimin të cilët më pas janë hetuar dhe gjykuar.
Njëri prej tyre, thekson raporti, ka qenë pjesëtar i AKSH-së, një organizatë terroriste e shpallur nga UNMIK-ut në vitin 2003. Raporti përmend si elementë shqetësues edhe paraqitjet e personave të maskuar të kësaj organizate në mediat kosovare kohë më parë.

Rajs: “SHBA-të nuk do të lejojë që të cenohet territori i Kosovës”

Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë kurrë krijimin e kushteve që do të sfidonin tërësinë territoriale të Kosovës. Kjo ka qenë deklarata e Sekretares amerikane të Shtetit, Kondoleza Rajs, gjatë udhëtimit të saj për në Londër. Rajs ka zhvilluar takime të shumta gjatë ditës së djeshme në Londër ku u diskutuan çështje të rëndësishme ndërkombëtare para vizitës së saj në Izrael dhe në territoret palestineze për nxitjen e procesit të paqes. Agjencitë e lajmeve kanë bërë të ditur se në kuadrin e këtyre takimeve do të diskutohet edhe çështja e Kosovës së bashku me ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavrov. Ajo ka theksuar se Shtetet e Bashkuara duan të garantojnë se nuk do të bëhen përpjekje për ndarjen e Kosovës. “Kosova është tashmë shtet i pavarur, i njohur nga të gjitha vendet që do të marrin pjesë në takimin e Londrës”, - u shpreh Rajs. “Shtetet e Bashkuara e kanë të qartë, se forca policore europiane duhet të vendoset atje, gjë që kërkon punë nga Kombet e Bashkuara, nga forcat e UNMIKU-t që ndodhen ende atje me mandatin e tyre, prandaj është e nevojshme të diskutohet se si të avancojmë më shpejt për vendosjen në terren të forcave europiane”, - theksoi sekretarja amerikane. Për sa i përket reagimit të serbëve, ajo vuri theksin mbi incidentin e marrjes nën kontroll përkohësisht të Gjykatës së Mitrovicës nga ana e tyre dhe tha se Kombet e Bashkuara kishin mbështetjen amerikane për të vepruar në raste incidentesh të tilla sporadike. Duke iu referuar gjendjes në Kosovë, Rajs tha se incidentet e ndryshme në këtë kohë priten megjithatë njerëzit janë treguar vetëpërmbajtje dhe u shpreh optimiste se kjo prirje do të vazhdojë edhe më tej.

Prokuroria kërkon rigjykimin për Haradinajn

Me ankesën ndaj vendimit të Gjykatës së Hagës për lirimin e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Prokuroria e Tribunalit ka kërkuar gjatë ditës së djeshme rigjykimin e rastit për dëgjimin e deklaratave të dëshmitarëve, të cilët nuk u paraqitën në gjykimin e shkallës së parë. Kryeprokurori Serge Bramertz ka vlerësuar se këshilli gjyqësor nuk ka vepruar sipas rregullave, kur në fund të gjykimit të Haradinajt, prokurorëve nuk u është dhënë koha shtesë, që ata e kërkuan për t'i shqyrtuar të gjitha mundësitë, në mënyrë që të siguronin dëshminë e dëshmitarëve kyçë.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›