E Diel, 1 Nëntor 2026

Besnik Mustafaj: Bamir Topi i jep shpresë të djathtës shqiptare

Share

Ish-ministri i Jashtëm, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, e konsideron formimin e një partie të re nga ana e Bamir Topit, si një lajm të mirë për të djathtën shqiptare. Në një intervistë telefonike për gazetën Shqip, Mustafaj i bënë thirrje Berishës të mos e sulmojë Topin si individ, por të mundohet të riorganizojë PD-në.

Si e shikoni sot të djathtën dhe mendoni se ka ardhur koha për një reformim të saj?

Unë mendoj se e djathta shqiptare është përpara një momenti të dyfishtë. Kjo do të thotë që është edhe përpara një momenti të reformimit për platformat e saj elektorale dhe platformat e saj politike, këtu kam parasysh ato më afatgjatat se zgjedhjet e ardhshme lokale. PD-ja duhet të reformohet edhe për tju përshtatur sfidave të kohës, në mënyrë që e djathta shqiptare, ashtu si e djathta në 90% të vendeve botërore, të marrë edhe të ruajë pushtetin mbi fatet e vendit. Kjo, sepse historia dhe krizat aktuale po tregojnë se e djathta është fuqia politike e aftë për të përballuar problemet e mëdha që paraqiten, në nivel kombëtar, por edhe në nivel global. E djathta shqiptare, përveçse është përpara nevojës për reformim, është përpara nevojës për organizim apo riorganizim. Në rastin konkret, lokomotiva e të djathtës shqiptare. Kjo, sepse Partia Demokratike është një forcë inekzistente si forcë politike. Ka dy vite që nuk ka institucionet e saj drejtuese nuk ka sekretatariat dhe struktura të zgjedhura, nuk ka gjykatë partie etj. Këto elemente, nëse do ti dispononte, do të bënin që Partia Demokratike të ishte një arenë zhvillimesh pozitive. PD-ja është përpara detyrimit historik që të organizohet dhe të vijë në efiçencën e një force politike që i takon dhe të vendoset në lartësinë e misionit të saj.

Pa ju larguar këtij konteksti, si e shikoni alternativën partiake të Presidentit Topi, si një parti, pjesë e spektrit të djathtë dhe trashëgimisë të saj?

Unë e kam thënë që të nesërmen, kur Presidenti Topi ka thënë që do të qëndrojë në politikë në spektrin e djathtë, kam thënë se ky është një lajm i mirë. Zoti Topi me biografinë e tij politike, është një përfaqësues që jep shpresë tek një pjesë e të djathtës. Kjo pasi e djathta shqiptare nuk është monopol, nuk është njëngjyrëshe, është plot me nuanca që i takojnë tradicionalisht një vendi të djathtë si Shqipëria, përjashto këtu vitet e komunizmit. Deklarimi i Topi ka qenë një lajm i mirë për të djathtën. Më tej mbetet për tu parë sesa në gjendje do të jetë Topi të organizojë një parti në mënyrë që të mishërojë në aksionin dhe programin e tij ato aspirata të parealizuara, të zhgënjyera nga e djathta, por dhe nga ana e partive të tjera. Unë si anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, konstatoj në një formë çudie, se lufta që Berisha ka ndërmarrë kundër Topit, është gabimi më i madh që ai bën. Kjo, sepse ne nuk luftojmë kundër Topit, duke luftuar Topin si person me akuza të qena apo të paqena. Lufta politike në këtë rast bëhet brenda Partisë Demokratike, në mënyrë që kjo të pushtojë hapësirën e të djathtës. Nuk pushtohet hapësira e të djathtës duke diabolizuar Topin. Ai pushtohet duke i dhënë PD-së atë rol në shoqërinë shqiptare, që ka nevojë kjo shoqëri që tia japë një parti e djathtë, një partie e madhe dhe që ka transformuar Shqipërinë, siç është Partia Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›