Berisha në pritjen e Sarkozy-së
Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Francë mori pjesë në pritjen e organizuar në Pallatin Presidencial Elysee, nga Presidenti i Republikës së Francës, Nicolas Sarkozy. Pritje, e cila u organizua nga Sarkozy për nder të personaliteteve që morën pjesë në Seminarin “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, u zhvillua në Paris në datat 5 - 6 janar. Pas pritjes së bërë nga presidenti francez Sarkozy, në një prononcim për Televizioni Publik Shqiptar, kryeministri Berisha u shpreh i ngazëllyer për mbylljen që Sarkozy bëri për konferencën me temë “Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi”, duke analizuar situatën aktuale ekonomike, së bashku me sugjerimet dhe vizionin e tij si President. “Konferenca me temën ‘Bota e Re 2012: Rritje, Ndryshim, Risi’ u mbyll me një fjalë të shkëlqyer të presidentit Sarkozy, një analizë e situatës aktuale në Europë dhe në botë, si dhe mendimet, sugjerimet e qeverisë franceze për vizionin e Presidentit për një Europë të rithemeluar mbi bazën e disa parimeve të tjera”, u shpreh kryeministri Berisha. Më tej, Berisha falënderoi kreun e shtetit francez për pritjen e ngrohtë dhe shumë miqësore që organizoi për 12 kryeministra, ministra Financash dhe personalitete të ndryshme. Ndërkohë më herët, kryeministri Berisha ndoqi punimet e ditës së dytë të Seminarit, i cili u mbyll nga kryeministri italian Mario Monti. Në Seminar, i cili u organizua nga ministri francez i Energjetikës, Eric Besson, nën kujdesin e presidentit Nicolas Sarkozy, u diskutua për modelet e reja të rritjes ekonomike, për fuqitë e reja ekonomike në botë. Gjithashtu, u diskutua edhe mbi vlerat e reja që duhet të ketë bota pas krizës ekonomike e financiare, si dhe mbi rolin e Europës në ekuilibrat e rinj ndërkombëtarë.