Mesazh në shishe për Prokurorinë e Përgjithshme: Hapni tabulatet
Roja i organit qendror të akuzës denoncon kërcënimin e hedhur në korridor përmes një letre në shishe. Mesazhi u drejtohej me emër disa prokurorëve, të cilëve u kërkohet të hapin tabulatet. Nis hetimi për kërcënim për shkak të detyrës
Një “mesazh në shishe”, i hedhur në Prokurorinë e Përgjithshme ka sjellë një hetim për kërcënim ndaj zyrtarëve të këtij institucioni. Mesnatën e djeshme, roja i Prokurorisë së Përgjithshme, duke ecur në korridorin e katit të parë ka vënë re një shishe bosh, të mbështjellë me letër të bardhë, brenda së cilës ndodhej një fitil përcjellës. Ndonëse shishja ka qenë bosh, prezenca e fitilit dhe e letrës shoqëruese e ka bërë të qartë se për institucionin qendror të akuzës ishte adresuar një mesazh kërcënues. Roja i institucionit ka njoftuar menjëherë efektivët e komisariatit nr.1 të policisë në kryeqytet, të cilët kanë nisur hetimet për çështjen. Burime nga grupi hetimor sqaruan për MAPO-n se shishja është hedhur në korridor përmes një dritareje të katit të parë të prokurorisë, gjatë pasdites. Në letrën e bardhë që ambalazhonte shishen bosh, ekspertët kanë lexuar emrat e disa prokurorëve. “Një pjesë të emrave e kemi pak të vështirë t’i dallojmë, pasi letra ishte e lagur dhe për më tepër shkrimi i dorës, vështirë i kuptueshëm”, - bënë me dije burime nga grupi hetimor për MAPO-n. Pas listës së gjatë të emrave të prokurorëve vinte edhe mesazhi i kërcënuesit: Hapni tabulatet! Oficerët e policisë gjyqësore kanë nisur menjëherë hetimet për këtë çështje, duke e klasifikuar ngjarjen si “kërcënim për shkak të detyrës”, ndërsa akti kërcënues ngjason me një episod të ndodhur në vitin 2009 në të njëjtin institucion. Për këtë arsye, policia ka klasifikuar si të dyshuarin e parë të njëjtin person që rezultoi fajtor në vitin 2009, ndërsa janë dhënë udhëzimet për shoqërimin dhe marrjen në pyetje të tij. “Rasti në fjalë ka disa ngjashmëri me një tjetër akt kërcënues të ndodhur në vitin 2009. Personi përgjegjës për aktin e vitit 2009 ka pasur çrregullime mendore, por ne do të kryejmë të gjitha verifikimet, pasi ende nuk dihet se kush është autori i kësaj ngjarjeje”, - u shprehën dje për gazetën burime nga grupi hetimor. Hetuesit kanë refuzuar të bëjnë publikë emrat e prokurorëve të përmendur në letër, duke i konsideruar “sekret hetimor” gjeneralitetet e tyre, ndërsa çështja e tabulateve telefonike ka qenë objekt i shumë debateve dhe skandaleve në disa dosje të bujshme të katër viteve të fundit, ku janë hetuar zyrtarë të lartë. Për të gjetur gjurmë të autorit të këtij akti, hetuesit kanë administruar dhe sistemin e survejimit me kamera të Prokurorisë së Përgjithshme për të parë nëse personi që ka futur shishen në prokurori mund të jetë evidentuar dhe nga kamerat e sigurisë. Nga ana tjetër, shishja, fitili përcjellës si dhe letra do kalojnë në laboratorin shkencor për ekspertizë, ndërsa hapi i parë i hetimit do të jetë krahasimi i kaligrafisë së letrës së dërguar në vitin 2009 me letrën kërcënuese të gjetur mesnatën e djeshme. Pas mesazhit kërcënues policia ka shtuar masat e sigurisë pranë institucionit dhe prokurorëve të përmendur në letër, deri në sqarimin e plotë të këtij akti.