Besnik Mustafaj, përleshja e shkrimtarit me politikanin
Petrika GROSI
Personazhi i kësaj jave në suplementin “Albania Weekend” është një figurë mjaft e njohur jo vetëm si shkrimtar, por edhe si diplomat dhe si politikan, madje një ndër të parët në radhët e PD-së. Megjithatë, intervista jonë nuk përqendrohet shumë tek aktualiteti politik i ditës... Besnik Mustafaj flet për krijimtarinë letrare, misteret e ngjizjes së personazheve dhe poezisë, jetën e tij brenda dhe jashtë politikës, momentet delikate me diplomacinë, si dhe çaste të ndryshme nga jeta e tij të cilat kanë ndikuar pa dyshim në rrjedhën e mëvonshme të ngjarjeve.
Besnik, le ta nisim këtë bisedë me romanin tënd të ri për të cilin je shprehur se e ke rishikuar disa herë?
Është një roman që unë e kam ripunuar disa herë por prapë gjej se nuk është ajo që kam ndërmend. Tani po e rishkruaj nga e para. Është një roman që ka në qendër gjakmarrjen por si koncept i edukimit me violencën që nga ndodhur në historinë e kombit tonë dhe nuk e trajtoj gjakmarrjen në aspektin etnografik, folklorik apo të një fenomeni që lidhet me të drejtën zakonore shqiptare. E shikoj më tepër si një kurth ku i riu shqiptar gjendej në detyrimin e dhunës.
Çfarë po të mundon kaq shumë?
Puna e veprave letrare është shumë e çuditshme; njësoj si brumi, që duket se i ke të gjithë përbërësit por ai nuk zë të bëhet bukë. Ende nuk e di se çfarë më mungon. E ndien në mënyrë instiktive shkrimtari. Fakti që e kam rishkruar disa herë do të thotë se e kam ndierë që nuk kam qenë në atë lidhjen e brendshme me subjektin.
Pas distancimit nga politika, po merresh vetëm me letërsi?
Për momentin po merrem esencialisht me letërsinë. Jam rikthyer te shkrimi, te ajo mënyrë jetese që kam pasur para viteve ’90 në raport me letërsinë, kur mendoja dhe jetoja shumë më tepër për letërsinë se sa për gjërat e tjera që e mbushnin përditshmërinë time. Por nuk mund të merrem vetëm me letërsinë për arsyen e thjeshtë se dita ka 24 orë dhe nuk mund të mbushen të gjitha vetëm me letërsi sepse vet qenia ime si njeri është e tillë që kërkon të bëjë disa gjëra njëherësh. Së dyti, nuk mund të them se pas 20 vitesh angazhimi në politikë sindromi i saj është shëruar menjëherë. Në mënyrë të pashmangshme e kam vëmendjen dhe një minimum kohe mendore gjatë së cilës observoj politikën pa pasur asnjë tundim për t’u marrë me të për momentin. Ndërkaq kam krijuar dhe një organizatë jo qeveritare që mendoj se do të bëjë një rrugë të mirë, që quhet “Forumi Shqiptar për Aleancën e Qytetërimeve”. Është një mënyrë e imja për të ruajtur lidhjen ndërkombëtare dhe për të qenë i pranishëm në debatet ndërkombëtare. Në politikën në përgjithësi, marrëdhëniet ndërkombëtare janë të vetmet që mbeten në vazhdimësi pasioni im.
A e ke menduar qoftë dhe për një çast, të hyje në garë me një parti tjetër më 28 qershor?
Jam i lidhur shpirtërisht me PD, por edhe nga pikëpamja e strukturuar sepse jam antar i saj. Nuk kam ikur nga PD-ja por kam ikur nga politika.
Je shprehur më parë, se ke arritur shumëçka që dëshiron një burrë në karrierën.
Mendoj se 50-vjeç burri ka detyrën të bëjë një lloj bilanci dhe më rezulton se kam kaluar një jetë të mbushur me aktivitete, zhvillime e zbulime të reja, të vazhdueshme. Kam pasur fat për faktin se jeta ime ka përkuar në shtrirjen e saj me momente që vetëm një brezi në shekull i takoi siç ishte viti ’90, kur u përmbys diktatura. Në atë kohë mund të kisha qenë plak ashtu siç mund të kisha qenë ende i parritur dhe shumë indiferent. Për fat qëllova në moshën 30-vjeçare dhe veç kësaj edhe karakteri më ka ndihmuar të jem protagonist dhe jo diku i fshehur. E quaj veten me fat edhe që shëndeti nuk më ka penguar dhe që mendja më ka punuar drejt. Duke qenë në një periudhë historike të ndryshimeve të mëdha është njësoj si lumenjtë që rrjedhin vazhdimisht nga mali dhe nxjerrin në breg gjërat që i marrin me dhunë përpara. Kam ditur ta zotëroj si të thuash, atë navigimin tim brenda kësaj rryme të rrëmbyeshme dhe kam të drejtë që të jem pozitiv në gjykimin e vetvetes. Ky gjykim pozitiv që i bëj vetes ma bën të lehtë tani rindërtimin e një skeme tjetër. Pas 20 viteve të ndërtosh një skemë të ditës, për një burrë që përpiqet të bëjë diçka nuk është e lehtë.
A është për të ardhur keq që nuk do të kemi asnjë shkrimtar në këtë legjislaturë?
Historia e Shqipërisë e ka bërë shkrimtarin gjithmonë të pranishëm në politikë. Që nga ’21 kemi figura si Fishta e Noli, deputetë të asokohe dhe pjesë e debateve të mëdha. Edhe Ndre Mjeda ishte deputet. Në parlamentin e komunizmit kanë qenë deputetë dy shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë, Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Në këtë kuptim, parlamentit shqiptar nuk i kanë munguar asnjëherë shkrimtarët. Tani që i mungojnë, mesa duket politika shqiptare ka hyrë në një fazë të re. Por kjo nuk më duket ndonjë mangësi e madhe pasi nuk di që në Kongresin e ShBA-ve të ketë ndonjë shkrimtar.
Gjithashtu, së fundi, ke thënë në një intervistë se je penduar për atë kohë që nuk u more dot me letërsi.
Sidomos pas vitit ’97 kur u ktheva nga Franca dhe u riktheva në politikë, edhe për arsye të një dhune reale që ushtrohej ndaj opozitës të asaj kohe, ku unë bëja pjesë, edhe për arsye të një braktisjeje që kishte PD-ja nga intelektualët në atë kohë, më është dashur që në rritje të përkushtimit të marr pjesë 100 për qind në politikë. Kjo ka bërë që atë kohën mendore dhe preokupimin tim të përditshëm të mos e balancoj mes letërsisë dhe politikës. Tani shoh me një lloj keqardhje se edhe lidhjet me botuesit dhe agjentët e mi ndërkombëtarë, që menaxhojnë veprën time jashtë shtetit i kam lënë pothuajse pas dore. Krahas rivënies të ritmit të të shkruarit po rilidh edhe rrjetin tim ndërkombëtar që i nevojitet një shkrimtari që ka nevojë të përkthehet dhë që vlerësohet aq sa vlerësohem. Më vjen keq që nuk e kam ruajtur një ekuilibër mes kohës për letërsinë dhe kohës për politikën.
Si ndodhi që e humbe këtë ekuilibër?
Është pasojë e seriozitetit me të cilin i marr gjërat dhe ndienjës sime të përgjegjësisë kur marr përsipër një detyrë. Së dyti, është pasojë e rrethanave të veçanta në të cilat gjendej PD-ja në periudhën ’97 – ’05, kur siç thashë PD ishte në një presion edhe fizik e jo vetëm politik. Ka ndodhur edhe për faktin se pranova të bëhem ministër i jashtëm në një kohë kur Shqipëria kishte dy dosje shumë të mëdha si dosja e BE-së dhe NATO-s dhe dosja e Kosovës. Duhej detyrimisht të merresha gjithë kohës me këto punë. Në këtë kuptim, nuk mendoj se ka qenë një ftohje brenda meje, e lidhjes me letërsisë, por një dominim i ndienjës së përgjegjësisë brenda meje për politikën me të cilën isha i angazhuar.
A mund të jetë e vlefshme përvoja e gjithë këtyre viteve për t’u shndërruar në letërsi?
Nuk e di. Është shumë shpejt për të folur. Përgjithësisht, në jetën time si shkrimtar nuk e kam lënë vetëm për arkivat e institucioneve veprimtarinë time si politikan. Kam botuar një pjesë të ditarit tim “maj ’94 – maj ‘95”. Pra, e kam një ditar dhe shënime të plota, ç’ka do të thotë se këtë lloj letërsie do ta elaboroj. E dyta, unë kam shkruajtur ese politike. Përvoja politike, detyrimisht që do të gjejë pak nga pak dritë në shkrimet e mia por, njëkohësisht nuk e di se ç’do të ndodhë me subjektet e fiksionit (fiction).
Si ndikon të qenurit shkrimtar te politikani?
Avantazhi më i madh që kam pasur prej identitetit të shkrimtarit, për të ushtruar detyrat e politikës është se të qenurit shkrimtar më ka bërë vazhdimisht indiferent ndaj pushtetit. Në mënyrë të padiskutueshme një shkrimtar është më pak i korruptueshëm se sa një joshkrimtar, sepse ka atë ndiesinë e gjykimit më afatgjatë nga një politikan dhe ndiesinë e harxhimit të parave e ka ndryshe. Qoftë në sjelljet e mia me opozitën gjatë kohës kur isha në pushtet qoftë në sjelljet e mia me eprorët gjatë kohës kur isha në strukturat e partisë dhe këtu kam parasysh veçanërisht Berishën, apo qoftë në sjelljet e mia me kolegët, letërsia më ka bërë që të kem një distancë të nevojshme për të mos u bërë konformist, oportunist, për të mos prodhuar urrejtje. Nuk jam në gjendje të marr një njeri inat. Kjo është produkt i qetësisë së madhe që më jep qenia e poetit dhe romancierit brenda lëkurës sime.
Ka pasur një debat mes teje dhe Ismail Kadaresë. Ku e ka zanafillën e gjithë kjo?
As vetë nuk e kam kuptuar kurrë pse Ismaili më ka sulmuar. Ismailin e kam konsideruar dhe e konsideroj shkrimtarin shqiptar më të rëndësishëm të rinisë sime dhe një vlerë të madhe për letërsinë shqipe. Siç e kam thënë dhe e përsëris prapë, mendoj se duhet bërë një ndarje mes karakterit dhe veprës së Kadaresë. Së dyti, nuk më lejohet të kem idhujtari. Kam shkrimtarë që i dua dhe që nuk i dua, shkrimtarë që i dua më pak dhe shkrimtarë që i dua më shumë. Edhe Shekspiri ka një reliev në veprat e tij dhe nuk bëri veç vezë të arta. Ismaili e keqkupton këtë punë dhe do që vetëm ta adhurosh. Më ka sulmuar disa herë edhe kur isha ministër për arsye që ai i di. Ndoshta ai ka helmet e veta brenda shpritit, të cilat në një moment të caktuar e dominojnë fatkeqësisht, por ky nuk është preokupimi im.
Teksa folëm për Kadarenë, po për Agollin ç’mendim keni?
Nuk marr përsipër të gjykoj Ismailin apo Dritëroin, por për mua Agolli është poeti më i madh shqiptar i gjallë.
Sa e ke ndier para viteve ’90, xhelozinë e shkrimtarëve të tjerë dhe presionin e pushtetit?
Shkrimtari rritet jo në inkubator por në kompleksitetin e marrëdhënieve të realitetit që e rrethon. Fakti që jam rritur tregon se nuk jam shtypur nga këto lloj presionesh.
Marrëdhënia me poezinë?
Është si dashuria e parë, e cila vazhdimisht është e pranishme. Vazhdoj të jem një lexues i poezisë dhe të shkruaj shumë më rrallë sesa në rininë time, kur poezia qe aktiviteti dhe përkushtimi im kryesor. Poezia është permanente, njësoj si uraniumi brenda bombës atomike.
A mendon se është mister lindja e poezisë, apo Besnik Mustafaj ka shkuar përtej kësaj, duke e nxjerrë dhe një shpjegim?
Këtë nuk e ka shpjeguar dot askush e normalisht, as unë. 2400 vjet më parë Aristoteli thotë se “poezia, duke qenë arti i fjalës, duhet ta punosh me durim dhe vullnet të jashtëzakonshëm fjalën”.
Të vjen keq që shkrimtarët në ditët e sotme kanë një lexues të mpakur, sidomos në Shqipëri?
Do të më vinte mirë të ishin më shumë lexues por kjo nuk është një arsye për të mos shkruar.
Po të ishe ministër kulture, çfarë do të ndryshoje në fillim?
Nuk kam asnjë përgjigje për këtë pyetje sepse ansjëherë nuk e kam parë veten si ministër kulture dhe nuk kam as një platformë që t’ia ofroj opinionit publik.
Le të flasim pak për periudhën kur u ktheve nga Franca. A ka pasur ndonjë rast, kur je ndier i kërcënuar?
Të mos harrojmë se në atë periudhë u vra Azem Hajdari. Një herë u qëllua mbi të në parlament dhe më pas u vra para PD-së. Në asnjë moment nuk kam pasur kërcënime fizike apo situata dramatike për veten time por duke qenë pjesë e një ekipi, doemos që e ndieja këtë atmosferë, e cila më bënte edhe më të përkushtuar ndaj PD-së.
Kur e ke menduar për herë të parë se do të bëheshe poet dhe shkrimtar?
Nuk e di. Kam filluar që në shkollë të mesme të shkruaj poezi dhe kur mbarova maturën botova librin e parë, një fletore vjershash pa vlera universale por që janë të rëndësishme në itenerarin tim.
Kush të ka ndikuar apo mbështetur në këtë rrugë?
Mendoj se gjërat kanë ardhur gradualisht. Isha një konviktor në Tiranë dhe nuk është se isha pjesë e elitës. Familja ime qe në Tropojë dhe nuk ka tradita në këtë fushë. Nuk di kujt t’i jem mirënjohës për këtë gjë. Fillova të botoj vjersha në gazetën “Zëri i Rinisë” që kur isha në vit të dytë të shkollës së mesme. Gjatë pushimeve verore kur isha në vit të tretë, me makinën e shkrimit të babait tim që punonte në bankë, i shkruajta vjershat dhe i çova në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Më vinte turp të pohoja që i kisha bërë vetë ndaj u thashë se i kishte shkruar një shok. Ato ndoqën një rrugë botimi krejtësisht jashtë çdo ndikimi. Më pas, poetë si Xhevahir Spahiu apo Spiro Dede më kanë pritur me ngrohtësi, por një ngrohtësi që i jepej një studenti nga provinca dhe asgjë më tepër se kaq.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën konviktore?
Nuk mund ta përcaktoj por kam jetuar shtatë vjet në konvikt. Gjithsesi, jeta konviktore nuk ishte aspak komode në atë kohë.
Sa i takon krijimtarisë, si mendon, poezitë më të bukura shkruhen në momente vuajtjeje apo gëzimi?
Poezitë më të bukura historikisht janë ato të dashurisë. Poezitë zakonisht shkruhen në mungesë të dashurisë dhe jo nga tepërimi i saj. Dostojevski thotë “më jepni një dhimbje, t’u kthej një kryevepër”. Dhimbja prodhon kryevepra.
A rrezikon letërsia një vdekje në ditët tona?
Është një debat që për mendimin tim nuk ka baza reale. Jam i bindur se letërsia nuk rrezikon të vdesë. Po të kemi parasysh shek. XIX kur romani ka ekspansionin e vet të madh, autorë si Balzaku apo Tolstoi kishin vepra që shtypeshin në 2 mijë kopje. Sot një bestseller shkon në 2 milionë kopje. Tirazhi i librave është rritur dhe jam i bindur se zhvillimi i informatikës dhe rritja e internetit nuk rrezikon ta vrasë letërsinë dhe rritjen e saj.
Çfarë ndjesie ke ndaj personazheve që vet i krijon dhe fateve të tyre. Ke arritur ndonjëherë t’i dashurosh, apo t’i urresh ato?
E mbaj një distancë të caktuar. Përpiqem ta ndërtoj sa më të besueshëm fatin e personazhit por as nuk e kam inat dhe as nuk e kam qejf. Është një anekdodë e famshme për Tolstoin, i cili doli në kopësht dhe po qante. I thotë kopshtari:
-Pse po qani shkëlqesi?
-Vdiq Ana Karenina.
-Kush është kjo?
-Personazhi i romanit tim të fundit.
-Pse nuk e shpëtuat?
-Atë fat kishte...
Pra, marrëdhëniet me personazhet janë diçka me të cilën shkrimtari është shumë i familjarizuar por që atij nuk i lejohet as t’i marrë inat dhe as t’i dashurojë.
Personazhi tënd më i realizuar?
Ndoshta mund të jetë Ana B e romanit “Boshi”.
E ke bërë romanin e jetës?
Sigurisht që jo. Jam 50 vjeç dhe shpresoj se më mbeten të paktën dhe 20 vjet jetë për të shkruar.
Mjaft shkrimtarë, në vetvete janë njerëz kundër teknologjisë, po Besniku?
Nuk jam kundër teknologjisë por më pëlqen të shkruaj me stilograf. Edhe shkrimet për gazetë nuk i bëj as me laps as me stilolaps por vetëm me bojë mbi fletë. Faqja e bardhë e ekranit dhe faqja e bardhë e letrës nuk më krijojnë të njëjtën gjendje shpirtërore. Letra është e ngrohtë me mua ndërsa ekrani më ngjall shumë ankth. Megjithatë, kam marrëdhënie shumë korrekte me teknologjinë ndonëse nuk jam fans i saj.
Si ndikonte shkrimtari te diplomati gjatë kohës kur ishe në postin e ministrit të Jashtëm?
Është një marrëdhënie e ndërlikuar por mendoj se shkrimtari ma ka bërë më të lehtë marrëdhënien me kolegët. Pastaj nuk isha i vetmi ministër i Jashtëm shkrimtar sepse të tillë ishin dhe ministrat e Serbisë, Kinës dhe Rusisë. Kjo e bënte më të afërt dhe bisedën me kolegët. Një aspekt lehtësues i kësaj ishte se nëse ministrat e tjerë të Jashtëm mendoheshin çfarë dhurate të më bënin unë u dhuroja librin tim dhe isha brenda standardeve të dhuratës. Këtë e bëja sepse nuk isha një shkrimtar virtual por një shkrimtar real dhe këtyre ministrave mund t’u dhuroja libra të mitë që ishin përkthyer dhe të botuar në gjuhët e tyre.
Besoj, momenti më i vështirë ka qenë koha e diskutimit të statusit të Kosovës, apo jo?
Nuk ishte më i vështiri por ndoshta më i tendosuri dhe momenti më pasionant i imi. Nëse ka një periudhë kur jam përpjekur të jem një diplomat realist dhe jo diplomat poet ka qenë periudha kur jam marrë me dosjen e Kosovës. Isha me parimin që duhej marrë maksimumi i mundshëm në tërë këtë histori dhe mendoj se nga pikëpamja profesionale, e kam një bilanc pozitiv në kontributin tim për çështjen e Kosovës. Duhen kuptuar dhe duhen ndarë maksimumi i dëshirueshëm me maksimumin e mundshëm pasi në një çështje që negociohet, nëse nuk je me këmbë në tokë nuk merr asgjë. Siç e kam thënë dhe atëherë “Pavarësia mbetet, bishtat bien”. Kjo gjë u arrit dhe Kosova u bë e pavarur.
Ideja e “Shqipërisë së madhe” si ju është dukur?
Nuk ka qenë një koncept i imi ndaj nuk mund të flas për të.
Cili ka qenë momenti më i vështirë në punën tënde si diplomat?
Nuk jam gjendur asnjëherë keq gjatë periudhës kur kam ushtruar funksionet dhe detyrat që kam marrë përsipër.
A mund të bëjmë një rezyme të marrëdhënieve me Berishën, që nga fillimi e deri më sot?
Jam pranuar në PD në të njëjtën ditë me Berishën dhe vazhdoj të jem antar i saj. Në këtë kuptim, nuk kam ndonjë ndryshim sa i takon marrëdhënies me PD-në.
Po me Berishën?
Mesa duket, edhe miqësitë janë si dashuritë, një ditë vdesin...
Sa të tërheq ana mistike e gjërave?
Jam më tepër kartezian nga pikëpamja filozofike dhe më shoqëron më shumë dyshimi, sesa intriga nga e panjohura.
Pra, nuk beson në Zot?
Kjo nuk do të thotë se nuk besoj në Zot pasi edhe Dekarti besonte në Zot. Është një çështje shumë private.
Si kalon një ditë e zakonshme tani, pas largimit nga politika?
Në mëngjes zgjodhem më vonë dhe darkave jam më i lirë. Mbrëmjet për mua janë dy lloje, ose jam nëpër darka me miq ose jam duke punuar. Më shijojnë shumë darkat e gjata mes miqsh. Një pjesë të ditës ma marrin takimet me njerëz të ndryshëm, leximi i shtypit, organizata që kam krijuar dhe pjesëmarrja në konferenca të ndryshme brenda dhe jashtë vendit ku unë shkoj dhe flas.
Duket se nuk mbetet shumë kohë për gruan dhe familjen.
Në përgjithësi, gruaja është e pranishme në jetën time përtej anës profesionale ndërsa djemtë janë rritur dhe kanë jetën e tyre.
Kur u dorëhoqe së fundi, motivimi i vetëm i kërkesës ishte se ndiheshit shumë i lodhur. Çfarë fshihej përtej kësaj?
Fjala “i lodhur” është një fjalë ambivalente në gjuhën shqipe.
Sa i takon politikës, nuk do t’i ktheheni më kurrë asaj?
Fjala “kurrë” i shkon më tepër fanatikëve dhe unë nuk jam i tillë. Prania ime nuk do të mungojë në debatin publik pasi jam shumë i lidhur me këtë vend, ku kam zgjedhur të jetoj. Ndryshe mund të kisha shkuar fare mirë të jetoja dhe punoja jashtë, ku më kanë ofruar edhe që të jap mësim universitete të ndryshme.
Nëse një ditë do të realizohej, të intrigon më shumë posti i kryeministrit apo i presidentit?
Nuk e kam këtë tundim dhe nuk më shkon mua që të bëj politikën “fiction”. Kam dashur të bëhesha ministër i Jashtëm dhe jam bërë.
Pengu më i madh deri më sot?
Është pak herët për të pasur pengje, pasi kam ende kohë për të bërë gjërat që dua.
Ke dashur ndonjëherë të ishe dikush tjetër?
Asnjëherë nuk kam dashur të jem dikush tjetër, por kam dashur të jem më i miri brenda këtij që jam.
1 Gusht 2009