Besnikëria e PS ndaj vijës Soc-kutiste
Litania e PS vijon në eter. Një dalje për kamerat e medieve të zgjat aksionin politik. Për kronikë “politike”, edhe dje doli në konferencën e përditshme për shtyp tellallja e PS: Mimi K, duke u deklaruar të pranishmëve përtej të majtës dhe së djathtës se “Partia Socialiste i qëndron besnike vijës së kauzës së 28 qershorit”. Bukur fort. Mirëpo cili është lajmi? Apo u mblodhën gatitu dhe në fund u lodhën, sepse Edi Rama të lodh. Play back, kthim prapa: “duam kutitë, duam Dullën”. Sikurse është i qartë profili shiatik i opozitës, ashtu vjen edhe deduksioni logjik se “partia i qëndron me çdo kusht e në çdo rast besnike Edi Ramës”, si shëmbëlltyrë perfekte e një mini-diktature post-moderniste.
Assesi nuk kishte pse të mungonte rituali i “hapjes se kutive” dhe Mimi K. këtë punë e bën me një lehtësi që të shtie frikën. Do të ishte absolutisht diçka e re që brenda PS të kishte ndonjë qëndrim tjetër përveçse qëndrimeve që dalin nga tezat revolucionare të besnikërisë. Dhe më tej mund të shtojmë se fjalën “E Re” në parti e ka monopol Egoarku Rama, i cili i de-jon-izon ata që mendojnë ndryshe.
Veçse s’mund të shtyhet në fakt shumë gjatë me narkotizimin e demokracisë, veç se I Papërshtatshmi i politikës nuk kupton se kutitë nuk hapen, sepse kushtetuta e Shqipërisë nuk është si statuti i PS.
Por strategjia politike e Edi Ramës ka lidhje me presionin infantil që kërkohet t’i bëhet kryeministrit Berisha për të thyer parimet demokratike. Gjithçka nga ajo konferencë kishte për qëllim artikulimin e fjalës së fundit, asaj që mbahet mend: “Mjafton që Sali Berishës t’i dalë frika nga hapja e kutive”, u shpreh M. Kodheli.
Ndërkaq e vërtetë është e kundërta. I vetmi që ka frikë në politikën shqiptare është pikërisht shefi i Mimi K. Sepse po të ishte aq burrë, të pranonte humbjen e merituar të 28 qershorit, dhe pastaj të shkonte ku t’i donte qejfi për vakanca; në dashtë në Pezë, Paris, Dubai, Burxh Al Arabi apo për turizëm seksual fillikat në Bangkok. Mirëpo përdorimi i fjalës “frikë” paraqitet si ekzorcizmi personal i shamanit apolitik Edi Rama, njeriut që ka frikë nga dezertimi i ushtrisë së deputetëve pa shtyllë kurrizore, i atyre deputetëve që duket se janë mandatuar të përfaqësojnë një elektorat, dhe jo një dështak 24 karatësh.
Përballë aleancës së shefit të mazhorancës me ligjin e kushtetutën, Rama i refuzon kategorikisht edhe Komisionin e Venecias, edhe Gjykatën Kushtetuese. Ai është i dashuruar me vullnetin “deus ex machina”, pra me një magji nga lart për hapjen e kutive. Po përse nuk pranon Edvini një shpresë nga Komisioni i Venecias se mund të lejohet në të ardhmen hapja e kutive të votimit? Po e rishpjegojmë (siç kemi bërë ne si “55”, dhe të tjerë kolegë qartësisht) se egoarkut Rama i intereson një krizë apo ngërç mbytës, së pari për të mbajtur partinë rreth vetes dhe së dyti që ta mbajë opinionin publik larg vatrës së vërtetë të infeksionit, humbjes së tij me 28 qershor. Tmerri më i madh atij i vjen nga mendimi se deputetët, sapo të bëjnë betimin në parlament, do nisin t’i kërkojnë llogari siç duhet; me fjalë apo me vepra, hesape dhe xhevape për humbjen e 28 qershorit. Nëse PD apo qeveria bie në kurthin e kutive do të kemi një precedent të dëmshme për demokracinë, i jepet leje kontestimit të rezultatit zgjedhor çdo faktori destabilizuar. Sepse propozimi i socialistëve synon të krijojë një sindromë në sistem (jo vetëm në këtë rast), kësisoj me precedentë të rinj ku humbësit final i lejohet madje shpërblehet si prurës i parë i pengmarrjes së vendit. Këtë nuk e themi ne, por raportet e vëzhguesve kombëtarë (komisionerët socialistë: plot 20 mijë, me firmë) dhe ndërkombëtarë të OSBE-ODIHR.