Kapitullimi pa kushte i PS bën të bien kambanat e pabesueshmërisë në lidershipn e majtë
E pati edhe kjo mesele banale. Edi Rama zyrtarisht lejon futjen e grupit të 63 deputetëve në parlament. Kurrsesi nuk mjafton konferenca e tij për shtyp, sepse me ç’kauze ai mbetet përsëri kryetar partie një perëndi e di. Ai sot nuk ka më as edhe një kauze të vetme me të cilën të dalë në publik, përveç faktit që ruajti karrigen.
Sot Partia Socialiste hyn në parlament për të dalë prapë, mjafton sa për të bërë betimin e deputetëve - vendimi i opozitës. Kërcënimi i ri-bojkotimit qëndron përsëri, por kësaj radhe zbehet deri në grotesk, madje tejkalon qesharaken pa kufi. Gjithashtu deputetët e ngelur në tentativë e që si kurrë më parë në karrierën e shkurtër të tyre në hije janë të dënuar të përcjellin poshtë në gropën e stomakut edhe më hidhur dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur, veçse të paktën të kenë një hyrje të ardhurash për gjashtë muaj të tjerë. Kuptohet përveç të ardhurave që vijnë nga fonde të zeza leje pallatesh apo licencash bashkiake. Operacioni i de-personalizimit të PS përfundoi me sukses të gjithanshëm. Kështu që duke thyer bojkotin e kushtëzuar pothuajse 6-mujor, opozita nuk kushtëzoi vetëm veten e saj. Por ka diçka. Kredibiliteti i krye-socialistit Rama brenda partisë të vet është në minimumet historike që mund të ketë një parti opozitare në çdo vend të botës. Sidomos kur gjithçka vjen vetiu pasi bojkoti nuk nxori atë që kërkonte, një shpërblim apo të paktën një kurban të LMN në suazat e PS. Afërmendsh humb dy herë besueshmërinë në opinionin publik; po ashtu militantët, më të zellshmit e Partisë Socialiste dolën më duar thatë, kapitullimi pa kushte i bojkotit tregoi se ishte nevoja për profilin e ulët, tepër të ulët politik. Kurse bojkot Edvin Kristaq Rama ka fituar vetëm fronin e PS, të cilin e humbi pasi zhgënjeu në përformancën për zgjedhjet e 28 qershorit 2009.
Mirëpo nëse bën një kalkulim të thjeshtë mbetesh gojëhapur. Mbledhja në një front e 6 muajve bojkot solli barazimin me kotin, asgjënë, me asgjë prej gjëje, veç alienimit të strukturave të PS, me një fraksion kundër, por me një Tak e një Nard pa elektorat “pro”. Nuk i doli edhe përjashtimi me sukses i krye-gjembaçit Ben Blushi nga zemra e
pushtetit mediokratik të Edvinit. “Do të ishte qesharak fakti që Partia Socialiste të hynte dhe të dilte nga parlamenti” - është shprehur politikani i karrierës Blushi. Ai tashmë i ka të gjitha kartat morale për të marrë kryesimin e Partisë Socialistë. Nuk është profet, por parashikimi i tij u plotësua sepse kështu është demokracia. Gjithsesi deduksioni është i qartë: 6 muaj zhurmë e shumë zhurmë për dy gjëra që mund të ishin zgjidhur që në krye të herës. Me 26 javë janë konsumuar disa gjëra: së pari Edi Rama u rikonfirmua në krye të PS pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare; së dyti u arrit largimi nga kursi i opozicionit të dobët, duke sajuar kauzën e kutive me bojkot të parlamentit; së treti duke e larguar publikun nga gjykimi i sjelljes totalitariste të PS me gjetjen e tradhtarëve tek LMN; së katërti pas tre fitoresh lokale vjen edhe humbja e parë, thyerja e bojkotit me mosshpërblimin e qëndrimit anti-institucional.
Demokracia-Edi Rama 1-0. Stadiumi hesht. Veliaj qan me dënesë. Spartak Ngjela i jep një shami pionieri. Nard Ndoka këndon një Te Deum, ndërsa Gjinushi ri-kreh vetullat.