Besson: Shqipëria vend i besueshëm për investime
Ministri francez i Energjetikës, Eric Besson inkurajon konsorciumet franceze t’i orientojnë investimet e tyre drejt një ekonomie të stabilizuar, si ajo e Shqipërisë
Në vijim të vizitës që zhvilloi dje në Paris, kryeministri Sali Berisha u takua me ministrin francez të Energjetikës dhe Industrisë, Eric Besson. Berisha e falenderoi në mënyrë të veçantë Besson për kontributin e tij të madh në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, në funksionin e tij të mëparshëm si Ministër i Integrimit.
Gjatë takimit, kryeministri Berisha bëri një ekspoze të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të reformave të zbatuara nga qeveria shqiptare, duke theksuar se qeveria ka një program ambicioz investimesh në fusha të rëndësishme për zhvillimin e vendit, si infrastrukturë, bujqësi turizëm, shëndetësi, arsim, etj.
Kryeministri e njohu Ministrin francez të Energjetikës me potencialet e jashtëzakonshme që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, duke u ndalur veçanërisht në fushën e energjisë së rinovueshme. Përmes këtij takimi, Kryeministri ftoi investitorët francezë të investojnë në këtë sektor, por edhe në infrastrukturë e turizëm, duke garantuar mbështetjen maksimale të qeverisë shqiptare dhe të gjitha institucioneve, për investime të suksesshme në Shqipëri.
Nga ana e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë Besson, duke shprehur kënaqësinë që priste në takim kryeministrin shqiptar, e vlerësoi këtë takim shumë të rëndësishëm për forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në mënyrë të veçantë në sektorin e energjisë. Ministri francez Besson u shpreh i impresionuar për zhvillimet ekonomike në Shqipëri dhe rritjen ekonomike të saj në këtë periudhe krize, duke shprehur besimin se investitorët francezë do të gjejnë në këtë vend mundësi të rëndësishme për investime.
Në këtë kuadër, ai e ftoi Kryeministrin Berisha si të ftuar nderi ne Simpoziumin Economik me teme “Bota e Re” qe zhvillohet me iniciative te Presidentit Sarkozy, në 5 janar 2012 dhe ku marrin pjesë personalitete te larta dhe vendimmarrës te botes politike dhe ekonomike, ftese te cilën Kryeministri e pranoi me kënaqësi.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha e ftoi Ministrin francez Besson të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ai e pranoi, duke premtuar se do të vijë së bashku me një delegacion të biznesit francez.