E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Opozita bllokoi statusin e vendit kandidat në BE”

10-12-2011 / Gazeta 55

Kryeministri flet Televizionin Publik Shqiptar, pas punimeve të kongresit të 20 të Partisë Popullore Evropiane

“Ky samit ishte i rëndësishëm për momentin e vështirë që po kalon euro dhe sistemi monetar evropian”

Pas samitit Partisë Popullore Evropiane, kryeministri Sali Berisha duke iu përgjigj interesit të medias rreth zhvillimeve kryesore në Kongresin e Popullorëve Evropianë si dhe situatës politike në Shqipëri, ku vend të veçantë i kushtoi reformave dhe ligjeve të kërkuara nga Brukseli. Për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, Berisha tha se qeveria i ka përmbushur detyrimet e saj, por statusi është vonuar nga bojkoti dhe bllokimi i reformave nga opozita. Sipas kryeministrit, opozita shënoi një moment kthese, por nëse ky qëndrim do vazhdojë në të ardhmen, është një çështje e vetë opozitës dhe liderit të saj

Në mbyllje të punimeve të Kongresit të 20 dhe Samitit të Partive Popullore Evropiane, i cili u zhvillua në Marsejë, Kryeministri Berisha dha një intervistë për Televizionin Publik Shqiptar (TVSH) gjatë së cilës, bëri një ekspoze të diskutimeve të zhvilluara dhe konkluzioneve të arritura gjatë këtyre punimeve. Kryeministri vlerësoi se ky Kongres ishte shumë i rëndësishëm për vetë momentet e jashtëzakonshme që po kalon euro dhe sistemi monetar evropian. Kryeministri bëri të ditur se gjatë Samitit të PPE-ve ku merrnin pjesë personalitete të njohura të politikës evropiane, kryetarë shtetesh e qeverish si dhe liderë të opozitës së vendeve të BE-së dhe atyre jashtë BE-së, pati rastin të bisedonte me Kancelaren gjermane Merkel, me Presidentin francez Sarkozy, Kryeministrin francez Fillon, Kryeministrin e Polonisë dhe një sërë personalitetesh të tjera, të cilët kryeministri i njohu me zhvillimet kryesore në Shqipëri dhe ecurinë e reformave të ndërmarra nga qeveria në të gjitha fushat. Gjatë këtyre takimeve, kryeministri theksoi se përparësi madhore e qeverisë shqiptare mbetet realizimi i projektit të integrimit të vendit në BE. Kryeministri Berisha vijoi vizitën e tij në Paris, ku u takua me kryeministrin francez, Francois Fillon. Gjithashtu kryeministri u prit në një takim nga ministri francez për Energjetikën, Eric Besson, si dhe vizitoi ekspozitën “Faqet e arta të fotografisë shqiptare”, e çelur në Paris, në Shtëpinë Evropiane të Fotografisë.

Cilat çështje ishin në fokus të punimeve të PPE?
Siç doli qartë, ky Kongres ishte i një rëndësie të jashtëzakonshme për vetë momentet e jashtëzakonshme që kalon euro dhe BE së bashku me sistemin e tij monetar. Në Samit u diskutua gjerësisht mbi vendimet që u vlerësuan si shpëtimtare që duhet të merren sot pasdite dhe nesër në Bruksel nga liderët  e BE, shumica dërrmuese e të cilëve, 17 prej të cilëve i përkasin familjes së Partisë Popullore Evropiane. U diskutuan të gjitha aspektet, ndërhyrjet afatshkurtra dhe afatgjatë që duhet të bëhen për të vendosur besueshmërinë në sistemin monetar evropian dhe për të çuar përpara këtë projekt, siç do të thoshte presidenti francez Sarkozi, projekti më i mrekullueshëm që njeriu dhe njerëzimi kanë hartuar në të gjitha kohërat. Natyrisht, në këtë Samit dhe në Kongres unë shfrytëzova rastin për të paraqitur me lider të vendeve anëtarë të BE-së, për ti njohur shkurtimisht me zhvillimet në Shqipëri, me punën e madhe, serioze që bën qeveria shqiptare me projektin integrimit të vendit në BE, si dhe me reformat që po ndërmerren në të gjitha fushat. Gjatë Samitit unë bisedova shkurtimisht me Kancelaren gjermane Merkel, me Presidentin francez Sarkozy, me  Kryeministrin e Francës Fillon, me të cilin do të zhvilloj një takim të veçantë, me kryeministrin e Polonisë, i cili kryeson BE, me Kryeministrin e Suedisë, me kryeministrin e Finlandës, me Kryeministrin e Rumanisë, me Kryeministrin e Maltës, me Presidentin e Partisë Popullore Evropiane Ëilfred Martens, me Presidentin e grupit të PPE-ve në PE, Jozef Daul, me Presidentin e Komisionit Evropian Barroso, me zotin Antonis Samaras, liderin e opozitës greke, me kryeministrin e Portugalisë Coelho dhe kryeministrin e ri të Spanjës, të cilit pata rastin ta uroj për fitoren e shkëlqyer. Pra, ishte një rast për shkëmbim pikëpamjesh mbi zhvillimet në Shqipëri dhe mbi arritjet që Shqipëria ka shënuar dhe shënon në zbatimin e atyre parimeve që janë të përbashkëta për partitë e qendrës së djathtë.

Mendoni se konsensusi i forcave politike për disa ligje dhe reforma siç është ajo zgjedhore do e përshpejtojë procesin integrues dhe marrjen e statusit?
Natyrisht pengesa mekanike  e vendosur nga kreu i opozitës, siç ua thashë dhe në kongres dje, vetëm e vetëm për qëllime të mirëfillta politike për të penguar qeverinë, tani nuk ekziston dhe unë në të gjitha takimet e mija informova bashkëbiseduesit se opozita po bën punën e saj normale në Parlament. Por, se si do të vazhdojë qëndrimi i opozitës kjo është një çështje e saj dhe jo e imja.

Në shumë arritje të realizuara siç është anëtarësimi në NATO, ju jeni shprehur se janë arritje të bazuara ne meritën. Mendoni se për statusin qeveria i ka përmbushur të gjitha angazhimet dhe se e gjithë përgjegjësia apo faji është i opozitës?
Problemi qëndron se përse nuk është dhënë statusi. Statusi nuk është dhënë, dhe kjo është bërë e qartë edhe në deklaratën e ministrave të jashtëm, vetëm për shkak të bojkotit që bllokoi reformat, por as qeveria shqiptare dhe as ndonjë qeveri tjetër nuk mund të jetë kurrë e përsosur në ato që ka bërë. E vërteta është se qeveria shqiptare në një sërë fushash ka rezultate më të mira se shumë qeveri të tjera dhe këto janë evidente. Reformat e qeverisë shqiptare në fushën ekonomike janë ndër më rezultativet. Reforma në fusha të tjera janë evidente. Sigurisht që ka shumë për të bërë, por sot Shqipëria është një nga vendet më të sigurta në Evropë, pra është bërë shumë e qartë se shkaku i mosdhënies së statusit ishte mos votimi i ligjeve në parlament nga opozita shqiptare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›