Miratohet rezoluta Shqipëri-BE, afrohet perspektiva për marrjen e shpejtë të statusit
Takimi i 4-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit, Shqipëri-BE ka përfunduar me miratimin e një deklarate të përbashkët, ku deputetët e të dy krahëve politikë janë angazhuar për miratimin e shpejtë të ligjeve me shumicë të cilësuar. Eurodeputetët paralajmëruan opozitën të mos ndryshojë qëndrim, pasi kështu do t’i hiqte vendit një mundësi tjetër për marrjen e statusit të kandidatit
Politikanë shqiptarë dhe ata të BE-së u vunë dje përballë njëri – tjetrit për sfidën e integrimit Evropian të Shqipërisë. Takimi i 4-ët i Komitetit Parlamentar të Stabilizim – Asociimit, BE – Shqipëri konkludoi dje me miratimin e një rezolutë të përbashkët me 6 rekomandime, e cila mori mbështetjen e të gjithë faktorit politik shqiptar, që shpreh mbështetjen për aspiratën e integrimit Evropian.
Kreu i delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, Eduard Kukan, theksoi në mbyllje të takimit se “dialogu dhe konsensusi për integrimin janë prioritet dhe duhet të punojmë dhe në të ardhmen që të arrihet më shumë konsensus”.
Sipas tij, arritja e konsensusit për miratimin e një marrëveshjeje mes Shqipërisë dhe BE-së, është e rëndësishme dhe konfirmim i trendit pozitiv të politikës shqiptare, pasi më parë kishin dështuar 3 nisma për miratimin e një rezolute.
“Miratimi i kësaj marrëveshjeje është mjaft i rëndësishëm sepse kemi dështuar për ta miratuar në 3 tentativa, ndërsa e 4-ta rezultoi e suksesshme, që është një tjetër konfirmim i trendit pozitiv politik të Shqipërisë. Takimi kishte një vullnet të qartë për të miratuar diçka që do të shprehë pozicionin për një vullnet të përbashkët. Tani mendoj se do të jetë e nevojshme të vazhdojmë këtë lloj pune. Mendoj se më e rëndësishmja për vlerësimin e progresit të Shqipërisë është që parlamenti të përqendrohet në axhendën evropiane dhe të miratojë masat e nevojshme për ta çuar përpara Shqipërinë”, u shpreh kreu i delegacionit për Europën juglindore në Parlamentin Evropian, Eduard Kukan.
Ai kujtoi se vetë kushtet dhe rrethanat bëjnë që të mos kemi luksin të humbasim më tepër kohë.
“Populli shqiptar meriton një pozitë më të mirë në BE. Mendoj se liderët politikë shqiptarë kanë filluar të sillen si të tillë dhe do të vijojnë kështu. Ky takim erdhi në një kohë kur sinjale pozitive po vijnë nga Tirana, sinjale që dy partitë politike kryesore gjetën mundësinë për të punuar së bashku në parlament, për të formuar dy komitete për dy çështje të rëndësishme për të ardhmen e saj. Ka një vullnet të mirë politik për këtë qëllim”, tha Kukan.
Ai theksoi se nisja e dialogut politik me reformën zgjedhore, duhet të bëjë të mundur që ligji i ri elektoral të jetë gati përpara zgjedhjeve, si dhe të respektohen rekomandimet e OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.
“Jam i sigurt që kjo do të ndodhë sepse tani Komiteti është mbledhur dhe atmosfera e punimeve të tij ishte pozitive”.
Gjithashtu rëndësi, sipas Kukan, ka edhe konsensusi për ligjet parlamentare që kërkojnë votimin me 3/5.
“Është e nevojshëm të miratohet reforma në parlament në përputhje me legjislacionin e Parlamentit Evropian. Kemi theksuar se i mirëpresim këto ndryshime pozitive dhe kërkojmë që këto ndryshime të jenë permanente, të ketë rezultate konkrete dhe ky të jetë një trend i qëndrueshëm në Shqipëri”.
Takimi i ardhshëm do të zhvillohet pas 6 muajsh, kohë kjo që sipas Eduard Kukan, duhet të shërbejë për avancimin e reformave dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Grupi i europarlamentarëve në takim përbëhej nga Eduard Kukan (Kryetar i EPP Sllovaki), Viktor Boshtinaru (nënkryetar SD Rumani), Antonio Caancia (EPP Itali), Tanja Fajon (SD Slloveni), Stanimir Ilchev (ALDE Bullgari) dhe Michail Tremopoulos (EFA Greqi). Nga pala shqiptare morën pjesë ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, kryetari i komisionit parlamentar për politikën e Jashtme, Fatos Beja, anëtari i komisionit të Ekonomisë dhe Financave Florjon Mima si dhe deputetja e Partisë Socialiste, Valentina Leskaj. Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE-së hyri në fuqi më 1 prill 2009, pas ratifikimit të saj nga 25 vendet anëtare te BE-së, të cilat ishin pjesë e komunitetit në momentin e nënshkrimit të MSA-së, si dhe miratimin e saj nga Parlamenti shqiptar.
Procesi i ratifikimit u krye në më pak se 3 vjet dhe u finalizua me ratifikimin e marrëveshjes nga parlamenti grek në 15 janar 2009, duke i hapur kështu rrugën Shqipërisë drejt aplikimit në BE për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ndërkohë në pritje të përfundimit të procesit të ratifikimit të MSA-së, me procedura të përshpejtuara hyri në fuqi më 1 dhjetori 2006, Marrëveshja e Përkohshme, e cila lidhet vetëm me provizionet tregtare.
Kuadri i përgjithshëm i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit përbëhet nga katër shtylla: dialogu politik dhe bashkëpunimi rajonal, dispozitat tregtare lidhur me liberalizimin progresiv të këmbimeve deri në vendosjen e një zone tregtie të lirë midis palëve, liritë komunitare, dhe së fundi bashkëpunimi në fushat prioritare sidomos në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme.