E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja e artit kundër politikës

Qoftë kur e mbështjellin Reichstagun, sikurse Christo, apo kur protestojnë në kishë, sikurse Pussy Riots, artistët shpeshherë e shfrytëzojnë skenën publike për kritika drejtuar politikës. Madje, grupi i artistëve rusë, Voina, ka sulmuar edhe vetë Qeverinë e Rusisë.

“Wanted”, është mbishkrimi i përbërë nga gjashtë shkronja që qëndron nën portretin e një gruaje me flokë të lëshuara mbi ballë. Sytë e saj janë të lodhur, e të pikëlluar. Është kjo Natalya Sokol, një aktiviste ruse që tash e dy vite ndodhet në burg. Është dënuar me 10 vjet burgim. Para gjykatës ruse është sjellë për shkak të posedimit të drogës, megjithëse miqtë e saj janë të sigurt se arsyeja e vërtetë e burgosjes së saj është kritikimi i Kremlinit.

"Heroinën ia montuan, sepse ajo s’kishte lidhje me drogë”, thotë Yana Sarna, e cila është pjesë e grupit të artistëve Voina. Sokol ishte bashkëthemeluese e grupit, të themeluar më 2005. Që nga atëherë, me artin e tyre provokues anëtarët e Voina’s sulmojnë aparatin shtetëror të Rusisë. Për këtë shkak ata shpesh përndiqen si kriminelë.

Voina i mbështetë edhe të burgosurit politikë. Momentalisht, grupi po udhëton nëpër botë, dhe po vendos fletarrestime gjigante. Një prej këtyre pllakateve, me fotografinë e Sokol, e kanë vendosur edhe në kullën 132 metra të lartë të Kishës Michel, që është njëlloj imazhi i Hamburgut.

Përmes aksionit "Voina Wanted" dëshirojnë të sensibilizojnë opinionin për rastet e të burgosurve politikë. Yana Sarna është një prej këtyre aktivistëve. "Duke i publikuar këto raste, ne iu ndihmojmë të burgosurve”, thotë ajo. Sipas saj, këtë më së mirë e dëshmoi procesi kundër punk-grupit Pussy Riots.

"Pa një publicitet të madh medial, dënimi i tyre sigurisht që do të ishte më i ashpër”.

Punkeret kundër Putinit

Artistët gjithnjë e më shpesh po shfrytëzojnë opinionin për prezantimin e temave të tyre. Nuk ka një kufi të qartë mes artit dhe aktivizmit.

"Viteve të fundit Streetart’i ka tërhequr një vëmendje të madhe”, thotë Anna-Lena Wenzel, ligjëruese në Fakultetin e Arteve Aplikative në Hamburg.

Ajo studion zhvillimin e shprehjes artistike, në kuadër të projektit “Intervenimet Urbane”. Termi intervenim për herë të parë është përdorur në art në fillimvitet e 90’a, nga grupi i artistëve Wochenklausur.

"Arti po i braktis galeritë dhe po shfaqet në hapësira publike”, sqaron Wenzel.

Nga ana tjetër, paleta e motivimeve dhe ambicieve është goxha e gjerë, ndërkohë që as për efektin artistik të intervenimeve nuk mund të flitet paushall.

Interneti është galeri e tyre

"Ne dëshirojmë t’i inkurajojmë edhe artistët e tjerë për t’u angazhuar në aksionet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe në mbështetjen e të burgosurve politikë”, pohon Aleksey Plutser-Sarno, nismëtare e aksionit "Voina Wanted". Të gjitha aksionet e grupit janë dokumentuar nëpërmjet video-xhirimeve dhe fotografive, që mund të shihen në internet.

"Interneti është galeria jonë”, sqaron Sarno. E ajo qartazi ka shumë vizitorë. Nuk ndodh rrallë që në blogun e ndonjë aktivisti të klikojnë një milionë njerëz, dhe aksionet e Voina’s të komentohen nga mijëra të tjerë. Sipas Sarno, deri tani të gjitha komentet ishin pozitive, dhe mbështetëse ndaj aksioneve të grupit. Për artistët e Voina’s ky është një sinjal i qartë se diçka, megjithatë, po ndryshon në shoqërinë ruse.

Në atdheun e tyre ata s’mund të realizojnë intervenime aq të relaksuar si në Hamburg. Në metropolin gjerman askujt nuk i pengojnë aktivistët liridashës, të cilët në pikë të ditës varin një pllakat në pirgun e Kishës. Por, në Rusi, anëtarët e Voina’s shpesh detyrohen që aksionet e tyre t’i realizojnë natën.

Kështu ndodhi edhe më 14 qershor 2010.

Grupi pikturoi një falus gjigant mbi urën hekurudhore Liteiny, në Sankt Petersburg.

"I kishim vetëm 23 sekonda për ta bërë këtë gjë”, tregon Sarno.

Sapo artistët e nisën aksionin e tyre, të “armatosur” me kanistra me ngjyrë, drejt tyre menjëherë vrapuan pjesëtarët e forcave të sigurimit. Po, u vonuan. Mbi urë gdhiu një falus i gjatë 65 metra, i drejtuar nga ndërtesa e shërbimit sekret rus, selia e të cilit ndodhet përballë urës. Mesazhi ishte i qartë: "Fuck you".

"Gjatë aksionit njëri nga ne u kap nga policia, dhe u fut në burg”, tregon Sarno.

Prindërit e saj brengosen për të, edhe pse kanë mirëkuptim për angazhimin e vajzës së tyre. Ajo vetë nuk frikohet. Aleksej Plutser-Sarno pohon se në Rusi frika e njerëzve është problemi më i madh. Falë kësaj frike, regjimi ka fuqi të madhe mbi njerëzit, përfundon ajo.

DW

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›