Beteja e humbur e qeverisë për të zëvendësuar anëtarët e KLD-së
Laureta Rryçi
Ligji për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka përcaktuar në disa nene rastin kur i mbaron mandati një anëtari dhe zëvendësimin e tij. Pavarësish debateve të krijuara ditët e fundit për zëvendësimin e katër anëtarëve të Këshillit, duket se versioni për të thirrur Konferencën Kombëtare Gjyqësore pa miratuar ligjin me 3/5 në Kuvend rrëzohet. Specialistë të kontaktuar nga gazeta “Albania” shpjegojnë se “ata që kanë hartuar ligjin për funksionimin e KLD-së, kanë përcaktuar procedurën për të rrëzuar të gjitha shkeljet e mundshme në përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Disa nene të këtij ligji sigurojnë kompetenca të plota kreut të KLD-së, Bamir Topi për të rrëzuar të gjitha kandidaturat që mund të vijnë nga Konferenca Gjyqësore, nëse ato do të propozoheshin në këto momente. Ekspertët për çështjet ligjore saktësojnë se zgjidhja e vetme është miratimi në Kuvend i ligjit për “Organizimin e Konferencës Gjyqësore”.
Kolapsi
Aktualisht, sipas afateve, Këshillit të Lartë të Drejtësisë i kanë mbaruar mandatet e katër prej anëtarëve. Të katër anëtarët kanë më shumë se pesë vite që e kanë këtë post dhe në situata normale duhet të ishte thirrur me kohë Konferenca Kombëtare Gjyqësore për t’i zëvendësuar ata. Pasi anëtarët me mandat të mbaruar janë të gjithë të zgjedhur prej trupës së gjyqtarëve. Mirëpo, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e ligjit dhe urdhërimin ndaj Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri, gjithçka duket se është futur në një kolaps. Ky kaos, jo vetëm në radhët e Gjyqësorit, por edhe mes vetë pushteteve për shkak të rëndësisë që ka ligji në fjalë. Duke qenë se sa më shumë kohë kalon, aq më e rëndë bëhet situata, kryetarja e Gjykatës së Lartë mblodhi të gjithë aktorët kryesorë të gjykatave, duke dalë në fund me një deklaratë të përbashkët. Në këtë deklaratë kërkohej vetadministrimi. Ky qëndrim u mbrojt edhe nga qeveria, ku me sa duket është tejet e interesuar të krijojë një frymë të re në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. E gjithë kjo betejë deklaratash për shkak se ky Këshill aktualisht mban timonin e sistemit të Drejtësisë.
Nenet
Të gjithë ata që janë për mbledhjen e Konferencës pa miratimin e ligjit në Kuvend, duket se kanë nisur një betejë të humbur. Ligji për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka përcaktuar qartë se kur i mbaron mandati një anëtari dhe kur bëhet zëvendësimi i tij. Në këto nene përcaktohet se plotësimi i vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë bëhet, sipas rastit, nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendi. Konferenca Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendi mblidhen dhe zgjedhin anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë brenda 45 ditëve nga krijimi i vendit vakant. Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i zgjedhur për plotësimin e vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, qëndron në funksion për një mandat të plotë 5-vjeçar. Pas zgjedhjes së kandidatëve si nga Kuvendi, ashtu dhe nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Këshilli, në mbledhjen e tij më të afërt, zgjedh një komision të përbërë nga tre anëtarë të dalë prej tij, për të verifikuar zgjedhshmërinë, pajtueshmërinë dhe ushtrimin në përputhje me ligjin të detyrës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve duhet të përmbajë provat dhe argumentet ligjore, sipas rastit, për pajtueshmërinë me ligjin të çështjeve të zgjedhshmërisë, të papajtueshmërisë dhe të ushtrimit të rregullt të mandatit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të raportit, Komisioni i Verifikimit të Mandateve i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë propozimet përkatëse. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me ligjin, me vendim të arsyetuar pezullon ushtrimin e mandatit dhe i kërkon, sipas rastit, Konferencës Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendit zhvillimin e zgjedhjeve të reja. Ky fenomen pritet të ndodhë nëse gjyqtarët mbledhin Konferencën Gjyqësore Kombëtare pa u miratuar ligji i ri.
Box
Përcaktimet e ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë
Mbarimi i mandatit
1. Mandati i anëtarit të zgjedhur të Këshillit të Lartë të Drejtësisë mbaron kur:
a) është plotësuar afati 5-vjeçar i qëndrimit në këtë detyrë;
b) jep dorëheqjen;
c) nuk është më gjyqtar, nëse është zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare;
ç) nuk merr pjesë në mbledhjet e këtij Këshilli për një periudhë 6-mujore;
d) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
dh) ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë që është gjyqtar, është marrë masë disiplinore dhe, pas rivotimit të mandatit të tij në Konferencë Gjyqësore Kombëtare, ai nuk fiton shumicën e votave;
e) deklarohet i paaftë për të vepruar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
ë) vërtetohet njëra nga papajtueshmëritë e përcaktuara nga ky ligj.
2. Në rastet e përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b” të pikës 1 të këtij neni, anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarit të ri të tij.
3. Mbarimi i mandatit para afatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Plotësimi i vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë
1. Plotësimi i vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë bëhet, sipas rastit, nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendi.
2. Konferenca Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendi mblidhen dhe zgjedhin anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë brenda 45 ditëve nga krijimi i vendit vakant.
3. Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i zgjedhur për plotësimin e vendit vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, qëndron në funksion për një mandat të plotë 5-vjeçar.
Neni 9
Komisioni i Verifikimit të Mandateve
Në mbledhjen e tij më të afërt, Këshilli i Lartë i Drejtësisë zgjedh një komision të përbërë nga tre anëtarë të dalë prej tij, për të verifikuar zgjedhshmërinë, pajtueshmërinë dhe ushtrimin në përputhje me ligjin të detyrës së anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 10
Raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve
1. Raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve duhet të përmbajë provat dhe argumentet ligjore, sipas rastit, për pajtueshmërinë me ligjin të çështjeve të zgjedhshmërisë, të papajtueshmërisë dhe të ushtrimit të rregullt të mandatit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në përfundim të raportit, Komisioni i Verifikimit të Mandateve i paraqet Këshillit të Lartë të Drejtësisë propozimet përkatëse.
2. Kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë çmon se zgjedhja dhe qëndrimi në detyrë i anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk janë në përputhje me ligjin, me vendim të arsyetuar pezullon ushtrimin e mandatit dhe i kërkon, sipas rastit, Konferencës Gjyqësore Kombëtare ose Kuvendit zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Përse gjithë kjo zhurmë
I gjithë debati për Konferencën Gjyqësore për zëvendësimin e katër anëtarëve të KLD-së nuk bëhet pa pasur një arsye të fortë nga të dyja blloqet. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, falë një dekreti të pak javëve më parë të presidentit, ka marrë përsipër të bëjë një rishpërndarje pothuajse të të gjithë trupës gjyqësore. Kjo pritet të sjellë prishje të shumë lobingjeve brenda gjykatave, të ngritura prej vitesh. Për shkak të këtij dekreti që bëhet pas shumë vitesh, është përcaktuar kompetencë e KLD-së për të bërë transferimet e gjyqtarëve pa pëlqimin e tyre. Për këtë arsye, në këtë moment, të dyja blloqeve do t’u interesonte të kishin sa më tepër vota për të marrë vendimet në fjalë. Ndërsa dy arsyet e tjera mendohet se janë disa dosje që ministri i Drejtësisë ka dërguar për procedime disiplinore ndaj gjyqtarëve, si dhe inspektimi në disa gjykata të vendit për disa çështje.
Anashkalimi i Kuvendit nga Topalli
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, vendos të anashkalojë institucionin që ajo drejton në lidhje më ligjin për Konferencës Kombëtare Gjyqësore. Pas debateve të ditëve të fundit, Topalli ka dalë në një deklaratë për shtyp për mediat, duke shprehur qëndrimin e saj se është pro gjyqtarëve për të vënë në funksionim këtë konferencë me vetërregullim. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Sot, një pjesë e organeve të medias kanë informuar rreth debateve të fundit brenda Gjyqësorit lidhur me nevojën për rizgjedhjen e përfaqësuesve të rinj të Konferencës Kombëtare të Gjyqësorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Lidhur me këtë shqetësim të Gjyqësorit shqiptar, kryetarja e Kuvendit kërkoi informacion nga të zgjedhurit e Kuvendit në KLD”, - thuhet në deklaratën e bërë publike në faqen zyrtare të Kuvendit.
16 Nentor 2009