Zgjedhjet në PD, Demokratët diskutojnë fletën e votimit, 3 opsione për Berishën kryetar
Ballhysa
Komisioni për Organizimin e Zgjedhjeve të 12 dhjetorit në Partinë Demokratike ka filluar diskutimin për hartimin e fletës së votimit për zgjedhjen e kryetarit të Partisë dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Burimet nga PD-ja kanë bërë të ditur se do të jenë dy fletë votimi, njëra për kryetarin dhe tjetra për zgjedhjen e 100 anëtarëve të Këshillit Kombëtarë, të cilët do të propozohen nga Kryesia Qendrore e partisë. Deri tani, i vetmi kandidat për postin e kryetarit të Partisë Demokratike është kryetari aktual Sali Berisha. Burimet nga PD-ja shprehen të bindur se nuk do të ketë kandidat tjetër për këtë post që mund të marrë “guximin” të garojë përballë Berishës. Por, në fletën e votimit, anëtarët e komisionit kanë menduar që të parashikojnë tri opsione për delegatët e Kuvendit Kombëtar. Meqenëse është vetëm një kandidat për postin e kryetarit, për t’u dhënë më shumë mundësi zgjedhjeje delegatëve të Kuvendit Kombëtar, është menduar që fletën e votimit, përveç opsionit pro dhe kundër, të përfshihet dhe opsioni i abstenimit. Pra, delegatët e PD-së në Kuvendin Kombëtar, që do të zhvillohet më 12 dhjetor, do të kenë tri opsione për të zgjedhur kryetarin e partisë: të votojnë pro Berishës, kundër Berishës apo të abstenojnë. Por ajo që është mëse e sigurt, është se më 12 dhjetor do të shënohet një tjetër fitore e tij e radhës. Ndërkaq, një tjetër grup pune po punon në selinë blu për ndryshimet në Statut.
Grupi
Komisioni për ndryshimet në Statut kryesohet nga sekretari i Përgjithshëm, Ridvan Bode. Deputetët demokratë, Ilir Rusmali, Fatos Beja, Gerti Bogdani dhe Albana Vokshi janë përcaktuar anëtarë të këtij komisioni dhe aktualisht po merren me përshtatjen e Statutit të PD-së me ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor, veçanërisht ndryshimi i sistemit elektoral. Por duket se dilema më e madhe me të cilën do të përballet ky komision është ndarja e posteve qeveritare nga postet partiake. Megjithëse demokratët kohët e fundit janë përfshirë në një debat për ndarjen ose jo të funksioneve partiake nga ato qeveritare, gjasat që kjo të përcaktohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në Statutin e ri janë pothuajse të pakta, për të mos thënë zero. Në zgjedhjet e ardhshme, demokratët do të vendosin me parimin “një anëtar, një votë”, ndërsa për këto zgjedhje mënyra e votimit do të jetë sipas një sistemi të ri zgjedhor. Komisioni për ndryshimet në Statut është duke diskutuar për përcaktimin e sistemit, i cili do të zbulohet vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Për ndryshimet në Statut do të synohet përshtatja e funksionimit dhe organizimit të partisë me sistemin e ri zgjedhor, me qëllim maksimizimin e votës.
Ndryshimet
Ndërkaq, një numër i konsiderueshëm i anëtarëve të Kryesisë së PD-së janë shprehur pro ndarjes së posteve dhe pro parimit “një anëtar, një votë” për zgjedhjen e kryetarit të partisë. Në mbështetje të ndarjes së posteve partiake nga ato ekzekutive janë shprehur Aldo Bumçi, Fatos Beja, Edi Paloka, Aleksandër Biberaj, Omer Stringa e Besnik Mustafaj. Gjatë një prononcimi për mediat, Bumçi ka shpjeguar dje se ka ardhur koha që organizimi i Partisë Demokratike t’i përshtatet faktit që partia është duke qeverisur vendin. “Disa prej ministrave që gëzojnë edhe poste drejtuese në parti, - thotë Bumçi, - duhet të largohen për shkak të impenjimeve të shumta në qeverisje”. “Strukturat të mblidhen, të jetë funksionale, pra duhet të ketë një vëmendje më të madhe në parti, dhe kjo nuk mund të bëhet nëse postet janë në njësuara. Nuk është debati me emra të përveçëm që e ndihmon këtë”, - është shprehur Bumçi.
Vetëm pak ditë më parë, për këtë çështje reagoi anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatos Beja. Në një prononcim për mediat, Beja u shpreh se është e nevojshme që të ndryshojë Statuti i PD-së, duke parashikuar ndarjen e posteve ministrore nga ato të sekretarëve të PD-së. Sipas Bejës, kjo dispozitë e Statutit të PD-së do të shmangë monopolizimin e partisë. Beja mendon se në rast se të njëjtët persona që kanë poste qeveritare do të zgjidhen në krye të sekretariatit të PD-së, atëherë kjo do të sjellë dobësimin e partisë.
16 Nentor 2009