Ish-Presidenti Moisu nis kundërsulmin ndaj deputetëve që e akuzuan për shpifje
Laureta Rryçi
Ish-presidenti Alfred Moisiu vendos të kundërsulmojë deputetët që e kanë kthyer në personazh të padive të bujshme civile. Dy ditë më parë, përfaqësuesi ligjor i Moisiut ka depozituar në Gjykatën e Tiranës padinë civile për shpifje ndaj deputetit socialist Vangjel Tavo. Padia i ka kaluar procedurat e para duke përcaktuar me short elektronik gjyqtarin Albert Meçe për ta gjykuar. Ish-presidenti vendosi ta padiste për shpifje deputetin socialist pak ditë pasi Gjykata e Tiranës ka dalë me një vendim në lidhje me padinë civile të Vangjel Tavos. Ky i fundit, për shkak se nuk është paraqitur në seanca, gjykata ka vendosur ta pushojë padinë e tij për shpifje. Kjo duket se i ka shërbyer ish-presidentit për të bërë një kundërpadi po për të njëjtën vepër penale.
Kundërsulmi
Ish-presidenti Alfred Moisiu ka vendosur t’ia kthejë me të njëjtën monedhë deputetit Vangjel Tavo në lidhje me akuzën e shpifjes. Padia e Moisiut sapo është marrë nga gjyqtari i çështjes dhe ende nuk janë zbardhur detaje se çfarë dëmshpërblimi financiar do të kërkojë ndaj Tavos. Ky i fundit vendosi ta padisë Alfred Moisiun për shpifje pak ditë pas zgjedhjeve që u mbajtën në qershor të këtij viti. Çështja u gjykua nga gjyqtari Martin Deda. Ky i fundit, më 30 tetor, vendosi ta pushojë këtë padi civile. Në vendimin e Gjykatës argumentohet se paditësi Vangjel Tavo, pavarësisht se ka depozitar padinë, nuk është paraqitur në seancat, edhe pse kishte marrë dijeni të plotë. Në vendim thuhet se Tavo nuk kishte paraqitur ndonjë arsye objektive për mungesën e tij. Në këto rrethana, Gjykata është e detyruar ta pushojë çështjen. Kjo situatë ndodh zakonisht në paditë civile.
Paditë
Historia e kalvarit gjyqësor të ish-presidentit Alfred Moisiu nisi vetëm 5 ditë para zgjedhjeve, kur në media u botua një listë me emrat e personave të papërshtatshëm për të qenë pjesë e Parlamentit të ardhshëm. Në listën me disa emra që u përkisnin forcave të ndryshme politike, u përmendën edhe dy deputetët e Partisë Socialiste, Asllan Dogjani dhe Vangjel Tavo, si dhe kandidati i Partisë Socialiste të Vërtetë ‘91, Nazmir Bilani. Që të tre, pas publikimit të kësaj liste, vendosën të padisin për shpifje organizatën dhe drejtuesin e saj, Alfred Mosiun. Në padi thuhej se ish-Presidenti i Republikës i kishte cilësuar si të papërshtatshëm për të qenë pjesë e Parlamentit të ri, sipas një përzgjedhjeje ende të pasqaruar, të bërë nga organizata e quajtur “Koalicioni për parlament të pastër”, drejtuar nga zoti Moisiu. Ata ngritën pretendimin se lista i ka dëmtuar jashtëzakonisht, për më tepër kur kjo listë është publikuar vetëm 5 ditë para zgjedhjeve të 28 qershorit. Tre nga kandidatët për deputetë, dy prej të cilëve kanë arritur të marrin mandatin për në Parlamentin e ri, Dogjani dhe Tavo, kanë akuzuar kreun e organizatës “Koalicioni për parlament të pastër” për shpifje, e cila ka dëmtuar figurën e tyre, për më tepër para zgjedhjeve të 28 qershorit. Për këtë arsye, dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë që përfaqësojnë Partinë Socialiste dhe kandidati për deputet si përfaqësues i PSV ‘91 iu drejtuan Gjykatës së Tiranës.
Objekti i padisë së tretë i Asllan Dogjanit
“Veprimet në kundërshtim me ligjin e kësaj organizate, e përfaqësuar nga Moisiu, më kanë shkaktuar një dëm tepër të rëndë dhe të pariparueshëm. Pavarësisht se unë kam arritur të zgjidhem si deputet në qarkun e Kukësit, dëmi që më është shkaktuar është shumë i madh dhe thelbësor, pasi ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e votimit për këtë qark, i cili do të kishte qenë shumë më i favorshëm”, - shkruante në padinë e tij, deputeti socialist, i cili kërkon nga Gjykata e Tiranës, që ish-presidenti i vendit ta dëmshpërblejë atë për dëmin moral të shkaktuar nëpërmjet shpifjes në masën e 5 milionë lekëve. Kjo padi është ende në gjykim.
Tri paditë ndaj ish-Presidentit Moisiu
Asllan Dogjani padit Alfred Moisiun për shpifje. Çështja është ende për gjykim nga gjyqtari Artan Broci. Është realizuar vetëm seanca e parë. Në këtë seancë, gjyqtari i çështjes tenton të pajtojë palët. Në këtë proces civil, me sa duket, Dogjani nuk ka shfaqur interes për t’u pajtuar me Moisiun dhe për këtë arsye padia ka kaluar në proces normal civil. Në seancën e ardhshme pritet që pala paditëse të depozitojë provat me atë të të cilave argumentohet edhe shpifja që pretendohet.
Vangjel Tavo padit Alfred Moisiun për shpifje. Çështja u gjykua nga gjyqtari Martin Deda. Ky i fundit, më 30 tetor, vendosi të pushojë këtë padi civile. Në vendimin e Gjykatës argumentohet se paditësi Vangjel Tavo, pavarësisht se ka depozitar padinë, nuk është paraqitur në seanca edhe pse kishte marrë dijeni të plotë. Po kështu, po sipas vendimit, thuhet se Tavo nuk kishte paraqitur ndonjë arsye objektive për mungesën e tij. Në këto rrethana, Gjykata është e detyruar të pushojë çështjen. Kjo situatë ndodh zakonisht në paditë civile.
Nazmir Bilani padit Alfred Moisiun për shpifje. Çështja ka mbaruar së gjykuari më 24 tetor të këtij viti. Vendimi u mor nga gjyqtari Arben Micko dhe ky i fundit vendosi të pranojë kërkesën e Bilanit. Sipas vendimit të Gjykatës, kjo padi kalonte në çështje penale themeli me numër akti 1945, datë ardhje 25.06.2009, me të dëmtuar Nazmir Bilanin dhe të akuzuar Alfred Moisiun, akuzuar për veprën penale të "shpifjes" parashikuar nga Neni 120/2 të Kodit Penal.
Të dhënat e padisë së Moisiut, depozituar në Gjykatë të Tiranës
Nr. i Çështjes: 100
Dt. e regjistrimit: 09.11.2009
Paditësit: Alfred Moisiu
Të paditurit: Vangjel Tavo
Lloji i çështjes: Shpifja
Baza ligjore: Neni 120
Objekti: Shpifja
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Albert Meça
16 Nentor 2009