Beteja e joshjes

Në Mitrovicën veriore këtë vit planifikohen të
mbahen dy palë zgjedhje lokale, të organizuara nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e
Serbisë. Institucionet e Kosovës, përmes zgjedhjeve, po ofrojnë krijimin e
komunës së Mitrovicës Veriore. Ndërsa, Beogradi po synon sforcimin e
strukturave paralele. Kjo luftë e dy kryeqyteteve, për joshjen e serbëve, sipas
analistëve mund të shkaktojë një pranverë të nxehtë në veri
Albana
Isufi*
Një nga pikat e strategjisë për integrimin e
veriut, të hartuar nga Qeveria dhe ICO-ja, është mbajtja e zgjedhjeve lokale në
Mitrovicë, si dhe në komunat tjera veriore.
Por çështja, sipas analistëve, komplikohet, pasi që zgjedhjet në veri po i
planifikon edhe Qeveria e Serbisë pothuaj të njëjtën kohë me zgjedhjet
kosovare.
Zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, thotë se presidenti është duke u
konsuluar me udhëheqës të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare, përkitazi
me shpalljen e zgjedhjeve për komunën e re të Mitrovicës.
Presidenti Sejdiu është në konsultime të vazhdueshme me të gjitha
institucionet e Kosovës, me Qeverinë, me MAPL-në, me ICO-në dhe me përfaqësues
ndërkombëtar. Porsa të ketë marrë konfirmimin nga këto institucione, se janë
kryer të gjitha aspektet teknike dhe se gjithçka është gati për shpalljen e
zgjedhjeve, do ta bëjë këtë.
Qasja e institucioneve të Republikës së Kosovës, është që mos të ketë qasje, e
cila do të përkeqësonte gjendjen në atë pjesë të vendit, por të ofrohet një
ofertë serioze dhe e sinqertë, që ata të gjejnë perspektivën e tyre në
integrimin në institucionet e Kosovës, thekson Beqiri.
Por, në anën tjetër, një nga politikanët serbë të pjesës veriore të Kosovës,
Marko Jakshiq, thotë se serbët e këtushëm do të tregojnë patriotizmin e tyre,
nëse nuk dalin në zgjedhjet e organizuara nga Qeveria e Kosovës.
Personalisht, mendoj se serbët në veriun e Kosovës, sikur bashkëkombësit e vet
në pjesët tjera të Kosovës, nuk do të dalin në zgjedhjet e organizuara nga
Qeveria e Hashim Thaçit.
Arsyeja është se këtu ekziston një situatë, një klimë; ekzistojnë rrethana
shumë më ndryshe nga ato në pjesët tjera dhe, njëkohësisht, është shumë më e
madhe lidhshmëria e kësaj pjese të Kosovës me shtetin amë, shprehet
Jakshiq.
Para pak ditësh, Zyra Civile Ndërkombëtare ka themeluar ekipin përgatitor për
krijimin e komunës së Mitrovicës veriore.
Kjo u pa si një sinjal se, pas dhjetë vjetësh jashtë kontrollit të
institucioneve të Kosovës, banorët e kësaj pjese, mbase kanë ndërruar
mendje.
Megjithatë, analisti politik Shkëlzen Maliqi, shpreh mendimin se mbajtja e dy
palë zgjedhjeve, mund ta rrezikojë edhe projektin për themelimin e komunës së
re të Mitrovicës veriore, por edhe të vetë strategjisë për veriun.
Kjo mund ta komplikojë nismën e Qeverisë dhe të ICO-s që të futet rendi në
veri, më në fund. Por, vetë fakti se ata po mbahen gati në të njëjtën kohë,
ndoshta mund të vijë deri te një pikë e përbashkët, që të dy palët të nxjerrin
të njëjtën udhëheqësi legjitime.
Ose, nëse kjo është marrëveshje tash për tash sekrete, por, me gjasë është një
ndërmarrje konkurruese, ku Beogradi do të bëjë një paritet, prapë një strukturë
paralele, ku supozojmë se do të ketë më shumë votues për zgjedhjet e tyre, nëse
ato natyrisht lejohen, që pastaj të thonë se këto organe janë legjitime dhe jo
ata, që i nxjerr Qeveria e Kosovës, thotë Maliqi.
Por, ende pa u mbajtur, institucionet e Kosovës i cilësojnë zgjedhjet serbe të
paligjshme, ndërsa organet që mund të dalin nga to, të papranueshme.
Megjithatë, nuk dihet nëse institucionet do ta pengojnë mbajtjen e tyre, gjë që
nuk ka ndodhur në asnjërën nga zgjedhjet e organizuara nga Serbia në Kosovë.
Zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, thotë se institucionet janë të
vendosura që ta shtrijnë kontrollin në veri, rrjedhimisht, organet paralele do
të jenë të papranueshme.
Sa i përket të ashtuquajturave zgjedhje, që do ti organizojë Republika e
Serbisë në Kosovë, ato janë jolegjitime, dhe si të tilla do të
trajtohen.
Organet që mund të dalin nga ato zgjedhje, janë jolegjitime dhe të
papranueshme për institucionet dhe për popullin Kosovës, thekson Beqiri.
Por, sipas Jakshiqit, Beogradi është i vendosur të mbajë zgjedhje lokale, në
veri kah mesi i këtij viti.
Ajo që është me rëndësi, është fakti se Beogradi është shumë i vendosur lidhur
me zgjedhjet këtu, në krahasim me zgjedhjet në pjesët tjera të Kosovës dhe se
iu dërgon sinjale serbëve se dalja e serbëve në zgjedhje të organizuara nga
pushteti secesionist do të ishte akt tradhtie.
Mendoj se ky është një moment shumë me rëndësi që serbët të mos paraqiten në
këto zgjedhje, thotë Jakshiq për radion Evropa e Lirë.
Duke i pasur parasysh këto qëndrime kontradiktore, analisti Shkëlzen Maliqi
vlerëson se situata në veri edhe mund të përshkallëzohet. Kjo, sipas tij, do të
rrezikonte zbatimin e strategjisë.
Nuk di se çka do të ndodhë. Ka gjasa që vetë serbët atje, forcat radikale, të
provokojnë edhe trazira, edhe forma të presionit dhe mund të ndodhë që kjo punë
të shtyhet për më vonë, sepse, në këto rrethana nuk do të mund të dilet me një
zgjidhje që shkon në favor të projektit të Qeverisë për futjen e veriut në
sistemin kosovar.
Mendoj se kjo është një manovër e Beogradit dhe e radikalëve, që duan të
sigurojnë një obstruksion. Është lojë e rrezikshme. Mund të kemi një pranverë
pak më të nxehtë në veri të Kosovës, vlerëson Maliqi.
Megjithatë, Maliqi mendon që është hera e parë që institucionet vendëse dhe
ndërkombëtare, përmes strategjisë për veriun, u kanë ofruar serbëve të pjesës
veriore, ofertë konkrete dhe serioze, pse duhet të mbështeten në institucionet
kosovare dhe jo ato të Serbisë.
Por, për ti bindur ata, Maliqi konsideron se duhet edhe shumë kohë.