Kur abuzohet me Floridën
E kam ndeshur disa herë në fjalimet dhe në kërkesat e Edi Ramës shembullin e Floridës, si shembull i rinumërimit të votave. "Kutitë u hapën edhe në Florida në vitin 2000”, - thotë pak a shumë zotnia në fjalë, kështu që "pse të mos hapen edhe këtu". Pastaj vijon kërcënimi i tij: "O kutitë, o bëhet kiameti". Meqë kam një dekadë që jetoj në Amerikë dhe meqë e ndjek jetën politike amerikane intensivisht, do të dëshiroja të shprehja dy-tri mendime për shembullin e Floridës, kur ky shtet u bë, si të thuash, thembra e Akilit për përcaktimin e fituesit të garës presidenciale midis ish-zëvendëspresidentit Al Gore dhe ish-guvernatorit të Teksasit George W. Bush, që garonin për postin e Presidentit.
Që në fillim më duhet të them se shembulli në fjalë, më shumë sesa ndihmë pragmatike për ata që e përdorin, vlen si një justifikim humbjeje. E them këtë se vërtet kemi të bëjmë me vota dhe numërim të votave në të dyja rastet, por afërmendsh, gjithkush duhet ta dijë se është shumë qesharake të krahasosh votimet për zgjedhjen e presidentit në një republikë presidenciale siç janë SHBA-të, me votimet për deputetë në Shqipëri, një republikë parlamentare. Është gati-gati paradoksale. Nuk janë e njëjta gjë, as nga pikëpamja konstitucionale, as nga diferencat e jashtëzakonshme që ka një demokraci 230-vjeçare, siç është demokracia amerikane, me demokracinë e brishtë prej dy dekadash të Shqipërisë, ish-vendi më stalinist i Evropës me ish-diktaturën më të egër. Megjithatë, edhe në kushtet e krahasimit të pretenduar, ata që janë djegur nga qulli dhe i fryjnë kosit, në rastin konkret, Edi Rama dhe pasuesit e tij stalinistë të hapjes së kutive, mund të kenë pak durim të mësojnë së çfarë është në të vërtetë shembulli i Floridës, të cilin ata përpiqen ta përdorin si varkë shpëtimi.
Unë e di historinë mirë se kam qenë dhe jam këtu, por edhe ata që nuk kanë qenë, po të tregohen seriozë kur duan ta “përdorin” Amerikën, mund ta mësojnë fare mirë nëpërmjet burimeve serioze. Aty nga ora 7 e 50 minuta të darkës së 7 nëntorit 2000, dhjetë minuta para së të mbylleshin votimet në Florida, disa kanale televizive deklaruan se Al Gore i ka fituar të 25 votat elektorale të Floridës (se çfarë janë votat elektorale në sistemin elektoral amerikan kam ndërmend ta shpjegoj në një artikull tjetër). Ata e bënë këtë prEdikim në bazë të të ashtuquajturave "exit polls". Megjithatë, deri nga ora 10 e darkës, Bush filloi të rriste përqindjet e tij, kështu që pothuajse të gjitha këto kanale televizive e tërhoqën prEdikimin së "Florida po fitohet nga Al Gore” dhe e karakterizuan me termin “undecided", domethënë “e pavendosur”. Nga ora 2 e gjysmë e mëngjesit të së nesërmes, me rreth 85 për qind të votave të numëruara dhe me faktin se Bush vazhdonte të kryesonte ndaj Al Gore me 100 mijë vota, kanalet televizive, duke filluar më FOX NEWS, deklaruan së Bush e fitoi Floridën dhe se rrjedhimisht u zgjodh President. Megjithatë, shumica e votave që mbeteshin për t'u numëruar ishin në tri bastione të demokratëve dhe, konkretisht në Broward, Miami-Dade dhe Palm Beach. Dhe kështu, kur votat e këtyre zonave filluan të raportoheshin, Al Gore filloi të kishte njëfarë epërsie ndaj Bushit. Nga ora 4 e gjysmë e mëngjesit, pasi të gjitha votat ishin numëruar, Al Gore e kishte ngushtuar distancën nga Bushi me nja 2000 vota dhe kanalet televizive e tërhoqën lajmin së Bush kishte fituar Floridën dhe Presidencën. Gore që privatisht e kishte pranuar humbjen ndaj Bushit, e tërhoqi edhe ai pranimin e humbjes. Rezultati ishte kaq i ngushtë, saqë sipas ligjit të Floridës, duhej bërë një rinumërim automatik. Reagimi më i madh post-elektoral ishte ndaj kërkesës së Gorit për të bërë një rinumërim më dorë (joautomatik) në katër zonat (tri që përmenda më lart dhe Volusia) siç edhe parashikohej nga ligji i shtetit të Floridës. Sekretarja e Shtetit të Floridës, Katherine Harris, deklaroi se ajo do të kundërshtonte çdo rishikim total prej këtyre zonave në qoftë se procesi nuk do të përfundonte në afatin ligjor të parashikuar, pra më 14 nëntor. Gjykata e Lartë e Floridës e zgjati këtë afat deri më 26 nëntor, një vendim që më vonë e pushoi së vepruari Gjykata e Lartë e SHBA-së. Pikërisht më 26 nëntor bordi zyrtar i zgjedhjeve në Florida e certifikoi Bushin si fitues me 537 vota më tepër. Al Gore formalisht e kundërshtoi rezultatin e certifikuar, por më vonë vendimi i një gjykate të shtetit të Floridës u prapësua nga Gjykata e Lartë e Shtetit të Floridës, e cila urdhëroi rinumërimin e mbi 70 mijë fletëve të votimit të kundërshtuara më parë nga makinat e numërimit. Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shumë shpejt e pezulloi këtë urdhër. Më 12 dhjetor , ishte pikërisht Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara e cila vendosi (në një votim 5-4) që vendimi i Gjykatës së Lartë të Floridës për të kërkuar një rinumërim në rang shteti të Floridës të fletëve të votimit ishte jokushtetues dhe që ky rinumërim nuk mund të kompletohej përpara afatit ligjor që ishte 12 dhjetori. Kështu që rinumërimi duhej të pushohej dhe të njihej rezultati i certifikuar paraprakisht. Është interesante të vërehet, gjithashtu, së vendimi i Gjykatës së Lartë të SHBA-së ishte i pafirmosur ose i ashtuquajtur "Per curiam", vendimi ishte “i limituar në rrethanat aktuale” dhe se nuk mund të citohej si një precedent.
Kjo është me pak fjalë gjithë historia e Floridës së vitit 2000, prej së cilës duan të nxjerrin dhjamë nga pleshti Edi Rama me pasuesit e tij të verbër. Së paku juridikisht mjafton të mbash parasysh fjalinë e fundit të vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA-së për të kuptuar së Florida nuk mund të shërbejë si precedent as për Amerikën, e jo më për Shqipërinë. Pa folur pastaj se rrethanat ligjore dhe faktike të rastit të zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri janë totalisht të pakrahasueshme me Floridën. T'i marrim një nga një.
Vetë Edi Rama thotë se nuk kërkon rinumërim dhe se nuk kërkon ndryshim të rezultatit, vetëm së është “kurioz” të hapë kutitë. Po për çfarë? Aspekti juridik: Kolegji Zgjedhor Shqiptar i ka cilësuar normale rezultatet. Edhe komisionerët ligjorë që ka deleguar Partia Socialiste në komisionet e votimit i kanë certifikuar si normale rezultatet. Ai vetë, pra Edi Rama, nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ta kundërshtuar rezultatin në sistemin e drejtësisë që ka Shqipëria, përfshi këtu edhe Gjykatën Kushtetuese. Ai vetëm ka bërë disa protesta në rrugë, të cilat, as më shumë e as më pak, megjithëse janë shprehje e lirisë në demokraci, nuk mund të zëvendësojnë strukturat e shtetit ligjor, që janë gjykatat. Këtë të vërtetë ia kanë thënë zotit Rama edhe personalitete të partisë së tij, siç është për shembull deputeti i Kastriot Islami apo ish-ministri i Kulturës dhe një personalitet i shquar i letrave, Moikom Zeqo. Zoti Rama duhet t'i dëgjojë personalitetet me vëmendje dhe të ruhet nga stalinistët që e këshillojnë të përjashtojë ata që nuk i binden. Se ja, po afron mbarimi i afatit ligjor kur deputetët e partisë së Ramës do të duhet të hyjnë në Parlament. Është fare e kuptueshme së edhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk mund ta shkelë Kushtetutën për qejfin e një kryetari partie. Këtë shembull përcjell edhe Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rastin e Floridës. Dhe nuk ka arsye që edhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë të mos bëjë të njëjtën gjë. Zotit Rama nuk i mbetet gjë tjetër veçse të mos e lexojë me syzët e stalinistëve, që ka rrotull tij, shembullin e Floridës. Jo për gjë, se ata nuk dinë as anglisht, siç di, në të vërtetë, zoti Rama.