Rama pyetet për Havzi Nelën në SHBA
Vizita e shumëpritur e Edi Ramës në Amerikë solli rezultate zhgënjyese për të, pasi nuk e priti asnjë zyrtar i lartë e kjo dukej qartazi që ishte si përgjigje ndaj politikës së tij të bojkotit. Ndërkaq, edhe tek e vetmja tryezë e hapur që pati, performanca e Ramës la për të dëshiruar, duke marrë nuanca qesharake. Bëhet fjalë për takimin e hapur ku ishin rreth 30 persona, nga të cilët disa nga Departamenti i Shtetit, ambasada shqiptare, disa nga organizata shqiptare NAAC, ish-ambasadorja Mariza Lino, përfaqësues nga SOROS, e ndonjë tjetër prej atyre që kanë punuar në Shqipëri, si dhe disa të rinj shqiptarë që punojnë në DC. Në fillim foli Dan Server, nënpresidenti i USIP, që drejtoi tryezën e rrumbullakët dhe më pas foli Rama 20 minuta për zgjedhjet, rezultatin, bojkotin, hapjen e kutive etj. Në takim nuk kishte diçka të re nga ato që ka thënë më parë Rama, por në fjalimin e tij ai krijoi konfuzion dhe pështjellim me fraza të tipit: "Njoh zgjedhjet, por jo Parlamentin"; "respektoj vendimin e gjykatës, por duam sërish të hapen kutitë". Këto fraza bënë që pjesëmarrësit të rrudhnin buzët me shprehjen, pasi nuk arritën të kuptonin ç’do të thotë edhe të njohësh rezultatin, edhe të mos jesh në Parlament. Z. Server i kërkoi Mariza Linos të fliste, n.q.s. dëshironte, meqë ka qenë ambasadore, por ajo tha që nuk kishte asnjë koment. Pastaj, iu dha fjala përfaqësuesit të ambasadës shqiptare. Diplomati shqiptar sqaroi shkurt disa fakte kokëforta për zgjedhjet si: zgjedhjet janë vëzhguar nga dhjetëra e qindra vëzhgues të huaj, përfshirë kongresmenin Hastings; zgjedhjet e para në histori ku opozita zgjodhi dhe vendosi për sistemin elektoral që donte; zgjedhjet e para ku procesverbalet janë firmosur nga të gjithë komisionerët e partive, pa asnjë vërejtje (ku opozita ka pasur të angazhuar jo pak, por 20,000 komisionerë, numërues dhe vëzhgues); zgjedhjet e para që KQZ ka shpallur rezultatin unanim 7-0; zgjedhjet e para që çdo votë (rast unikal në botë) është skanuar, regjistruar dhe transmetuar live në ekrane të madha në vendet e numërimit; asnjë problem me listat e votimit; pajisja me ID; konkluzionet e raportit të OSBE/ODIHR janë të qarta dhe kokëforte; vendimi i Gjykatës së Apelit rrëzon kërkesën për rihapjen e kutive; ka parashikim ligjor që komisionet parlamentare nuk mund të ushtrojnë atributet e gjykatave; ka vendim Gjykate Kushtetuese për përjashtimin e çdo lloj kontrolli parlamentar mbi aktivitetin e pushtetit gjyqësor; qeveria dhe Presidenti kanë njohur rezultatin dhe qeverinë, siç kanë njohur legjitimitetin më të plotë të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe ato monitoruese. Së fundmi, ai tha se thirrjet publike në TV për rrëzimin e qeverisë me forcë nga rruga, janë të papranueshme për një forcë politike që kërkon demokraci dhe se të krahasosh qeverinë e një vendi të NATO-s me qeverinë komuniste të vitit '90 është fyerje për arsyen dhe koshiencën demokratike të shqiptarëve. Më pas filluan pyetjet. Pyetjen e parë e bëri Mustafa Xhepa: "Si i jeni përgjigjur ju kërkesës publike të familjarëve të poetit të varur Havzi Nela (njeriut të fundit të ekzekutuar në Evropën Lindore për arsye politike në vitin ‘89) për të kërkuar ndjesë për faktin që firma e babait tuaj figuron ndër firmat që kanë dhënë dritën jeshile për varjen e tij? Është e rëndësishme për mua si ish-i përndjekur të marr një përgjigje jo thjesht nga i biri i të atit që ka vënë firmën në këtë krim, por mbi të gjitha nga njeriu që drejton sot opozitën dhe që një ditë pretendon të drejtojë Shqipërinë!" Përgjigja e Ramës në fakt tregoi humbjen e qetësisë së tij, pasi me formë të qartë bezdis kroi kokën një herë, turfulloi e tha: “Më vjen keq për ty së si je katandisur, goxha burrë merresh më gënjeshtra, kjo nuk është e vërtetë. Babai im ka qenë artist dhe s'ka pasur punë me këto gjëra që thua ti. Mua më vjen keq për shtresën tuaj” e ca llafe pa bosht, sepse ai e humbi ekuilibrin”. Por ky reagim bëri përshtypje shumë negative tek miqtë amerikanë sepse në Amerikë nuk mund të komentosh personin që pyet, por duhet të përgjigjesh. Në këtë moment Mustafa Xhepa vazhdoi sërish: "Ju jeni në DC dhe akoma nuk keni takuar asnjë zyrtar të qeverisë. Komuniteti shqiptar ka informacione se kërkesa juaj për takime është refuzuar. Mund të na thoni përse?" Këtu Rama e humbi fare. U skuq, filloi të përtypej dhe të nxehej dhe tha: "Kjo është gënjeshtër, është gënjeshtër". E përsëriti disa herë, saqë ndërhyri moderatori dhe tha: “Të vazhdojmë me pyetje tjetër”. Zef Balaj e pyeti: "Përse ju u bëni presion deputetëve të PS-së që të mos shkojnë në Parlament, përse ju nuk përmbushni misionin e opozitës?" Rama u përgjigj: “Unë nuk bëj presion, është vendim politik, por mua më vjen keq për pyetjet tuaja. Duke mos përballuar këto pyetje të drejtpërdrejta, Rama shpërtheu me zemërim: "E di unë, këto pyetje jua sjell ai nga Tirana juve, ja, më duket sikur kam Berishën përpara, se kjo është gjuha e tij, ai ju ka nisur pyetjet nga Tirana". Rama u bë kaq qesharak dhe pjesëmarrësit nuk e kuptonin në fillim se çfarë po thoshte. Më pas, z. Bytyçi e pyeti: “Përse ju po harxhoni kaq shumë energji si opozitë për asgjë, për një krizë që nuk ekziston, në vend që të punoni për integrimin në BE?” Rama nuk u përgjigj fare, por bëri njëfarë qartësimi të figurës së vet, përpjekjet e tij titanike për rrëzimin e komunizmit, aktivitetin e tij për demokracinë etj. Në mbyllje erdhën edhe dy pyetje, që u bënë nga Dan Server i USIP dhe një tjetër nga një ekspert ligjor amerikan që ka punuar për ABA-CEELI (Central and Eastern Europe Law Initiative) në vitet 1997-2000. Dan Server e pyeti: "Çfarë prisni ju zoti Rama nga komuniteti ndërkombëtar?" Rama filloi ato fjalitë e tij, që ne duam të na kuptoni, se ne duhet të jemi në Parlament, por nuk mund të mos sqarojmë shqiptarët se çfarë ka në kutitë e votimit, d.m.th ato fjalitë e tij të mërzitshme, pa asnjë përmbajtje të qartë e të prerë, se çfarë kërkonte. Ndërsa eksperti ligjor që kishte punuar pranë ABA-CEELI e pyeti: "Unë kam punuar në Shqipëri dhe e njoh demokracinë shqiptarë. Ju thoni se jeni për një politikë të re, por veprimet tuaja janë po ato që bënte dikur PD, por me një ndryshim, se rezultatet e zgjedhjeve atëherë kanë qenë të kontestueshme, ndërsa këto zgjedhje janë njohur gjerësisht. Kjo është rruga juaj, bojkoti?" Rama vazhdonte me të njëjtat argumente. Në fund, Rama tha: “Unë dua t'ju sqaroj se këto pyetje kanë ardhur nga zyra e Sali Berishës, ai i nis këto pyetje”. Por e tha më kaq turfullim, saqë ata që ishin aty, s’po kuptonin se çfarë thoshte. Ekspertë amerikanë pyesnin me habi: "A është korrekte kjo frazë e Ramës apo e kuptuam gabim: ‘Ne njohim zgjedhjet, por nuk futemi në Parlament?’" Gjithashtu pyesnin: "Si ta kuptojmë që edhe njeh vendimin e gjykatës, edhe kërkon diçka që ky vendim e ka rrëzuar?"