Ish-guvernatori: Qeveria të rishikojë buxhetin me urgjencë

Tiranë, 9 shkurt, NOA / Nga Rajmonda Lajthia -
Një ditë pasi INSTAT publikoi inflacionin, i cili arriti në masën 3.6%, ish-guvernatori
i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, i sugjeron qeverisë që të ndryshojë në
mënyrë urgjente buxhetin e shtetit 2010. Rishikimi i shpenzimeve do të ndikonte
në ecurinë e monedhës vendase, e cila është nënçmuar djeshëm kohët e fundit sipas
Canit. Kursi i këmbimit ndikon direkt në inflacion,
ndaj stabilizimi i tij do të ishte një masë për të zbutur çmimet, tha ai.
Buxheti nuk është në baza realiste, vijon të
ndjehet një optimizëm në deklaratat e qeveritarëve, ndërkohë, ajo që mund të
them është se, në 2010 ekonomia shqiptare do të vuajë, - shprehet Cani lidhur
me një fakt të tillë.
Për aq kohë sa deficiti buxhetor nuk vihet nën
kontroll, leku do të vijojë të ketë probleme. Sipas Institutit të Statistikave
çmimet e ushqimeve që pësuan rritjen më të madhe ishin kryesisht perimet
e zarzavatet.
Po të kemi parasysh që ushqimi është dominues
në familjet e varfra, atëherë mund të themi se këtu ndihet inflacioni real, -
thotë Cani. E në këtë pikë nuk ka masë lehtësuese për të sugjeruar, pasi ky
efekt është i pashmangshëm.
Ndërkohë kërcënimi i mëtejshëm për të patur
sërish çmime të larta është energjia elektrike, e cila do të godasë buxhetet
e familjeve të varfra.
Sipas ekspertëve, ndikim në rritjen e inflacionit
në treg kanë dhënë edhe përmbytjet e Shkodrës, pasi dëmtimi i prodhimit vendas
nuk ka plotësuar nevojat e tregut duke rritur çmimet.
r.l/n.e/NOA