Beteja për ardhmërinë e Evropës
“Po përballemi me sfidën më të vështirë të kësaj gjenerate. Bëhet këtu fjalë për betejën për ardhmërinë politike të Evropës, dhe për integrimin evropian si të tillë”, tha Barroso në Parlamentin Evropian në Strasbourg.
Presidenti i KE iu bëri thirrje vendeve anëtare të Eurozonës që të aplikojnë masat e miratuara më 21 korrik dhe të realizojnë planin 160 miliardësh për shpëtimin e Greqisë, të cilin aktualisht po e frenojnë Finlanda, Sllovakia dhe Holanda.
Ai gjithashtu tha se, nga ana e saj “Greqia duhet që ta realizojë plotësisht programin e reformave ekonomike” për uljen e deficiti buxhetor, dhe se BE duhet të miratojë planin për fuqizimin e disiplinës së përbashkët monetare për të cilën muajve të fundit po flasin qeveritë dhe Parlamenti Evropian.
Barroso sqaroi se mënyra e vetme për daljen afatgjate të Eurozonës nga kriza është një realizim më i madh i integrimit ekonomik.
“Na duhet më shumë Evropë, e jo më pak Evropë, Zgjidhja është një integrim më i madh”, theksoi presidenti i KE’së, duke shtuar se kjo “s’do të ndodhë brenda natës”. Ai kritikoi edhe tendencën e Francës dhe Gjermanisë për zgjidhjen e krizës ndërmjet tyre, përmes reformimit të drejtimit të Eurozonës. AFP