E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhërohen shqiptarët

Me aprovimin e ligjit të ri zgjedhor, shqiptarët në Mal të Zi janë tejet të pakënaqur. Ata kanë humbur të vetmen njësi të tyre zgjedhore, në të cilën zgjidheshin pesë nga 81 deputetët e Kuvendit të Malit të Zi. Nga Express më 15 shtator 2011 në ora 09:41

Të gjithë përfaqësuesit e partive politike shqiptare kanë braktisur kuvendin malazez kur po votohej për ligjin zgjedhor, duke deklaruar se ishin “mashtruar dhe nënçmuar”, dhe se prej tash e tutje “do të flasin ndryshe me qeverinë në Podgoricë”.
Ndërkohë ka reaguar edhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, i cili ligjin e ri zgjedhor e ka karakterizuar si “diskriminues dhe antishqiptar”.
Ky zhvillim mund të ndryshojë peizazhin politik në Mal të Zi, sepse partitë shqiptare ka vjet që janë pjesë e qeverive malazeze dhe vazhdimisht ishin një mbështetje e fortë për koalicionin qeveritar.

Të bashkuar vetëm kundër shqiptarëve

Shefi i klubit të deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi, Vesel Sinishtaj, i tha Radios Deutsche Welle se pas dy dekadash të parlamentarizmit shqiptarët e Malit të Zi erdhën në një situatë kur sërish duhet të luftojnë për të drejtat e tyre elementare. Sipas tij, të drejtat e shqiptarëve madje ishin më të mirë të mbrojtura në bashkësinë e shteteve mes Serbisë dhe Malit të Zi sesa në Malin e Zi të pavarur, të cilin në referendum e mbështetën pothuajse të gjithë shqiptarët.
“Seanca e fundit e Kuvendit të Mali të Zi është dëshmia më e mirë se opozitën dhe pushtetin nuk mund t’i bashkojë asgjë më mirë sesa heqja e të drejtave të shqiptarëve. Kjo ishte një tregti politike, me qëllim që neve të na shkaktohej një dëm i drejtpërdrejtë. Kësaj tregtie ende nuk i dihet çmimi, por kam frikë se në këtë rast është thyer koncepti i shtetit qytetar i Malit të Zi”, tha Sinishtaj.
Në Kushtetutën e Malit të Zi thuhet se në organet dhe institucionet shtetërore pakicave duhet t’iu sigurohet një përfaqësim proporcional. Që nga viti 1996 shqiptarët në Mal të Zi praktikisht kishin një njësit të tyre zgjedhore, në të cilën zgjidheshin pesë deputetë. Dy prej tyre vinin nga radhët e partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), të Milo Djukanovic.

Ndihmë nga Tirana dhe Prishtina

Mbrojtja e të drejtave të fituara i ka bashkuar të gjitha partitë e shqiptarëve në vend, kështu që Sinishtaj konsideron se kjo gjithsesi se do të shkaktojë ndryshimin e raporteve, deri para pak kohësh të mira, mes shqiptarëve dhe pushtetit malazez.
“Një diskonim i tillë na imponon nevojën për t’iu drejtuar për ndihmë Shqipërisë, por edhe Qeverisë së Kosovës, dhe që, të paktën në aspektin e reciprocitetit, të respektohen të drejtat e shqiptarëve, si një popull autokton në Mal të Zi”, thekson Sinishtaj.
Vendimet e mëtutjeshme lidhur me lëvizjet konkrete, përfaqësuesit e shqiptarëve do të sjellin në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, e cila do të mbahet javën e ardhshme. Një prej opsioneve që do të shqyrtohet do të jetë edhe bojkotimi i institucioneve shtetërore.
Analisti politik, Dritan Abazovic, i tha DW’së se kjo situatë është tejet e pafavorshme për qeverinë malazeze, por edhe për vetë shqiptarët në Mal të Zi. Mirëpo, ai është i bindur se kjo nuk do të nxis radikalizmin e shqiptarëve atje.
“Sa i përket Malit të Zi, një rrëfim i tillë mund t’i mbushë gazetat, por jo edhe të ketë ndonjë ndikim konkret në shoqëri. Fuqia e tyre reale tash për tash nuk ka relevancë politike. Madje, mendoj se ajo nuk është relevante as statistikisht”, pohoi Abazovic.
Sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë, të kryer në prill të këtij viti, shqiptarët përbëjnë pesë përqind të popullatës së Malit të Zi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›