E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beteja për njohje, edhe pas GJND-së

Konferenca

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të japë një mendim neutral në lidhje me kërkesën për interpretimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kanë vlerësuar profesorë të së drejtës ndërkombëtare gjatë një konference lidhur me strategjitë dhe politikat që duhet të ndërtojë Kosova pas GJND-së. Aty u tha se Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë betejën politike edhe pas verdiktit që do të japë kjo gjykatë.

Prishtina dhe Beogradi do ta vazhdojnë betejën pro dhe kundër njohjeve të reja të shtetit të Kosovës edhe pas mendimit këshillëdhënës që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë lidhur me pavarësinë, u tha në një debat për veprimet dhe implikimet që do t’i japë mendimi i GJND-së për Kosovën.

Profesori Stefan Talmon nga Universiteti i Oksfordit, tha se e drejta ndërkombëtare nuk ka se çfarë të thotë në lidhje me vendimet e njëanshme për pavarësi, siç është rasti i Kosovës. Andaj, sipas tij, çfarëdo që të jetë mendimi këshillëdhënës, nuk do të ketë fitues.

Ai tha se në interpretimet e tilla gjyqësore, merren parasysh pyetjet që i parashtrohen gjykatës. Në këtë rast, Serbia, si iniciuese, ka shtruar pyetjen se a ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Duke e marrë si shembull rastin e Namibisë, Talmon theksoi se do të jetë me rëndësi për gjykatën edhe ajo se çfarë nuk shtrohet si pyetje aty.

Ndërkohë, profesori Mark Veller nga Universiteti i Kembrixhit, tha se fakti i shpalljes së pavarësisë së Kosovës si rast i veçantë, apo “sui generis” mund të merret parasysh duke e ditur historinë e heqjes së autonomisë së Kosovës dhe shtypjes së popullatës nga ana e regjimit serb.

“Argumenti i rastit të veçantë apo 'sui generis', bazohet në shumë fakte. E para është se autonomia e Kosovës është abroguar në mënyrë të njëanshme”, u shpreh Veller.

Zëvendësministrja e Jashtme, Vlora çitaku, tha se pritjet e Kosovës janë që pas GJND-së implikimet të jenë kryesisht në kontekstin ndërkombëtar që kanë të bëjnë me njohjet e reja.

“Opinioni i GJND-së do të ketë implikime, mirëpo ato më shumë do të ndërlidhen në kontekstin ndërkombëtar, gjegjësisht në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në përshpejtimin e dinamikës së njohjeve, mirëpo asgjë nuk do të vijë me automatizëm dhe për më tepër asgjë në kontekstin e brendshëm nuk do të ndryshojë substancialisht”, tha çitaku.

Sipas paralajmërimeve, interpretimi i GJND-së në lidhje me atë se ishte apo jo shpallja e pavarësisë së Kosovës në harmoni me të drejtën ndërkombëtare pritet të ndodhë diku në fund të korrikut. Autoritetet në Serbi kanë paralajmëruar një ofensivë diplomatike pas GJND-së, që, sipas tyre, do të shpie në negociata të reja për Kosovën.

Përderisa Prishtina dhe përkrahësit ndërkombëtarë të pavarësisë së Kosovës vlerësojnë se ky mendim sado i rëndësishëm, mund të ndikojë vetëm në dinamikën e njohjeve të reja dhe anëtarësimit të Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, por nuk do të ketë efekte sa i përket statusit të Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›