E Shtunë, 31 Tetor 2026

Administrata, 75 vende vakante gjatë verës

Ministritë shpallin konkurset. Synohet eliminimi i punësimit me kontratë

Departamenti i Administratës Publike do të zhvillojë në muajt e verës konkurset për 75 vendet vakante në 11 ministri dhe Këshillin e Ministrave. Në këtë kuadër, korriku dhe gushti pritet të jenë muaj intensivë për sa u përket konkurseve që pritet të zhvillohen në kuadër të pozicioneve të shpallura zyrtarisht nga Departamenti i Administratës Publike. Burime pranë këtij departamenti bëjnë të ditur se një numër i tillë i madh konkursesh të zhvilluara në muajt e verës lidhet me faktin se DAP po synon reduktimin e punësimit në institucionet qendrore në bazë të kontratave të përkohshme dhe po synohet, punësimi mbi bazën e procedurave të shërbimit civil. Ndonëse në pozicionet e reja të shpallura për punësimin në institucionet qendrore në vend, vetëm një numër i vogël punonjësish është shtuar në strukturën e ministrive. Pjesa dërrmuese e pozicioneve kanë ngelur vakante si pasojë e lëvizjeve të ndryshme edhe të strukturave që janë kryer muajt e fundit në ministri, për shkak të kalimit të punonjësve të ministrive në sektorin privat ose gradimit në detyrë, por nuk mungojnë edhe vendet bosh si pasojë e dorëheqjeve dhe shkarkimeve. Po kështu, një pjesë e vendeve vakante në të cilat do të zhvillohet konkursi janë aktualisht të zëna nga persona të cilët janë punësuar në bazë të një kontrate provizore. Ndonëse kësaj, zhvillimi i konkursit duket se është një mundësi e mirë për kandidatët, të cilët mund të jenë më të përgatitur për pozicionin që kërkohet. Nga njoftimet zyrtare të DAP, numri më i madh i konkurseve për pozicionet e reja është shpallur në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku numri i personave që do të përfshihen në konkurs në korrik dhe në gusht është 22. Një numër të madh të vendeve vakante është shpallur edhe në ministritë e Arsimit dhe Shkencës dhe atë të Drejtësisë. Nga ana tjetër, një sërë ministrish nuk kanë depozituar pranë Departamentit të Administratës Publike asnjë vend vakant ose fare pak pozicione bosh, të cilat duhet të mbushen nga një personel i ri. Reformimi i administratës shqiptare ka qenë një sfidë e vazhdueshme e qeverive në vend dhe ndaj emërimeve dhe shkarkimeve janë hedhur kritika të shumta. Në shumë raporte të ndërkombëtarëve, administrata shqiptare është konsideruar si jo e qëndrueshme dhe e politizuar. Kohët e fundit DAP dhe ambasada gjermane në Tiranë po zbatojnë një sërë projektesh të cilat lidhen me forcimin e administratës dhe emërimet në të, vetëm në bazë të kritereve që ofron ligji për shërbimin civil. Nga ana tjetër, një nga kushtet e rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian është edhe një administratë profesioniste, larg interesave politike dhe emërimeve nepotike në të. Nga ana tjetër, qeveria e drejtuar nga Kryeministri Berisha në mënyrë të herëpashershme ka deklaruar se administrata publike po ruhet nga influencat politike, ndonëse në realitet një pjesë e emërimeve në të janë bërë edhe për të kënaqur interesat e aleatëve të PD-së në qeverisje.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›