Incidenti u inskenua nga Beogradi
Tri ditë pas incidentit në veri të Mitrovicës, situata në lagjen e boshnjakëve është e qetë, por e tensionuar. Nuk ka lëvizje të njerëzve dhe qarkullim të automjeteve si rëndom, ndërkohë që edhe dyqanet vazhdojnë të jenë të mbyllura.
Banorët shqiptarë vazhdojnë të mbajnë rojat e veta gjatë natës, ndërkohë që shprehen se e kanë të njohur autorin e incidentit të para dy ditëve, pas të cilit humbi jetën një person dhe 11 të tjerë u lënduan.
Adem Mripa, përfaqësues i lagjes së boshnjakëve, tha se banorët shqiptarë atje janë në vazhdimësi duke bërë roje natën, pasi ndihen të pasigurt. Sipas tij, gjatë natës qarkullojnë grupe të ndryshme ekstremistësh serbë, të cilat provokojnë në mënyra të ndryshme.
"Policia e pjesës veriore për ne nuk është garanci për sigurinë. Haptazi e them se ata janë duke u paguar nga MUP-i i Serbisë", i ka deklaruar Mripa agjencisë “Kosovapress”.
Në incidentin e së premtes ka humbur jetën një pjesëtar i komunitetit boshnjak, ndërsa janë lënduar dhjetë serbë. Mripa dyshon se protesta është organizuar nga grupi “Obraz”.
"Nuk mund të them se është e saktë, por ka mundësi, pasi një natë më parë grupi "Obraz" ka qarkulluar nëpër lagje këtu. Të nesërmen në mëngjes ka qarkulluar një automjet i "Obraz"-it, me mbishkrimin "Obraz" në dritare të veturës dhe i detyronte serbët t'i mbyllnin dyqanet dhe të dilnin në protesta. Ka mundësi që ky të jetë një inskenim i MUP-it dhe i grupeve ekstreme, në këtë rast i grupit "Obraz"”, ka thënë Mripa.
Për më tepër, Mripa konsideron se i gjithë incidenti është një inskenim i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
"Unë jam më se i sigurt se ajo që ka ndodhur është një organizim i MUP-it të Serbisë, që qarkullon dhe vepron në mënyrë legale në këtë pjesë të territorit të Kosovës", ka thënë Mripa sipas “Kosovapress”.
Pas këtij incidenti, në lagjen e boshnjakëve ka patrullime më të shpeshta të policisë, por banorët shqiptarë nuk ndihen të sigurt, andaj janë detyruar që të organizojnë roja gjatë natës.
Fevzi Beqiri, banor i lagjes, tregon se ata janë të detyruar të organizohen në forma të ndryshme, pasi përkundër prezencës së forcave të shtuara të sigurisë, ata kërkojnë njësinë speciale të policisë së Kosovës, sepse ndryshe nuk ndihen të sigurt.
"Kjo është shumë normale se nuk ju besojmë dhe nuk u kemi besuar prej 11 vitesh, e nuk u besojmë edhe sot, përderisa nuk shtrihet pushteti shqiptar këtu, njësitë speciale dhe policia jonë. Ne nuk u besojmë kurrfarë forcave tjera, do të thotë në njëfarë forme jemi të detyruar t'i mbrojmë familjet dhe pronat tona prej kriminelëve çetnikë të Beogradit", ka thënë Beqiri.
#