E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Noka, me integritet të lartë

Flamur Noka

Kryeministri mbron ndryshimet në qeveri: Emrat e LSI i pranova në zbatim të marrëveshjes.

Postet partiake nuk janë dënim për ato shtetërore e qeveritare

Kryeministri Sali Berisha mbron ndryshimet në qeveri një ditë pasi dërgoi në Presidencë për dekretim emrat e rinj. Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, kreu i maxhorancës vlerësoi Flamur Nokën, i propozuar për ministër të Brendshëm, si një nga bashkëpunëtorët e tij dhe që ka punuar për sukseset e qeverisjes së vendit. Sipas Berishës, një politikan që mban një post partiak nuk ka pse të mos ushtrojë edhe detyrën e ministrit. Zoti Noka është një nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë me një integritet të lartë, i cili me përkushtim të madh ka punuar për suksesin e kësaj qeverisjeje. Në qoftë se mendohet se postet partiake janë një dënim për postet shtetërore, qeveritare, ky është një gabim. Zoti Noka nuk u kandidua për gjykatës apo funksione të tjera, por u kandidua për një nga postet e rëndësishme të maxhorancës dhe ai mbante një post shumë të rëndësishëm në hierarkinë e Partisë Demokratike, u shpreh kreu i qeverisë. Unë kam besim të madh se ju gazetarët, se qytetarët shqiptarë do të kenë te zoti Noka, një ministër të përkushtuar, transparent, të vendosur për të bërë gjithçka në mbrojtje ligjore të interesave të tyre, tha më tej Berisha. Duke folur për ndryshimet e propozuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim, kreu i shumicës qeverisëse tha se ato i ka pranuar në respekt të marrëveshjes që ka me këtë parti. Edhe në këtë rast, Kryeministri vlerësoi emrat e propozuar, Vangjel Tavo dhe Edmond Panariti, ndërkohë që falënderoi për bashkëpunimin dy ministrat në ikje, Nasip Naço nga Ekonomia dhe Petrit Vasilin nga Shëndetësia. Ndryshimet që ka bërë forca tjetër politike, forca e dytë, më e madhe e koalicionit, janë ndryshime që kjo forcë i ka gjykuar në interesin e saj më të mirë. Unë, në zbatim të marrëveshjes, i kam propozuar Presidentit të Republikës emërimin në poste të personaliteteve të propozuara nga LSI, me besim të plotë se ata do të përmbushin me dinjitet të madh detyrat e besuara. Ata kanë kredencialet e tyre të plota për tu përballur me dinjitet me sfidat dhe detyrat e misionit të tyre të ri. Sikundër kam falënderuar zotërinjtë që largohen nga qeveria, kam falënderuar zotin Nasip Naço dhe zotin Petrit Vasili për bashkëpunimin e shkëlqyer që unë kam pasur, luajal, të suksesshëm. Ky është qëndrimi dhe shpjegimi im për të gjitha ndryshimet, tha më tej Berisha.

Zgjedhja e Presidentit
Duke folur për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, Berisha tha se Shqipëria kaloi një nga proceset më të rëndësishme në historinë politike te vendit, atë të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, proces i cili u konkludua në përputhje të plotë me germën dhe frymën e Kushtetutës, me zgjedhjen në krye të shtetit shqiptar, në Shqipëri, të një personaliteti me integritet dhe me të gjitha dhuntitë dhe cilësitë për të përmbushur me dinjitet këtë mision.

Lotaria është transparente, morëm kriteret ndërkombëtare
Pas ministrit të Financave, Ridvan Bode, dje ka qenë Kryeministri Sali Berisha që ka dalë në krah të tenderit për Lotarinë Kombëtare. Në një dalje para mediave, i pyetur për akuzat e ditëve të fundit, ai tha se procesi ka qenë publik dhe i gjithi transparent. Sipas tij, dy qendra ndërkombëtare, Qendra Europiane e Lotarisë dhe Qendra Botërore e Lotarive, kanë përcaktuar një sërë kriteresh. Kriteri i artë, i nderuar zotëri, i listës së kritereve të tyre është një, licenca e transparencës, që përbën një dokument simbolik, që këto qendra ua lëshojnë vetëm kompanive që plotësojnë disa kritere që ju ftoj ti lexoni vetë. Natyrisht, Shqipëria nuk mund të shmangte këtë kriter. Autoriteti i Ministrisë së Financave ka vendosur këtë kriter, por ky kriter përjashtonte një seri kompanish, natyrisht dhjetëra syresh e plotësonin kriterin, tha Berisha. Ai tha se për sa u përket reagimeve të bixhozxhinjve, nuk kam asnjë impresion prej tyre. Unë këtë e konsideroj industri mëkati. E kam thënë dhe e them se, po të ishte për mua, do të ishte e ndaluar, por meqenëse nuk është, nuk mund ta bëj vullnetin tim dhe ti diktoj një rast të veçantë Shqipërisë. Kështu që ata le të bërtasin sa të duan. Berisha kritikoi qëndrimin e mbajtur nga opozita, duke e cilësuar si gabim trashanik deklaratën e Ramës, sipas të cilit kompanisë i është lënë 90% të fitimit, ndërsa shteti ka marrë vetëm 10%. Sipas Kryeministrit, shteti do të përfitojë të ardhura nga 50% e të ardhurave që i kthehen publikut, 20% është TVSH-ja, 10% është tatim-fitimi dhe 10% tatimi mbi xhiron. Lidhur me këto deklarata reagoi kreu i PS-së, Edi Rama, i cili tha se në reagimin sot për Lotarinë Kombëtare kryeministri se fshehu dot fajësinë për krimin e grabitjes së të drejtës publike! Flasin faktet e dala sot! Fakti se z.Bode caktoi konsulentin 2 muaj pas shpalljes së kushteve të tenderit është shprehje ulëritëse e një krimi të organizuar ekonomik! Kryeministri foli për bixhozxhinj që dashkan ta frenojnë në këtë akt, por është ai që luan bixhoz me paratë e shqiptarëve për hesap të klientëve të vet. Sali Berisha e ka kthyer tryezën e qeverisë në një ruletë ku hedhin zaret biznesmenët e oborrit e ai me Boden shpërndajnë paratë e popullit për ta.

Takimi mes kryeministrave në Tiranë
Kosova, faktor paqeje e stabiliteti në rajon

Berisha e Thaçi dje gjatë takimit

Kryeministri Sali Berisha priti dje në Tiranë homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi. Në përfundim të takimit që u zhvillua në një Vilën 30, krerët e dy qeverive dolën në një komunikim me mediat. Berisha u shpreh se Kryeministri i Republikës së Kosovës, zoti Hashim Thaçi, më njohu mua me te gjithë procesin dhe etapat përmbyllëse të tij, përmbyllje që vjen si dëshmi e një suksesi të madh të zhvillimeve në Kosovën e pavarur dhe demokratike, funksionimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike, shndërrimit të Kosovës në një faktor të vërtetë paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi rajonal. Nga ana e tij Thaçi vuri theksin te marrja e udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Për Kosovën nga ky moment, ne gjithashtu sapo pranuam udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, do të hapet një perspektivë e re, për integrimin në NATO dhe në BE. I gjithë ky proces do të përmbyllet në fillim të shtatorit. Parlamenti i Kosovës sapo aprovoi në leximin e parë legjislacionin e duhur dhe të nevojshëm të ndryshimeve që kërkoheshin për të përmbyllur mbikëqyrjen e pavarësisë, një legjislacion ky, komplet sipas standardeve europiane, theksoi Kryeministri i Kosovës.

ADI SHKEMBI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›